Në ndodhjen e eklipsit ka urtësi fetare dhe shkak universal:
– Urtësia fetare: frikësimi për njerëzit që të kthehen në fenë e Allahut duke vepruar urdhëresat dhe duke iu shmangur ndalesave të Tij; i Lartësuari thotë: “Ne nuk i dërgojmë shenjat vetëm si frikësim..” (El Isra : 59), po kështu në hadithin e saktë: “Dielli dhe hëna jane dy shenja prej shenjave të Allahut, nuk eklipsohen për vdekjen e dikujt, por Allahu frikëson me to robtë e Tij.” (Buhariu)
– Shkak universal: Ibn Kajjimi ka thënë: “Shkaku i eklipsit të diellit është ndërmjetësimi i hënës mes trupit të diellit dhe shikimit tonë (tokës), ndërsa eklipsi i hënës është ndërmjetësimi i tokës mes hënës dhe diellit, derisa hëna të mos marrë dritë prej diellit.” (Çelësi i shtëpisë së lumturisë)
Çështje rreth namazit të eklipsit
– Namazi i eklipsit është sunnet (traditë profetike) i fortë me ixhman (konsensusin) e dijetarëve.
– Është sunnet të falet me xhemat (grupin e besimtareve), sipas veprimit të të Dërguarit të Allahut
(alejhi selam) që e ka falur me sahabët, por mund të falet dhe vetëm si të gjitha sunetet, i pakufizuar që të falet me xhemat apo në xhami, sikurse ka ardhur në hadith: “Nëse e shikoni këtë faluni!” (Buhariu dhe Muslimi)
– Ky namaz fillon me fillimin e eklipsit e derisa të zhduket. Po kështu nëse astronomët lajmërojnë se do të ketë eklips, namazi fillohet kur të shihet eklipsi. Ndërsa nëse ka re dhe nuk shikohet nuk falet, sepse Profeti (alejhi selam) e ka lidhur këtë namaz me shikimin e eklipsit.
– Atij që i humb ky namaz nuk e fal kaza.
– Ky namaz nuk ka as ezan e as ikamet.
Forma e këtij namazi:
– Imami falet me zë qoftë natë apo ditë, fal dy rekate: në çdo rekat ka dy qëndrime në këmbë, dy ruku e dy sexhde, dhe e zgjat namazin sikurse e ka zgjatur Profeti (alejhi selam). Kjo formë është sipas haditheve të sakta.
- Bën tekbirin fillestar, thotë dua’në e hapjes, bismilahin dhe istiadhen, lexon Fatihanë pastaj lexon nga Kur’ani shumë, pastaj bën ruku të gjatë, pastaj ngrihet duke thënë: “SemiAllahu limen hamideh, Rabbena ue lekel hamd”,
- Lexon përsëri Fatihanë, pastaj lexon shumë por më shkurt se leximi i parë, më pas bën rukunë e dytë të gjatë por më të shkurtër se të parën, e pastaj ngrihet, më pas bën dy sexhde të gjata. Këtu përfundon rekati i parë.
- Më pas ngrihet në rekatin e dytë dhe vepron njësoj si në të parin, por rekati i dytë është më i shkurtër se i pari.
– Nëse eklipsi përfundon e plotëson namazin shkurt, sipas fjalës së tij (alejhi selam): “Faluni dhe luteni Zotin tuaj derisa të largohet.” (Buhariu dhe Muslimi)
– Nëse dikush nuk e arrin rukunë e parë nga rekati i parë, atëherë nuk e ka kapur rekatin, kështu që duhet ta plotësojë namazin me një rekat të plotë.
– Nuk lexohet ndonjë sure e veçantë për namazin e eklipsit.
– Nëse fal dy rekate si të gjitha nafilet mjafton, megjithëse nuk është falur sipas formës më të mirë, sepse qëndrimi i dytë në këmbë dhe rukuja e dytë janë sunnet jo farz (obligim).
– Nëse e përfundon namazin, dhe eklipsi nuk ka përfunduar, nuk e përsërit namazin, por bën dhikër e dua, sepse Proftei (salaAllahu alejhi ue selem) nuk ka shtuar mbi dy rekate.
– Nëse eklipsi ndodh në kohën e namazit farz falet në fillim farzi.
Adhurimet që bëhen me rastin e eklipsit.
Është e pëlqyeshme kur ndodh eklipsi i diellit apo i hënës:
– mbështetja tek Allahu me namaz,
– është sunnet që imami pas namazit të mbajë një hutbe ku i përkujton të pranishmit me Ditën e Gjykimit, Xhennetin e Zjarrin dhe i paralajmëron prej shkaqeve që çojnë në dënimin e Allahut,
– duaja dhe përgjërimi ndaj Allahut të Lartësuar,
– përmendja e Allahut dhe kërkimi i faljes,
– kërkimi i mbrojtjes prej Allahut nga dënimi i varrit,
Kanë ardhur disa transmetime të sakta për këto punë:
– Profeti (alejhi selam) ka thënë për diellin dhe hënën: “Ato të dyja janë shenja të Allahut, nuk eklipsohen për vdekjen a jetën e ndonjërit. Prandaj nëse e shikoni mbështetjuni Allahut me namaz” (Buhariu dhe Muslimi)
– Në një transmetim: “Nëse e shikoni këtë gjë bëjini dua’ Allahut, tekbir, faluni dhe jepni sadaka” (Buhariu dhe Muslimi), e në një transmetim: “Pastaj i urdhëroi të kërkonin mbrojtje prej ndëshkimit të varrit.” (Buhariu)
– Në hadithin e Esmasë: “Profeti (alejhi selam) urdhëroi me lirimin e robërve kur u bë eklipsi i diellit.” (Buhariu)
Eklipsi i diellit është një rast i mirë për ringjalljen e adhurimit të frikës ndaj Allahut të Lartësuar. E lusim Allahun e Lartësuar të na japë sukses për atë që Ai e pëlqen dhe do.