Ndërtimi i Shtëpisë së Shenjtë dhe ndodhia e gjykimit
Kur Muhamedi (alejhi selam) ishte në moshën 35-vjeçare, ndodhi një furtunë e madhe. Ajo i çau dhe i dëmtoi muret e Qabes. Muret qenë dobësuar edhe më parë për shkak të një djegieje. Kurejshët u detyruan që ta ndërtonin atë rishtaz. Ata vendosën që të përdornin pasuri të pastër në të. Nuk do të hynte në ndërtimin e Qabes asnjë lloj pasurie e grabitur, e fituar nga prostitucioni, e fituar me kamatë ose me padrejtësi.
Ata kishin frikë se mos i kap dënimi i Allahut kur ta shembnin. U çua Velid Ibn Mugira dhe tha: “Allahu nuk i dënon rregulluesit.” Dhe nisi të shkallmojë muret. E ndihmuan edhe të tjerët. U shkallmuan muret dhe arritën te themelet e Ibrahimit. Pastaj filluan ndërtimin. Secilit fis i caktuan pjesën që do të ndërtonte. Vetë kryetarët e fiseve mbartnin gurë. Ndër ta, edhe i Dërguari i Allahut (alejhi selam) dhe xhaxhai i tij, Abbasi.
Ndërtimin e Qabes e mori përsipër një ndërtues romak, që quhej Bakum. Meqënëse pasuria e pastër nuk u mjaftonte për ndërtimin e Qabes mbi themelet e Ibrahimit, lanë pa ndërtuar 6 kute nga veriu. Në kufirin e 6 kuteve ndërtuan një mur të vogël për të treguar se është prej Qabes. Kjo pjesë njihet me emrin “Hixhër” dhe “Hatim”.
Kur ndërtimi arriti në vendin e Gurit të Zi, secili prej kryetarëve donte të ishte vetë i nderuari. Dhe i nderuari do të ishte ai që do të vinte Gurin e Zi në vendin e tij. Ata filluan të grindeshin. Kështu vazhduan 4 ose 5 ditë.
Për pak grindja desh u kthye në një luftë të përgjakshme në Harem, [1] por Ebu Umejje Ibn Mugire el Mahzumiu arriti ta kalonte situatën me urtësi. Ai ishte më i vjetri i Kurejshëve. Ai propozoi që i pari, që do të hynte në derën e xhamisë, të gjykonte. Të gjithë e pranuan dhe ranë në një mendje për këtë.
Qe vendimi i Allahut që, i pari që do të hynte në xhami pas vendimit të Kurejshëve të ishte i Dërguari i Allahut (alejhi selam). Posa e panë atë, kurejshët brohoritën dhe thanë: “Ky është i Besueshmi, ky është Muhamedi, ne jemi të kënaqur me të.”
Kur ai arriti tek ata, i shpjeguan ngjarjen. Atëherë, i Dërguari i Allahut (alejhi selam) mori një velenxë dhe e vuri Gurin e Zi në të. Pastaj urdhëroi secilin prej kryetarëve të kapte një cep të velenxës dhe ta ngrinin atë të gjithë së bashku. Kur e afruan Gurin te vendi ku do të vihej, e mori në dorë i Dërguari i Allahut (alejhi selam) dhe e vendosi në vendin e vet. Kjo qe një zgjidhje e zgjuar dhe e arsyeshme e të gjithë u kënaqën me të.
Gurin e Zi e ngritën nga toka një metër e gjysmë, ndërsa derën e Qabes e ngritën rreth 2 metra nga toka, me qëllim që të mos hynte askush tjetër aty, përveç atij që donin ata. Muret i ngritën tetëmbëdhjetë kute, kurse më parë qenë ngritur sa gjysma e kësaj lartësie. Brenda Qabes bënë gjashtë shtylla në dy rreshta dhe tavanin e vunë në një lartësi prej pesëmbëdhjetë kutesh. Më parë, Qabja ka qenë pa tavan dhe pa shtylla.
Jeta e tij para se të bëhej Profet (alejhi selam)
Që i vogël, Muhamedi (alejhi selam) u rrit me mendje të shëndoshë, i zhvilluar fizikisht dhe i pastër shpirtërisht. Ai u rrit, u burrërua dhe u zhvillua me të gjitha vetitë e mira. Muhamedi (alejhi selam) karakterizohej nga largpamësia, mendimi i drejtë dhe zgjuarsia e rrallë. Ishte shembull i përkryer në moral. Dallohej për çiltëri, për mbajtjen e amanetit, për burrëri, për trimëri, për drejtësi, për urtësi, për ndershmëri, për maturi, për butësi, për durim, për mirënjohje, për turp, për sedër, për përmbushjen e detyrimeve, për thjeshtësi dhe për dashamirësi.
Ai nuk ishte aspak i dhënë pas kënaqësive të kësaj bote; ai kënaqej me atë që kishte. Ai ishte në majën më të lartë të fisnikërisë, të bujarisë, të mirësjelljes dhe të mirëbërjes. Për këtë, xhaxhai i tij, Ebu Talib, ka thënë: “Ai e ka fytyrën të bardhë, ndihmon jetimët dhe mbron të vejat.” Ai ruante lidhjet farefisnore dhe e mbante vetë atë që rëndonte shpatullat e të tjerëve. Ai ndihmonte ata që nuk kishin derisa të mëkëmbeshin; ishte mikpritës; ndihmonte atë që i kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi.
Allahu e kishte përfshirë me ruajtjen dhe kujdesin e Vet. E kishte bërë që t’i urrente ato vese dhe ato gjëra të kota e të këqija që gjallonin në popullin e tij. Prandaj, Muhamedi (alejhi selam) nuk merrte pjesë në festat e paganizmit dhe të shirkut (idhujtarisë). Ai nuk hante kurrë nga ai mish, që therej për idhujt ose për dikë tjetër e nuk therej për Allahun. Ai nuk i duronte dot betimet në Latin dhe Uzzanë [2], e jo më t’i prekte me dorë a t’u afrohej atyre. Ai u qëndronte pijeve alkoolike më larg se të gjithë njerëzit dhe nuk shkonte për të dëgjuar muzikë. Ai nuk ka shkuar asnjëherë në vendet ku kalohej koha me gjëra të kota a në klube, ku mblidheshin të rinjtë e ku takoheshin të dashuruarit në Mekke.
[1] Harem – vendi i shenjtë në Mekke, brenda kufijve të të cilit ndalohen lufta dhe disa gjëra të tjera.
[2] Lati dhe Uzzaja ishin dy idhuj të mëdhenj, që adhuronin arabët.