Kohë më parë, Salihu (alejhi selam) ua kishte tërhequr vërejtjen nga therja e devesë, sidomos kur kishte parë mendjemadhësinë dhe refuzimin e të vërtetës nga ana e tyre. E megjithatë, të parën gjë që bënë këta dashakeqë ishte organizimi i një tubimi nga ku do të binin dakort për therjen e devesë dhe kështu ndodhi! Therjen e devesë e morën përsipër njerëzit më të këqinj.
Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë: “Kur u ngrit më i keqi i tij (për të therur devenë).” (Shems: 12), d.m.th pasi ranë dakort dhe caktuan detyrat e zbatimit të planit dhe ngarkuan një person që ta therte devenë. Ai u ngirt me të shpejtë, u përgatit mirë dhe mori përsipër therjen e saj, ndërsa ata të gjithë ishin të kënaqur madje e urdhëruan këtë veprim. Po, ai e theri devenë, por ky akt ishte alarmi paralajmërues i shkatërimit të plotë të këtij populli.
Salihu (alejhi selam) kur e ndjeu (se dënimi po afrohej) dhe pa se diçka e tmerrshme do të ndodhte dhe se dënimi ishte i pashmangshëm, sepse krimi (që kishin bërë) kishte kaluar çdo kufi dhe nuk kishte mbetur asnjë mënyrë përmirësimi për gjendjen e tyre, u tha: “Jetoni në shtëpitë tuaja edhe tri ditë! Ky është premtimi i vërtetë”. (Hud: 65) Me këto fjalë ai u solli ndërmend dënimin, si atyre që jetonin aty afër por dhe atyre që jetonin më larg.
Gjatë këtij afati tre ditor, të nëntë personat u mblodhën dhe ranë dakort për të kryer një vepër edhe më të llahtarshme dhe më të frikshme se therja e devesë! Ata vendosën të vrisnin profetin e tyre, Salihun! U zotuan, dhanë besën dhe u betuan me betimet më të forta dhe e mbajtën të fshehur qëllimin e tyre nga frika se mos i pengonte fisi i Salihut, sepse ai i përkiste një familjeje dinjitoze, krenare dhe të ndershme.
Ata thanë: “Betohuni në Allahun se natën do ta vrasim atë me gjithë familjen e tij.” (Neml: 49) Pastaj, nëse ata mendojnë se ne e kemi vrarë, u betohemi përpara të afërmve të tij “Ne nuk kemi qenë të pranishëm në zhdukjen e familjes së tij dhe se po themi të vërtetën.” (Neml: 49)
Realisht, ata e organizuan këtë kurth të madh, por nga njëra anë ata bënin kurthe, ndërsa Allahu ia prishte kurthet në favor të Salihut (alejhi selam). Kur u fshehën rrëzë malit duke pritur rastin e volitshëm për të vrarë Salihun, Allahu e filloi dënimin e tyre. Për të qenë ata të parët që do u prijnë popullit të tyre në Zjarrin e Xhehenemit. Allahu çoi një shkëmb nga maja e malit dhe i zuri poshtë dhe u vranë në mënyrën më të keqe.
Kur u plotësuan ditët, atyre u erdhi një britmë e madhe nga lart dhe një tronditje e fortë nga poshtë dhe kështu u gdhinë si të ngujuar. Allahu e shpëtoi Salihun (alejhi selam) dhe ata që besuan bashkë me të. “Ai u largua prej tyre dhe tha: ‘O populli im, unë ju solla shpalljet e Zotit tim e ju këshillova, prandaj pse të hidhërohem për popullin e pafe?!’” (Arafë: 93)
Tregohet për Profetin e Allahut, Salihun, se ai i foli popullit pasi që ishin zhdukur, ndërkohë që kishte zënë vendet e tyre duke u thënë: “Ai u largua prej tyre dhe tha: ‘O populli im! Unë ju solla mesazhin e Zotit tim dhe ju këshillova, por ju nuk i donit ata që këshillojnë’”. (A’rafë: 79) D.m.th u përpoqa shumë që t’ju udhëzoja me çfarë kisha mundësi dhe tregova kujdes për këtë me fjalë, vepra dhe nijet (qëllim). “Por ju nuk i donit ata që këshillojnë!”
D.m.th, natyra juaj nuk e pranonte të vërtetën e as që e donte atë, prandaj arritët deri në këtë dënim të dhembshëm, i cili nuk ka për tu ndërprerë ndaj jush deri në pafundësi. Unë nuk kisha asnjë lloj mundësie e as nuk munda të largoja nga ju përveç asaj që kisha për detyrë në kumtimin e shpalljes dhe këshillës ndaj jush, gjë të cilën e kam bërë, por Allahu vepron çfarë të dojë.
Në këtë formë edhe Profeti i Allahut, Muhamedi, (alejhi selam) u qe drejtuar të vrarëve në pusin e kalibit pas betejës së Bedrit. Pas tre netëve, ai qëndroi aty, i thirri në emrat e tyre dhe të baballarëve duke u thënë: “A e gjetët atë që Zoti jua kishte premtuar?” Pastaj tha: “Ata në këtë moment dëgjojnë atë që u them.” Për më tepër shih (El Bidaje uen Nihaje 1/137-138)