Nuhu u sqaroi njerëzve:
– Se ai nuk ishte prej të humburve, përkundrazi, ata që do ta pasonin atë, do të ishin larg humbjes. Gjithashtu u tregoi se është i Dërguar besnik prej Zotit, mbështetur mbi fakte dhe argumente të qarta nga Zoti i tij.
– Nuhu u tregoi gjithashtu se, besimtarët nuk meritojnë të dëbohen, por përkundrazi, të nderohen e të respektohen.
– Gjithashtu u sqaroi se, nuk pretendonte se kishte ndonjë cilësi hyjnore, prandaj u tha: “Unë nuk ju them se kam thesarin e Allahut apo se e di të padukshmen. As nuk them se jam engjëll e as do t’u them atyre të cilët janë të nënçmuar në sytë tuaj se Allahu nuk do t’u japë kurrfarë të mire.” (Hud: 31)
Ai i ftoi ditën dhe natën, fshehurazi dhe haptazi, e megjithatë thirrja e tij nuk u shtoi veçse largim nga mesazhi i tij. Madje porositën njëri-tjetrin që t’i qëndronin besnikë adhurimit të idhujve dhe të kapen fort pas tyre.
Nuhu tha: “O Zoti im, ata më kundërshtuan mua dhe pasuan ata, të cilëve pasuria e tyre dhe fëmijët e tyre nuk u sollën gjë tjetër veçse shkatërrim. Ata kurdisën një kurth të madh dhe thanë: ‘Mos i braktisni kurrsesi zotat tuaj! Mos e lini kurrsesi Veddin, Suvain, Jeguthin, Jeukën, as Nesrin!’” (Nuh: 21-23)
Nuhu (alejhi selam), kur pa se këshilla dhe përkujtimi i tij nuk po u bënte dobi atyre në asnjë formë dhe se brezi pasardhës ishte më i keq se ai i mëparshmi: “Dhe Nuhu tha: ‘O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë femohues, sepse, nëse Ti i lë, ata do t’i shpien në humbje robërit e Tu dhe do të lindin vetëm kriminelë dhe jobesimtarë!’” (Nuh: 26-27)
Allahu iu përgjigj lutjes së tij. E urdhëroi të ndërtonte një anije nën mbikëqyrjen dhe udhëzimet e vet Allahut. Ai (Allahu) ia mësoi ndërtimin e anijes dhe kjo ishte një nga mirësitë që Allahu u dhuroi njerëzve. Merita e ndërtimit të anijes i takoi Nuhut. Me këtë ai arriti përfitime të panumërta jetësore dhe fetare për çdo kohë. Allahu e njoftoi, se do ta përmbyste popullin e Nuhut dhe nuk duhej t’i kërkonte për ta asgjë, sepse ishin popull zullumqarë. Kur Nuhu kishte filluar ndërtimin e anijes, sa herë që kalonte pranë tij ndonjë grup njerëzish nga populli i tij, talleshin me të.
Ai u thoshte: “Nëse sot ju talleni me ne, ta dini se edhe ne do të tallemi me ju atëherë kur shkatërrimi të bjerë mbi ju.” Allahu i shpalli Nuhut (alejhi selam): “Kur të vijë ai momenti kur uji të gufojë nga sipërfaqja e tokës. Pra, kur e gjithë toka të gufojë në burime, deri dhe nga zonat e largëta, merr nga një çift nga të gjitha llojet e kafshëve, mashkull dhe femër”, me qëllim që të mbetet raca e tyre, pasi ishte e pamundur t’i merrte të gjitha kafshët. Ishte urtësia e Allahut që të vazhdonte jetëgjatësia e këtyre kafshëve të krijuara në dobi dhe në shërbim të njeriut.
Gjithashtu, Allahu e urdhëroi (Nuhun) që të merrte me vete të gjithë ata burra e gra që e kishin besuar. Çështja ishte se atij nuk i besuan veçse pak njerëz! Allahu e urdhëroi që të merrte familjen e tij, me përjashtim të atyre, ndaj të cilëve ishte dhënë vendimi i Zotit për shkatërrim. Kur i mbarti në anije të gjithë ata për të cilët ishte urdhëruar, u tha: “Përmendeni emrin e Allahut, sa herë që ajo (anija) lundron apo ndalet.” Sepse shkaqet, sado të mëdha të jenë, ato vijnë nga mëshira dhe butësia e Allahut dhe nuk përmbushen veçse me ndihmën e Allahut.
Kur erdhi momenti i caktuar, Allahu e bëri tokën të gufojë nga burimet, e urdhëroi qiellin të lëshojë shi të bollshëm dhe të furishëm dhe kështu shiu i rënë nga qielli u bashkua me ujin e tokës dhe vërshoi në zonat e ulëta. Kështu niveli rritej e rritej duke mbuluar të gjitha lartësitë, derisa filluan të mbuloheshin edhe majat e maleve më të larta, ndërsa anija lundronte bashkë me ta në dallgë si të ishin kodra, që e godisnin në të djathtë dhe në të majtë.
Në këto momente të llahtarshme, Nuhu pa djalin e tij mohues, i cili kishte zgjedhur të qëndrojë në fenë e popullit të tij dhe ishte distancuar nga feja e babait të vet. Madje, edhe në këto çaste mendoi të vepronte si shumë të tjerë nga populli i tij, të largoheshin e të merrnin arratinë nga uji i rrëmbyeshëm.
Me keqardhje Nuhu e thirri dhe i tha: “O biri im, hip me ne e mos u bëj me mohuesit!” (Hud: 42) Ndërsa i biri u bë peng i vetmashtrimit, madje edhe në ato momente kur zemrat ishin gati të copëtoheshin nga frika e ndëshkimit – përveç zemrave të mbushura me besim: “(I biri) tha: ‘Unë do të strehohem në një mal i cili do të më ruajë nga uji.’” (Hud: 43)
Menduan se uji nuk do të arrinte deri mbi majat e maleve. Por Nuhu i tha: “Sot nuk ka strehim nga dënimi i Allahut, përveç atij që Ai e mëshiron!” (Hud: 43) As malet, as kështjellat, asgjë tjetër nuk të mbron (nga dënimi) përpos atij që e mëshiron Allahu. Mëshira e Tij në ato momente ishte vetëm për ata që hipën në anije bashkë me Nuhun (alejhis selam). “Një valë në mes tyre i ndau.” (Hud: 43) Dhe djali i tij përfundoi me ata që u përmbytën.