Të gjithë jeni në dijeni se Allahu i Lartësuar e ka zgjedhur Muhamedin (salAllahu alejhi we selem) me profetësinë e Tij, si dhe e ka dalluar me Zbulesën. I zbriti librin – Kur’anin Fisnik – dhe, një ndër urdhëresat ishte që t’ua sqaronte atë njerëzve, siç lexojmë në këtë varg: “Ty ta zbritëm Kuranin që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre.” (En-Nahl: 44)
Ajo që mendoj është se sqarimi i përmendur në këtë varg fisnik ndahet në dy lloje:
– I pari: Komunikimi i fjalëve dhe i fjalive të tij (Kur’anit) në mënyrë të saktë dhe të qartë, duke mos fshehur asgjë nga ai, por përcjellja e tij te umeti ashtu siç e ka zbritur Allahu i Lartësuar në zemrën e Muhamedit (salAllahu alejhi we selem). Ky është qëllimi i vargut: “O ti i Dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd.” (El-Mâide: 67)
Në lidhje me këtë, Aishja (radijAllahu anha) ka thënë: “Ai i cili u thotë se Pejgamberi (salAllahu alejhi we selem) ka fshehur diçka për të cilën ka qenë i urdhëruar që ta komunikojë, dijeni se ka bërë një shpifje të madhe ndaj Allahut.”, dhe më pas citoi vargun që përmendëm më lart. (Buhariu dhe Muslimi.)
Në përcjelljen e Imam Muslimit thuhet: “Nëse i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi we selem) do të fshihte diçka nga ajo që është urdhëruar të kumtojë, do të fshihte fjalën e Allahut të Lartësuar: “(Përkujto) Kur i the atij që Allahu e kishte shpërblyer (me besim) e edhe ti i pate bërë mirë: ‘Mbaje bashkëshorten tënde dhe ki frikë nga Allahu!’ Ti e mbaje fshehtë në vete atë që Allahu do ta zbulonte dhe u frikësoheshe njerëzve, por më e drejtë është që t’i frikësohesh Allahut.” (El-Ahzâb: 37)
– I dyti: Sqarimi i kuptimit të fjalëve dhe fjalive, ose sqarimi i ndonjë vargu kuranor që umeti ka nevojë për sqarimin e tij. Më së shumti kjo ndodh në rastin e atyre vargjeve që janë të përgjithshme apo të pa specifikuara, dhe këto sqarohen dhe specifikohen nëpërmjet fjalës, veprës apo miratimit të tij (salAllahu alejhi we selem).