Pjesë e të drejtave të bashkëshortit është besnikëria e bashkëshortes së tij, ruajtja nga ana e saj e amanetit dhe e të drejtave të tij. Ruajtja e amanetit është një nga cilësitë dhe moralet më të dukshme te besimtarët. I Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Kur të vijë Dita e Kiametit dhe të vendoset Ura e Siratit mbi xhehenem, vjen amaneti dhe “err-rrahim” (lidhja farefisnore) dhe qëndrojnë në të dyja anët e urës.” Dijetarët kanë thënë se nuk shpëton prej Urës së Siratit ai që nuk e ka mbajtur amanetin dhe që i ka shkëputur lidhjet me të afërmit.
Me fjalën “err-rrahim” (lidhja farefisnore) është nënkuptuar mirësia ndaj të afërmve. Veprimet që përfshihen në të janë të ndryshme në varësi të gjendjes së personit dhe asaj të të afërmve të tij. Ato mund të jenë vizita, përkrahje ekonomike, shërbime etj.
Amaneti dhe lidhja farefisnore për shkak të rëndësisë së madhe të tyre do të qëndrojnë në dy anët e Urës së Siratit, si për përmbushësin e amanetit ashtu edhe për tradhtarin e tij, respektuesin e lidhjeve farefisnore dhe cenuesin e tyre. Ato do të dalin në mbrojtje të atij që i ka respektuar ose do të dëshmojnë kundër atij që nuk i ka respektuar. Amaneti është e kundërta e tradhtisë.
Është thënë se në këtë hadith fjala amanet ka të bëjë me amanetin që përmendet në suren El-Ahzab: 72; pra amanet është mbajtja dhe respektimi i urdhrave të Allahut. Ndërsa fjala “err-rrahim” (lidhja farefisnore) thuhet se ka të bëjë me atë që është përmendur në ajetin e parë të sures El-Nisa, ku flitet për trajtimin me dashamirësi të krijesave të Allahut.
Amaneti e obligon gruan me disa gjëra.
E para: Të mos lejojë askënd të futet në shtëpinë e bashkëshortit të saj pa marrë leje prej tij. I Dërguari i Allahut e ka përmendur këtë çështje në Hutben e Lamtumirës duke thënë: “Të mos lejojnë askënd të futet në shtëpitë tuaja, me përjashtim të atyre që jeni të kënaqur të hyjnë.” Ky hadith argumenton se është e ndaluar për gruan të lejojë dikë që të hyjë në shtëpinë e bashkëshortit të saj pa marrë leje prej tij.
Për sa i përket kësaj, dijetarët kanë thënë se nëse gruaja nuk e respekton këtë të drejtë, atëherë ajo nuk është e sigurt nga përfundimi i keq sepse futja e një burri në shtëpi, pa leje nga bashkëshorti, e shtyn atë të mendojë keq për gruan e tij. Si pasojë lindin probleme dhe çështjet shkojnë drejt përfundimeve të këqija, të cilat dihen.
E dyta: Prej mbajtjes së amanetit rrjedh edhe një e drejtë tjetër e bashkëshortit kundrejt bashkëshortes së tij dhe kjo është ruajtja e pasurisë së tij. Gruaja duhet të kujdeset për pasurinë e bashkëshortit të saj, të mos e humbë dhe të mos e teprojë me shpenzime. Nëse bashkëshorti ia dorëzon pasurinë e tij bashkëshortes, duke e lënë atë nën sigurinë e saj, ajo duhet të tregohet e drejtë dhe e matur duke u dhënë çështjeve rëndësinë e duhur dhe duke mos e shpenzuar pasurinë e bashkëshortit sipas dëshirave dhe tekave të saj.
E treta: Pjesë e kësaj të drejte (përmbushjes së amanetit) është edhe ruajtja e të drejtës së tij në shtrat; të mos e tradhtojë. Tradhtia është një lloj pabesie, pasi bashkëshorti duke pasur besim te bashkëshortja, i beson asaj nderin. Ajo që tregohet e pabesë duke tradhtuar burrin, ka thyer amanetin ndaj Allahut, ka kryer një prej harameve të mëdha dhe ka thyer besën e dhënë mes dy bashkëshortëve.
