Surja El Fatiha – Mekase, 7 Ajete
1. Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit.
2. Të gjitha lavdërimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve.
3. Të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit.
4. Sunduesit të Ditës së Gjykimit.
5. Vetëm ty të adhurojmë dhe vetëm tek Ti ndihmë kërkojmë.
6. Na udhëzo në Rrugën e Drejtë!
7. Në rrugën e atyre të cilët Ti i begatove, e jo në rrugën e atyre që merituan zemërimin (Tënd) dhe as në rrugën e të humburve.
Shpjegimi i ajeteve
Bismil-lahi – “Me emrin e Allahut…” – Domethënë, filloj (leximin e Kur’an-it) me përmendjen dhe kujtimin e të gjithë emrave të Allahut (duke shpresuar begatitë dhe mirësitë e shumta që të sjell ky kujtim). Themi: “të gjithë emrat e Allahut”, sepse fjala “emër” (ism), edhe pse është në numrin njëjës, duke qenë se bën pjesë në kategorinë gramatikore “pronë-pronar”, sipas rregullave gjuhësore të arabishtes, ajo i përfshin të gjithë emrat e Allahut. Pra, grupi emëror: “Me emrin e Allahut”, në arabisht do të thotë: “Me të gjithë emrat e Allahut.”
Allah – “Allah” – Allahu është i Adhuruari. Ai është i Vetmi që meriton të veçohet duke e adhuruar. Ai është unik në meritën e adhurimit, për shkak të cilësive hyjnore me të cilat Ai përshkruhet, cilësi këto që tregojnë se Ai është Absolut dhe Madhështor në çdo aspekt.
Err-Rrahmanir-Rrahim – “Të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit” – Këta janë dy emra që tregojnë se Allahu i Lartësuar është zotërues i mëshirës së gjerë, të madhe, e cila ka përfshirë çdo krijesë. Në fakt, mëshira, në formën e saj të plotë, është bërë vetëm për të devotshmit dhe pasuesit e denjë të të dërguarve dhe profetëve të Tij; vetëm këta do t’i përfshijë mëshira e Tij absolute, kurse të tjerët do të shijojnë veçse një pjesë të saj. Mësoje se ndër rregullat themelore, me pajtueshmëri mes dijetarëve të parë (selefët) dhe imamëve të drejtë, është: Besimi i drejtë në fushën e emrave dhe cilësive të Allahut të Lartësuar, si dhe të dispozitave që lidhen me ata.
Kështu, në rastin tonë, ne duhet të besojmë që Allahu i Lartësuar është i Gjithmëshirshëm dhe Mëshirëplotë (Er-Rahmanu Er-Rahim), duhet të besojmë se Ai është zotërues i kësaj mëshire, me të cilën është emërtuar dhe cilësuar (pra, nuk janë emra pa kuptim), dhe që kjo mëshirë lë gjurmë dhe është ndikuese tek të tjerët. Të gjitha mirësitë, pa përjashtim, janë rezultate të mëshirës së Tij. Në këtë mënyrë besohet, pra, për të gjithë emrat dhe cilësitë e Allahut të Madhëruar.
Kështu, për shembull, të njëjtën gjë themi për emrin Alim (i Ditur):
1. Ai është i Dituri absolut;
2. Ai zotëron dije absolute (pra, nuk është thjesht një emër pa domethënie).
3. Ai di gjithçka, për çdo gjë.
Ose për emrin Kadir (i Plotfuqishëm), themi:
1. Ai është i Plotfuqishmi.
2. Ai zotëron pushtetin për të bërë gjithçka.
3. Me këtë pushtet, Ai ndikon dhe arrin gjithçka që dëshiron.
– Elhamdulilahi – “Të gjitha lavdërimet i takojnë vetëm Allahut” – El hamdu është lavdërimi që i takon Allahut të Lartësuar, për shkak të cilësive absolute dhe veprave të Tij të mrekullueshme, të cilat karakterizohen dhe e kanë pikënisjen nga drejtësia dhe bamirësia e Tij. Pra, vetëm Atij i takon lavdia e plotë, në të gjitha këndvështrimet.
– Rabbil alemin – “Zotit të botëve” – Domethënë, Ai është Kujdestari (Er-Rabb), që kujdeset për të gjitha botët (alemine), fillimisht duke i krijuar vetë ato, pastaj duke u krijuar atyre të gjitha kushtet e nevojshme për ekzistencën e tyre. Ai përkujdeset duke i furnizuar ato me mirësi të mëdha, të cilat, nëse nuk do të ishin, këto botë nuk do të mund të ekzistonin fillimisht, apo të vazhdonin ekzistencën (pas krijimit). Nuk ka asnjë mirësi që burimin të mos e ketë prej Allahut. Përkujdesja e Allahut të Lavdëruar për krijesat e Tij është dy llojesh:
- Përkujdesje e përgjithshme.
