Mësime të dobishme nga historia e Nuhut (alejhi selam):
1– Të gjithë pejgamberët, që nga Nuhu e deri tek Muhamedi (alejhimu selam) kishin si detyrë parësore të tyren, thirrjen (e njerëzve) në monoteizmin e pastër (në një Zot të vetëm) dhe ndalimin e tyre nga shirku (idhujtaria). Nuhu (alejhi selam) dhe pejgamberë të tjerë, të parën fjalë që u thonin njerëzve ishte: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni të adhuruar tjetër përveç Tij!” (A’raf: 59) Këtë parim e përsërisnin (kohë pas kohe) në forma dhe mënyra të ndryshme.
2– Mësojmë etikën e thirrjes (Dawetit) dhe përsosmërinë e saj. Nuhu (alejhi selam) e ftoi popullin e tij ditën dhe natën, haptazi dhe fshehurazi, në çdo kohë e në çdo situatë, të cilën e konsideronte si të përshtatshme për Dawet. Ai i përgëzonte njerëzit me shpërblimin e shpejtë në këtë botë për çdo vepër të mirë që do të bënin; me shpëtimin nga dënimi dhe përjetimin e kënaqësisë në pasuri dhe fëmijë, si dhe shtimin e rrizkut, nëse do të besonin në shpërblimin e amshueshëm (të botës tjetër).
Në të njëjtën kohë i paralajmëronte për të kundërtën e atyre gjërave që i nxiste për t’i vepruar. Nuhu (alejhi selam) duroi shumë në këtë rrugë, ashtu sikurse kanë duruar dhe pejgamberët e tjerë. Ai i ftoi me fjalë të buta, me dhembshuri e me çdo mënyrë tjetër, e cila tërhiqte zemrat e njerëzve e që mundësonte arritjen e qëllimit. Ai ua përshfaqi argumentet hyjnore dhe ua sqaroi faktet.
3– Dyshimet që hodhën armiqtë e profetëve ndaj shpalljeve të Allahut, ishin në vetvete fakte që i shuanin dhe i hidhnin poshtë shpifjet e përgënjeshtruesve. Kjo sepse dyshimet e tyre, ishin të pabaza dhe të pavërteta, e nuk mund të besoheshin nga njerëz me logjikë të shëndoshë. Kur populli i Nuhut tha: “Ne shohim se ti je thjesht njeri si ne dhe, shohim, që ty të shkojnë pas vetëm më të pavlerët nga ne, pa menduar fare. Ne nuk shohim se ti ke diçka më të mirë se ne, madje ju quajmë gënjeshtarë”. (Hud: 27)
Qëllimi i termit dyshim është: Ajo që nxit luhatje dhe dyshime në sinqeritetin e thirrësit dhe vërtetësisë së mesazhit që ai mban. E gjithë kjo për të penguar të vërtetën, mundësinë e pranimit të saj ose për ta vonuar këtë pranim. Në shumicën e rasteve paria e çdo populli është ajo që hedh dyshimet dhe i zbukurojnë për njerëzit duke i përhapur në mesin e tyre.
I përsërisin që ti dëgjojnë njerëzit e thjeshtë dhe të bëhen pjesë e pandarë e shpirtrave të tyre. Kështu ata i besojnë dhe i marrin si fakte të pa mohueshme dhe kjo i shtyn më tej që tu dalin për zot dhe të armiqësojnë të vërtetën dhe ndjekësit e saj. Ndërsa paria qesh dhe tallet me ta sepse ia aritën qëllimit që deshën.
4– Prej vlerave të pejgamberëve dhe prej fakteve që vërtetojnë profetësinë e tyre, është sinqeriteti i plotë që kishin ndaj Allahut të Lartësuar, përulja ndaj Tij dhe shërbimi që ofruan në dobi të krijesave, siç ishte thirrja, përcjellja e dijes tek ta, etj. Profetët, gjithmonë e kanë thënë haptazi, duke ia përsëritur herë pas here popujve të tyre fjalët: “O populli im! Unë për këtë nuk kërkoj nga ju kurrfarë pasurie. Mua më shpërblen vetëm Allahu.” (Hud: 29)
Prandaj, prej vlerave më madhore që përfitojnë pasuesit e profetëve, është se ata do ta arrijnë të njëjtën mirësi që patën vetë profetët. Kështu, Allahu prej mirësive të Tij, lartëson dikë në këtë botë dhe në botën tjetër, më tepër se ç’garojnë njerëzit e dunjasë pas dunjasë së tyre.