Gruaja duhet ta ruajë trupin e saj pasi Zoti e ka bërë atë përgjegjëse si për ruajtjen e nderit edhe për ruajtjen e pasardhësve të burrit të saj. Kur ajo hap portën e fitnes (sprovës) duke rënë në haram, ajo prish pasardhësit e burrit të saj, duke futur ndër ta dikë që nuk është prej fëmijëve të tij. Kështu, ky fëmijë i huaj për të shoqin ushqehet me pasurinë e tij, mban lidhjet me të afërmit e tij dhe trashëgon prej tyre. Të gjitha këto janë të padrejta dhe të papranueshme.
I Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë në një hadith të saktë, kur pa një burrë i cili donte të kishte marrëdhënie intime me një prej robëreshave të Eutasit, ndërkohë që ajo ishte shtatzënë: “E si mund të bëjë diçka që ndikon në zhvillimin e syrit dhe veshit të fëmijës? Desha ta mallkoj aq rëndë sa që mallkimi ta shoqëronte edhe në varr.”
Kryerja e marrëdhënieve seksuale ndërkohë që ajo është shtatzënë nga dikush tjetër, do të bënte që fara e burrit të ndikonte në zhvillimin e fëmijës së saj në bark, fëmijë që i përkiste dikujt tjetër. Dijetarët kanë thënë se nëse marrëdhëniet intime kryhen pasi fetusi të ketë marrë formën e plotë të krijimit, atëherë ky burrë i huaj do të kishte ndikim në zhvillimin e syve dhe veshëve të fëmijës së saj.
Diçka e tillë është mjaft e rëndë, e ç’mund të thuhet atëherë për një grua që sjell një fëmijë plotësisht të huaj për bashkëshortin e saj?! Kjo i kalon caqet, prandaj dhe Allahu i ka lavdëruar besimtaret të cilat i binden Allahut dhe bashkëshortëve të tyre, ato që e ruajnë nderin, pasurinë dhe fëmijët e tyre në mungesë të bashkëshortëve.
Gruaja e ndershme në mungesë të bashkëshortit e ruan nderin e saj dhe nëse i duhet të shkojë diku, ajo është besnike dhe e kujdesshme. Ajo duhet të tregohet e kujdesshme sidomos në këtë kohë të turbullt që jetojmë, ku fitnet mund të shfaqen në forma nga më të ndryshmet, krejt papritur e pa u vënë re.
E katërta: Pjesë e mbajtjes së amanetit është ruajtja e sekreteve të bashkëshortit dhe e çështjeve të tij të veçanta. Allahu zemërohet me atë grua apo burrë që tregon të fshehtat intime që ndodhin mes tyre, qoftë edhe në formë shakaje apo loje. Mund të mendohet si diçka e lehtë, por tek Allahu ajo është e madhe. Allahu thotë: “Ju këtë e merrnit për të lehtë, ndërsa tek Allahu ajo është një shkelje e madhe.” (En-Nur: 15)
Kur gruaja gjithmonë mban parasysh dënimin dhe shpërblimin e Allahut, xhehenemin dhe xhennetin, ajo patjetër do t’i ruajë të fshehtat e bashkëshortit të saj. Nuk lejohet që gruaja t’i përhapë këto të fshehta, veçanërisht kur ai e lë amanet ruajtjen e tyre. Allahu është Llogaritës, Mbikëqyrës dhe Vëzhgues i gjithçkaje që ajo thotë e bën.
Një ndër gabimet që bëjnë disa gra, duke shkelur kështu një prej të drejtave të bashkëshortëve të tyre, është pikërisht mosmbajtja e amanetit. Nëse ndodh që ndërmjet të dy bashkëshortëve të ketë ndonjë grindje apo ngatërresë, të tilla gra shkojnë tek familjet e tyre apo tek ndonjë e njohur dhe ankohen e nuk lënë gjë pa treguar.
Në të tilla raste, veç të tjerash, ato zbulojnë sekretet e burrave të tyre, përhapin gjithçka që dinë, flasin për mangësitë e bashkëshortëve duke përmendur madje edhe gjërat më personale të tij. Një vepër e tillë nuk ka dyshim që është haram. Madje disa dijetarë e kanë konsideruar këtë një prej harameve të mëdha. Ata gjithashtu kanë pohuar se thyerja e amanetit dhe të folurit rreth sekreteve apo fshehtësive lejohet vetëm në rastet kur një gjë e tillë është e domosdoshme, kur këtë e lejon personi përkatës apo në rastet kur një veprim i tillë justifikohet nga sheriati.