- Përkujdesje e posaçme.
Përkujdesja e përgjithshme konsiston në krijimin e qenieve dhe të furnizimit të tyre, si edhe në udhëzimin e tyre tek ato gjëra të dobishme, nëpërmjet të cilave rregullohet vazhdimësia e tyre në këtë jetë. Ndërsa përkujdesja e posaçme e Allahut, sikurse e ka edhe emrin, është specifike vetëm për të zgjedhurit dhe për të dashurit e Tij. Ai përkujdeset që t’i edukojë dhe t’i brumosë ata me iman (besim), u jep sukses që ta arrijnë imanin dhe gjithmonë synon që t’ua përsosë atë. Allahu përkujdeset, gjithashtu, që ngaherë të mbajë larg çdo gjë që qëndron si pengesë mes këtyre njerëzve dhe imanit. Me fjalë të tjera, kjo është përkujdesja që synon suksesin në arritjen e çdo të mire dhe në largimin nga çdo e keqe.
Ndoshta është pikërisht kjo arsyeja e fshehtë, që shumica e lutjeve të profetëve drejtuar Allahut të Lartësuar, është bërë duke përmendur emrin e Tij Rabb, sepse të gjitha kërkesat e tyre kanë të bëjnë me përkujdesjen e Tij të posaçme. Nga sa u tha më sipër, kuptohet që fjala e Allahut “Rabbil alemîne” (Zoti i botëve), vërteton faktin që Allahu i Lartësuar është Unik e Absolut në aspektin e krijimit, administrimit dhe bamirësisë ndaj krijesave të Tij. Ai është Unik e Absolut në panevojshmërinë e Tij ndaj të tjerëve, ndërkohë që të tjerët janë pafundësisht të varfër dhe nevojtarë për mëshirën e Tij, në çdo aspekt e këndvështrim.
– Maliki jeumid-din – “Sunduesit…” – Allahu quhet El Malik (Sundues, Mbret), sepse Ai mbretëron. Kjo cilësi i jep të drejtën Atij për të urdhëruar dhe për të ndaluar, për të shpërblyer dhe për të ndëshkuar, për të vepruar mbi të nënshtruarit, mbi mbretërinë dhe pasurinë e Tij, në të gjitha aspektet dhe përmasat që i lejon mbretërimi dhe pushteti i Tij absolut.
– “Sunduesit të Ditës së Gjykimit” – Me këto fjalë, Allahu i Madhëruar tregon pushtetin, sundimin dhe mbretërimin e Tij në Ditën e Gjykimit, e cila është edhe Dita e Kijametit. Kjo është Dita kur njerëzit do të shpërblehen sipas veprave që do të paraqesin, të mira apo të këqija qofshin. Ai e përmend pushtetin e Tij në Ditën e Gjykimit, sepse atë ditë, pushteti, mbretërimi dhe sundimi i Allahut do t’u shfaqet krijesave i kthjellët dhe i pastër. Atë ditë, ato do ta shohin të plotë dhe të kthjellët mbretërimin, por edhe drejtësinë e urtësinë e Krijuesit. Atë ditë do të zhduket çdo lloj pushteti e mbretërimi nga duart e krijesave, dhe i gjithë pushteti do të jetë në dorë të Krijuesit, ndonëse kështu ka qenë gjithmonë. Ai ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë Sunduesi dhe Mbretëruesi i Ditës së Gjykimit dhe i të gjitha ditëve të tjera. Atë ditë, përpara Tij do të jenë të barabartë mbretërit dhe ata poshtë tyre, skllevërit dhe të lirët. Të gjithë do të jenë të përulur e të nënshtruar ndaj madhështisë së Tij, syulur para Krenarisë së Tij. Të gjithë do të jenë në pritje të gjykimit të Allahut, duke shpresuar shpërblimin e Tij dhe të frikësuar, njëkohësisht, nga ndëshkimi i Tij.
– “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm tek Ti ndihmë kërkojmë” – Pra: T’i kushtojmë vetëm Ty adhurimet tona dhe të drejtohemi vetëm Ty për ndihmë, mbështetje dhe mbrojtje. Kjo kuptohet kështu, sepse në fjalinë “Ty të adhurojmë dhe tek Ti ndihmë kërkojmë”, përemrat ‘Ty’ dhe ‘Ti’ janë vendosur përpara foljes (kallëzuesit), mënyrë e cila e vë theksin tek përemri, duke i dhënë fjalisë këtë kuptim: “Ty të adhurojmë” = “Vetëm Ty të adhurojmë” “Tek ti ndihmë kërkojmë” = “Vetëm tek Ti e kërkojmë ndihmën dhe mbështetjen”.
