Në këtë punim, unë jam bazuar në një metodë, të cilën e quaj “Metodë e mirë në shkurtimin e një vepre”. Unë e kam shkurtuar fjalën e autorit, – Allahu e mëshiroftë! – duke lënë të paprekur mesazhin dhe kuptimin e tij, duke u munduar ta sjell në një stil të qartë, të cilin mund ta kuptojë si i dituri, ashtu edhe nxënësi i përparuar, si nxënësi fillestar, edhe njeriu i thjeshtë, nëse e lexojnë ose u lexohet. Jam përpjekur që të mos prek stilin e autorit, krahasimet, epitetet, figurat e ndryshme letrare që ai ka përdorur, por kam reduktuar ndonjë gjë, nëse ka qenë e nevojshme. Pastaj kam punuar me hadithet, duke u mjaftuar që të tregoj veçse librin referencë ku është përmendur dhe sahabët transmetues. Kështu, për shembull, unë shkruaj: “Shënon Buhariu prej Ebu Hurejrës se…”.
Jam mjaftuar duke përmendur veç një ose dy hadithe që ka sjellë autori në një çështje, nga hadithet e Buhariut e Muslimi ose të njërit prej tyre, ose nga ato hadithe të sakta të sjella në Sunene dhe Sahihe. Kështu, nuk kam përmendur hadithet e dobëta ose të shpikura, duke e marrë për bazë fillimisht vetë fjalën e Ibn Kethirit në gjykimin për ato hadithe, pastaj duke u bazuar në atë që unë di rreth saktësisë së atyre haditheve, për të cilat autori nuk ka dhënë gjykim e shpjegime rreth saktësisë së tyre. Pastaj kam punuar me izraeljatet, fjalët dhe opinionet jo të sakta dhe transmetimet e dobëta, të cilat i kam reduktuar ose hequr.
Po kështu kam vepruar edhe me ato opinione që vetë autori, – Allahu e shpërbleftë me gjithë mirësitë! – i përmend me qëllimin që njerëzit të mos i pranojnë. Për këtë arsye, gjykova të mos i përmend fare, duke u nisur nga fakti që mospërmendja e kotësirave është më e mirë sesa njohja e tyre, sidomos për njerëzit e thjeshtë. Gjithashtu, në njëfarë mënyre, duke i hequr ato, realizohet qëllimi i autorit që njerëzit të mos i besojnë dhe të mos punojnë me to, sepse ai që nuk di diçka, nuk ka si ta zbatojë atë.
Ndonjëherë e kam gjykuar të nevojshme që të lë të pacenuar fjalën e autorit, sepse vetë ai e ka sjellë në mënyrë koncize, pa u zgjeruar shumë. Edhe kur bëhet fjalë për shpjegimin e ndonjë ajeti në çështjet e ligjeve, për të cilat nuk ka kundërshti, e kam lënë fjalën e autorit të pacenuar, edhe nëse është e gjatë si trajtesë, duke synuar që të përfitojmë sa më shumë nga dituria e autorit. Shpeshherë ato trajtesa nuk pranojnë shkurtime, edhe pse shumë të gjata dhe të zgjeruara. Gjithashtu, jam përpjekur të sjell mendimin më të saktë, kur ka disa të tillë, duke u mjaftuar me të e mos duke përmendur mendimet e tjera.
Ndonjëherë kur është e nevojshme, mund të shkruaj disa rreshta në futnotë, duke analizuar, mbështetur ose kontestuar një mendim të caktuar. Kjo ka ndodhur sidomos në çështjet e selefizmit, të cilat duhet të qartësohen, si p.sh ato rreth ajeteve dhe haditheve të cilësive dhe emrave të Allahut, duke i besuar ato ashtu siç janë sjellë dhe tregojnë me kuptimin real të tyre, pa përngjasime, shembëllime dhe pa keqinterpretime (te’uil) dhe pa hedhur poshtë e mohuar asnjë prej tyre, sepse Allahu thotë: “Nuk ka të ngjashëm me Të. Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” (El-Shu’ra: 11) Pastaj tregoj ndonjë çështje problematike në të tilla tema dhe mundohem të shpjegoj e sqaroj në dritën e Librit të Zotit dhe të Sunnetit të Profetit (alejhi selam) , si edhe sipas metodologjisë së selefëve të mirë.
