Dobi dhe mësime të përfituara nga historia e Salihut (alejhi selam)
1- Të gjithë Pejgamberët kanë pasur të njëjtën thirrje! Ai që përgënjeshtron njërin prej tyre, në fakt i ka përgënjeshtruar të gjithë, sepse përgënjeshtron të vërtetën që solli gjithsecili prej tyre. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar në çdo ndodhi ku flet për Pejgamberët, thotë: “Populli i Nuhut, i quante gënjeshtarë të Dërguarit.” (Shuara: 105) “Fisi Ad i quante gënjeshtarë të Dërguarit.” (Shuara: 123) “Edhe fisi Themud i quante gënjeshtarë të Dërguarit.” (Shuara: 141)
2- Ndëshkimet e Zotit ndaj popujve kryeneçë kanë ndodhur atëherë kur ata kishin arritur kulmin e tiranisë dhe kufirin maksimal të krimit. Mohimi dhe përgënjeshtrimi i tyre solli shkatërrimin, por ky dënim u bë i patjetërsueshëm atëherë kur e keqja kishte arritur kulmin. Për këtë arsye, momenti më shpresëdhënës që tregon bindshëm afrimin e ndëshkimit të zullumqarëve dhe kriminelëve, është atëherë kur e keqja e tyre arrin majat. Allahu u qëndron në pritë, u jep afat dhe përsëri u jep afat, por kur i ndëshkon, e bën siç i ka hije Krenarisë dhe Plotfuqishmërisë së Tij.
3- Besimet e kota që janë ngulitur tek njerëzit e që janë trashëguar nga njerëzit, mendimi për të cilët përgjithësisht është i mirë si p.sh baballarët, etj, konsiderohen prej pengesave më të mëdha në pranimin e të vërtetës. Gjendja është e tillë se, ata nuk janë as me realitetin dhe as me faktet dhe nuk zënë asnjë vend në argumentimet e sakta që pohojnë të vërtetën. Për këtë arsye, pengesa më e madhe që e bëri popullin e Salihut të kundërshtonte thirrjen e tij ishte: “A mos vallë po na ndalon të adhurojmë ato që i kanë adhuruar prindërit tanë?” (Hud: 62)
Madje të gjithë popujt përgënjeshtrues që e refuzuan të vërtetën dhe thirrjen e Profetëve shpreheshin me këto fjalë: “Ne i kemi gjetur etërit tanë në këtë fe dhe po ndjekim gjurmët e tyre”. (Zuhruf: 23) Kjo rrugë akoma vazhdon të ndiqet nga ndjekësit e të kotës, rrugë të cilën e kanë skicuar shejtanët për t’i larguar njerëzit nga rruga e Allahut. Por është fakt se, rruga e profetëve është rruga e udhëzimit dhe e të vërtetës, e çfarë ka pas së vërtetës, përveç humbjes?