5– Të flasësh për qëllimet e besimtarëve dhe për mirësitë që Allahu u ka dhënë dhe të flasësh i bindur në emër të Zotit se Ai nuk do u japë mirësi, kjo nuk është asgjë tjetër përveçse shpifje e trashëguar nga armiqtë e profetëve. Për këtë arsye, në momentin kur populli i Nuhut filloi të fliste me kopetenca në emër të Zotit dhe filluan t’i përçmonin besimtarët, ai u tha: “As nuk them se unë jam engjëll e as do t’u them atyre, të cilët sytë tuaj i nënçmojnë, se Allahu nuk do t’u japë kurrfarë të mire. Allahu e di më mirë se ç’ka në shpirtrat e tyre.” (Hud: 31)
6– Njeriu gjithmonë duhet të kërkojë ndihmën e Allahut, të përmendë emrin e Tij sa herë që hipën apo zbret nga diçka, madje në çdo gjendje dhe lëvizje të falënderojë Allahun; të shtojë përmendjen e Tij, sidomos në rastet e shpëtimit nga fatkeqësitë dhe vështirësitë. Allahu i Lartësuar thotë: “Hipni në anije! Me emrin e Allahut ajo lundron dhe ndalet! Me të vërtetë, Zoti im është Falës dhe Mëshirëplotë”. (Hud: 41)
Gjithashtu ka thënë: “Kur të hipësh në barkë ti dhe ata që janë me ty, thuaj: ‘Qoftë lavdëruar Allahu, i Cili na shpëtoi prej popullit keqbërës!’” (Muminun: 28) Ashtu sikurse duhet të bëjë dua’ (lutje) për begati aty ku qëndron kalimthi, siç janë vendpushimet në vendet e udhëtimit, apo siç janë dhe shtëpitë e përhershme të banimit. Këtë e themi duke u bazuar në fjalën e Allahut që thotë: “Dhe thuaj: ‘Zoti im, më zbarko në vend të bekuar, se Ti je më i miri për të na zbarkuar.’” (Muminun: 29)
E gjithë kjo, nxit në përmendjen e Allahut dhe të jep forcë në lëvizje dhe qëndrime, si dhe tregon forcën e besimit që ke në Zot. Përmendja e Allahut gjithashtu ndikon në zbritjen e begatisë, e cila është shoqëruesja më e mirë për njeriun, në çdo gjendje të tij, e pa të cilën ai nuk bën dot, qoftë dhe për një moment.
7– Devotshmëria ndaj Allahut dhe kryerja e detyrimeve të besimit janë prej shkaqeve, me të cilat fiton këtë botë; fiton gjithashtu pasardhës të shumtë, rrizk dhe forcë trupore, pa anashkaluar dhe shumë shkaqe të tjera që mundësojnë dhe ndikojnë në arritjen e atyre që u përmendën më lart. Por duhet ditur se devotshmëria është e vetmja dhe s’ka tjetër përveç saj, me të cilën mund të arrihet mirësia e Ahiretit dhe shpëtimi nga dënimi i tij.
8– Shpëtimi nga dënimet e përgjithshme të kësaj bote, është vetëm për besimtarët, pejgamberët dhe pasuesit e tyre. Ndërsa ndëshkimet e përgjithshme iu përkasin vetëm keqbërësve, pasardhësve të tyre dhe kafshëve të tyre, edhe pse këto të fundit nuk kanë mëkate, pasi rastet dhe ndodhitë ku Allahu ka lëshuar dënimin e Tij mbi përgënjeshtruesit, i ka përfshirë edhe fëmijët dhe kafshët e tyre.
Ajo që përmendet në disa israilijate (shkrime) mbi popullin e Nuhut apo të tjerë, është se kur Allahu deshi t’i shkatërronte, bëri që gratë e tyre të mos lindnin, me qëllim që të mos përfshiheshin në dënim edhe fëmijët e tyre. Këto fjalë nuk kanë asnjë bazë dhe argument, madje bien ndesh me fjalët e Allahut ku thotë: “Ruajuni ngatërresave, të cilat nuk i godasin vetëm ata që bëjnë keq; dhe ta dini se Allahu dënon ashpër!” (Enfal: 25)