Unë nuk kam futur në Tefsirin e Ibn Kethirit asnjë tefsir tjetër. Gjithçka që kam bërë është thjesht një redaktim e shkurtim i tefsirit të tij, – Allahu e mëshiroftë! Jam përpjekur që të mos fus anjë fjalë nga tefsirë të tjerë, përveç atyre fjalëve që vetë autori i ka sjellë nga tefsirë të tjerë, duke treguar edhe burimin dhe referencën. Gjithashtu, nuk kam futur asnjë fjalë nga vetja pa e treguar përmes dy kllapave, duke vërejtur se kjo është fjala ime, jo e autorit. Por edhe kjo ka ndodhur shumë rrallë. Gjithashtu:
- Kam vendosur numrat e ajeteve, sipas sureve. Kam përmendur edhe ndarjet e lexuesve të Kur’anit, si xhuzet, hizbet e nën pjesë të tyre. Kam përmendur ajetet e sexhdeve. (këto janë shënuar në faqet e Kur’anit arabisht)
- Në çdo sure kam përmendur edhe renditjen e saj sipas radhës së zbritjes, pas kësaj ose asaj sureje. Kam përmendur edhe numrin e ajeteve të kësaj sureje dhe cilat prej tyre janë shpallur në Mekke e cilat në Medinë.
- Kam bërë një përmbledhje të çdo faqeje dhe lëndës kryesore që ajo trajton, duke mbledhur kështu në fund të çdo vëllimi një tabelë lënde të tefsirit të sureve dhe tematikës së shtjelluar në to.
- Në fund të çdo vëllimi kam përmendur hadithet e sjella në këtë punim. Kam përmendur fillimin e hadithit, numrin rendor të tij dhe faqen ku ndodhet në secilin vëllim. Në këtë tabelë të haditheve kam vendosur edhe një hapësirë, ku përmend gjykimin për çdo hadith rreth saktësisë së tij, duke përdorur shenjat e dijetarëve të hadithit. (Pra, “I saktë = S; I saktë te Buhariu e Muslimi = S/B.M”; S/B i saktë te Buhariu; S/M i saktë te Muslimi).
Kjo është mënyra ime në shkurtimin e kësaj vepre dhe e lus Allahun e Lartësuar që t’ia kem qëlluar dhe të kem arritur kënaqësinë e Tij në këtë punë, për të cilën e shpresoj shpërblimin veçse nga Ai. Unë nuk pretendoj se nuk kam gabuar, sepse çdo njeri është gabimtar dhe i mangët. I Lartësuar qoftë Allahu, që nuk gabon dhe nuk harron! Unë pendohem dhe i kërkoj falje Allahut për çdo gabim timin dhe të më mbulojë të metat e mia dhe të më ndihmojë në çdo punë që bëj dhe të më largojë e ruajë nga çdo ligësi!
O Allah! Jepi shpirtit tim devotshmërinë dhe pastroje atë! Ti je më i miri që e pastron atë. Ti je mbrojtës dhe i dashuri i shpirtit tim! O Allah! M’i mbulo gabimet e mia dhe paditurinë time, edhe tejkalimet e teprimet e mia, edhe ato gjynahe që Ti i di më mirë se unë!
O Allah! Më fal mua ato që kam bërë në të shkuarën dhe ato që bëj në të tashmen, ato që i kam bërë fshehtaz dhe ato që i kam bërë haptazi. Ti je Ai që të çon përpara dhe të lë pas dhe Ti ke pushtet për gjithçka. Nuk ka tjetër të adhuruar me meritë veç Teje dhe nuk ka Zot Mbrojtës e Kujdestar tjetër, veç Teje!
O Allah, lavdëroje (tek melekët e lartë) Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç lavdërove Ibrahimin dhe familjen e tij, se vërtet Ti je i Lavdëruari dhe i Madhëruari! O Allah, begatoje Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç begatove Ibrahimin dhe familjen e tij, se vërtet Ti je i Lavdëruari dhe i Madhëruari!
Në fund, të gjitha lavdërimet i qofshin Allahut, Zotit të botëve!
Haleb, në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit të bekuar të vitit 1390 h (1970).
Themeluesi i davetit selefij dhe shërbëtori i saj në Haleb,
Ebu Gazuan Muhamed Nasib El-Rifai.