- Njeriu duhet të ketë frikë nga shirku.
Argument është thënia e Allahut: “Vërtet, Allahu nuk fal që të shoqërohet dikush apo diçka me Të”; “Më largo mua dhe bijtë e mi nga adhurimi i idhujve.”
- Shtirja është pjesë e shirkut.
Argument është hadithi: “Gjëja së cilës i druhem më shumë për ju është shirku i vogël.” Kur u pyet Pejgamberi (alejhi selam) se cili është ai, tha: “Shtirja.”
- Shtirja është shirk i vogël.
Kur u pyet Pejgamberi (alejhi selam) për shirkun e vogël, tha se është shtirja. Po a mund të arrijë ajo të bëhet shirk i madh? Siç duket nga kuptimi i drejtpërdrejtë i hadithit, nuk mundet, sepse i Dërguari (alejhi selam) tha “shirku i vogël”, dhe kur u pyet për të, tha se është syefaqësia (shtirja). Por Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë), kur flet për shirkun e vogël, thotë se ai është si shtirja e vogël, dhe kjo tregon se kur ajo është më e madhe, nuk është më shirk i vogël. Nëse ai ka pasur për qëllim sasinë, atëherë po, sepse nëse çdo punë bëhet për sy e faqe, atëherë ky është shirk i madh, për shkak të mungesës totale të sinqeritetit në vepra. Nëse Ibn Kajimi ka për qëllim cilësinë, atëherë themi se, nga konteksti i hadithit, duket se syefaqësia është shirk i vogël.
- Syefaqësia është gjëja më e rrezikshme, së cilës i druhemi për njerëzit e mirë.
Kjo është marrë nga fjala: “Gjëja së cilës i druhem më shumë për ju është shirku i vogël”, se ndoshta ai futet në zemrën e njeriut pa e kuptuar, për shkak të fshehtësisë së tij dhe sepse epshi e dëshiron. Gjithashtu, shumë nga njerëzit dëshirojnë të lavdërohen me adhurimin që i bëjnë Allahut.
- Për sa i përket përfundimit, njeriu është shumë afër si Xhennetit ashtu dhe Zjarrit.
Argument është thënia e Profetit (alejhi selam): “Kush e takon Allahun duke mos i shoqëruar asgjë Atij, futet në Xhennet, dhe kush e takon Atë duke i shoqëruar diçka, futet në Zjarr.”
- Pozicionimi i të dyjave (Xhennetit dhe Xhehenemit) në një hadith të vetëm.
Hadithi është: “Kush e takon Allahun, duke mos i shoqëruar asgjë Atij …”
- Kush e takon Allahun duke i shoqëruar Atij diçka, do të futet në Zjarr, edhe nëse ka qenë ndër adhuruesit më të mëdhenj.
Pra, nëse shirku i tij është i madh, nuk do të futet në Xhennet, edhe nëse ka qenë ndër njerëzit më adhurues. “Nuk ka dyshim se kushdo që i vë shok Allahut, Ai ia ka bërë haram (të ndaluar) Xhennetin dhe vendbanimi i tij do të jetë Zjarri.” (Maideh : 72). Nëse shirku i tij është i vogël, ai do të ndëshkohet sipas mëkateve që ka bërë, e pastaj do të futet në Xhennet.
- Kërkimi i mbrojtjes për veten dhe bijtë e tij nga ana e Ibrahimit, për të mos rënë në adhurimin e idhujve, tregon se kjo është një çështje e madhe.
Në Kur’an përmendet: “Më largo mua dhe bijtë e mi nga adhurimi i idhujve.”
- Marrja në konsideratë nga ana e tij e gjendjes së shumicës, sipas ajetit: “O Zoti im! Vërtet që (idhujt) kanë gabuar dhe humbur shumë nga njerëzit.” (Ibrahim : 36)
Këtu ka një paqartësi: autori ka përdor fjalën ‘ekther’, që do të thotë ‘shumicë’, ndërsa në ajet thuhet: “shumë nga njerëzit”, duke u përdorur fjala ‘kethir’. Ka ndryshim ndërmjet fjalës ‘ekther’ (shumicë) dhe ‘kethir’ (shumë). Allahu (subhanehu ue teuala) thotë: “… dhe i kemi ngritur ata përmbi shumë prej atyre që Ne i kemi krijuar …” (Isra : 70). Pra, nuk ka thënë “përmbi shumicën e krijesave” e as “përmbi krijesat”. Njerëzit janë ngritur përmbi shumë prej krijesave të Allahut, mirëpo ata nuk janë krijesa më e nderuar tek Allahu (subhanehu ue teuala), ndonëse janë të nderuara.
- Komenti i fjalës La ilahe il’All-llah, siç ka thënë edhe Buhariu.
Me sa duket, kjo është marrë nga e gjithë tema, sepse shprehja La ilahe il’All-llah përmban pohim dhe mohim.
- Mirësia e atij që shpëton nga shirku.
Argument është thënia e Profetit (alejhi selam): “Kush e takon Allahun, duke mos i shoqëruar Atij asgjë, do të futet në Xhennet.”