Allahu i përmbyti të gjithë mohuesit dhe e shpëtoi Nuhun bashkë me të gjithë besimtarët e tjerë. Kjo ngjarje ishte argument se ajo me të cilën u dërgua Nuhu dhe e cila konsistone në: teuhidin, shpalljen, ringjalljen dhe fenë në tërësi, e gjithë kjo ishte hak (e vërtetë) dhe se ata që e kundërshtuan, ishin në të kotën. Ishte një argument se shpërblimi në këtë botë u takon besimtarëve të cilët meritojnë shpëtim dhe nderim. E përsa u përket mohuesve, ata meritojnë shkatërrim dhe nënçmim.
Kur u arrit qëllimi madhor, Allahu e urdhëroi qiellin që të ndalë shiun dhe tokën që të përpinte ujin sipër saj. Uji filloi të pakësohej pak nga pak dhe ajo (anija) qëndroi – pasi uji filloi të tërhiqej – mbi Xhudij, i cili është një mal i lartë që thuhet se bie në zonat e Mosulit (në Irakun e sotëm). Ky është një fakt, se të gjithë malet janë përmbytur nga uji dhe i ka mbuluar tufani apo uragani.
Nuhu u pikëllua për djalin e tij dhe iu lut Zotit me keqardhje dhe përgjërim: “O Zoti im, biri im është nga familja ime dhe premtimi Yt është i vërtetë.” (Hud: 45) Më lejo ta marr familjen time, sepse Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve. Zoti i tha: “O Nuh, ai nuk është nga familja jote.” (Hud: 46) Pra nga ata që u është premtuar shpëtimi, sepse Allahu pat thënë: “Përveç atyre ndaj të cilëve është marrë vendimi (se do të përmbyten)” (Hud: 40)
“Vërtetë kjo është punë e keqe.” (Hud: 46) Pra, nuk është punë e mirë, lutja që bëre për djalin tënd për shpëtim, ndërkohë që ai nuk të pasoi ty, por qëndroi në fenë e popullit të tij. “Mos më kërko gjëra për të cilat ti nuk ke dije. Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit”. (Hud: 46)
Ky ishte një qortim për Nuhun (alejhi selam), mësim dhe këshillë që të mos bënte një lutje të tillë, edhe pse realisht dihet se keqardhja prindërore ishte ajo që e shtyu të lutej për të birin. Gjatë lutjes elementi kryesor duhet të jetë dija, sinqeriteti dhe kërkimi i kënaqësisë së Allahut të Lartësuar.
Nuhu tha: “O Zoti im, kërkoj mbrojtje prej Teje nga kërkimi i asaj për të cilën nuk kam dije. Nëse Ti nuk më fal dhe nuk më mëshiron, unë do të jem nga të humburit. -Atëherë iu tha: ‘O Nuh, zbrit me përshëndetje prej Nesh dhe me bekime për ty dhe pasardhësit e atyre që gjenden me ty. Disa popujve (pas teje), Ne do t’u japim kënaqësi e pastaj do t’i godasë nga Ne dënimi i dhembshëm! (për shkak të mosbesimit të tyre)” (Hud: 47-48)
Atëherë Nuhu zbriti nga anija dhe Allahu e begatoi te pasardhësit e tij, duke i dhënë mundësinë që ta nisnin jetën nga e para. Djemtë e tij quheshin: Jafith, pasardhësit e të cilit u shpërndanë në Lindje. Hami, pasardhësit e të cilit u shpërndanë në Perëndim dhe Sami, pasardhësit e të cilit u shpërndanë mes Lindjes dhe Perëndimit.
Nuhu, qëndroi tek populli i tij plot 950 vjet, duke i ftuar njerëzit të adhuronin Allahun. Pas përmbytjes katastrofike që shkaktoi uragani, ai jetoi aq sa deshi Allahu. Ai ishte nga profetët më të zgjedhur dhe njëri prej 5 Pejgamberëve, të cilët do të kenë të drejtën e ndërmjetësimit Ditën e Gjykimit. Ai ishte i pari pejgamber që u dërgua tek njerëzit dhe babai i dytë i njerëzimit (Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të!).