Pra, vetëm Ty (o Allah) të adhurojmë, dhe asnjë tjetër veç Teje, dhe mbështetjen e ndihmën e kërkojmë veç tek Ti, e tek askush tjetër. Në këtë ajet, adhurimi renditet përpara mbështetjes dhe kërkimit të ndihmës, edhe pse mbështetja dhe kërkimi i ndihmës janë adhurime në vetvete. Domethënë, është përmendur përfshirësi i të gjitha adhurimeve, përpara atyre që janë më vete adhurime të veçanta. Kjo është bërë për t’i dhënë përparësi të drejtës së Allahut (adhurimit), kundrejt të drejtës së robit (mbështetjes dhe kërkimit të ndihmës nga Allahu i Madhëruar dhe Bujar).
Ibadeh (adhurim, ibadet) është një term përfshirës i të gjitha atyre veprave dhe fjalëve të dukshme apo të padukshme, të cilat Allahu i do dhe është i kënaqur me to. Ndërsa Istianeja (mbështetja ose kërkimi i ndihmës) nënkupton kërkimin e ndihmës prej Allahut, për të arritur një të mirë dhe për t’u ruajtur nga një e keqe, duke qenë plotësisht i bindur dhe i qetë që kjo ndihmë do të të jepet. Adhurimi kushtuar Allahut dhe kërkimi i ndihmës prej Tij janë dy kushtet që sigurojnë lumturinë e përjetshme dhe sigurinë nga çdo e keqe. Nuk ka asnjë mundësi shpëtimi pa plotësuar këto dy kushte. Asgjë nuk mund të quhet ibadet, nëse nuk plotëson dy kushte:
- Të synohet me të kënaqësia e Allahut.
- Të jetë e argumentuar nga Tradita e Pejgamberit (alejhi selam).
Në renditjen e istiane-s pra kërkimit të ndihmës pas ibadetit, qëndron një e fshehtë tjetër: adhuruesi, në adhurimet e tij, gjithmonë ka nevojë për ndihmën e Atij të cilin e adhuron, sepse nëse Allahu nuk e ndihmon, robi nuk do të ketë kurrë mundësi të vazhdojë adhurimin e Allahut, duke zbatuar urdhrat dhe duke iu larguar ndalesave.
– Ihdinas-siratal mustekim – “Na udhëzo në Rrugën e Drejtë” – Domethënë: Na i trego, na udhëzo dhe na jep sukses, për të vazhduar në Rrugën e Drejtë, në rrugën e qartë, që të çon tek Allahu i Lartësuar dhe te Xhennetet e Tij. Në këtë mënyrë, ne kërkojmë udhëzimin dhe suksesin prej Allahut të Madhëruar për dy gjëra: së pari, për njohjen e së vërtetës dhe, së dyti, për të punuar sipas kësaj të vërtete. Ne kërkojmë prej Allahut udhëzimin në Rrugën e Drejtë dhe vijimin në këtë rrugë. Me fjalë të tjera, kërkesa bëhet fillimisht për të hyrë në Rrugën e Drejtë, dhe pastaj për të qenë i vazhdueshëm e i qëndrueshëm në këtë rrugë.
Udhëzimi për të hyrë në Rrugën e Drejtë, është udhëzimi për të kuptuar dhe pranuar Islamin, dhe për të braktisur çdo fe tjetër. Ndërsa vijimi në këtë rrugë nënkupton suksesin për të njohur imtësitë e kësaj feje, si edhe veprimin sipas dispozitave të saj. Kjo lutje është një ndër më gjithëpërfshirëset dhe më të dobishmet për robin, prandaj, për shkak edhe të nevojës së tij të madhe në këtë aspekt, u bë e detyrueshme që ai të lutet me fjalët e saj në çdo rekat namazi që e fal për Allahun. Kjo Rrugë e Drejtë tregohet më poshtë:
– “Në rrugën e atyre të cilët i begatove” – Kjo është pikërisht rruga e profetëve, e të sinqertëve (sidikin), dëshmorëve dhe e të mirëve (salihine).
– “Jo në rrugën e atyre që merituan zemërimin” – Pra, Rruga e Drejtë nuk është ajo që ndoqën të mallkuarit dhe ata që merituan zemërimin e Allahut, të cilët e njohën të vërtetën dhe më pas e braktisën atë e nuk punuan sipas saj. Ata që vepruan kështu ishin çifutët dhe të ngjashmit e tyre.
– “…dhe as në rrugën e të humburve” – Rruga e Drejtë nuk është as ajo që ndoqën të humburit, ata të cilët e braktisën dhe e shpërfillën të vërtetën nga padituria dhe përhumbja e tyre, siç ishin të krishterët dhe të ngjashmit e tyre.
Disa dobi nga kjo sure:
Kjo sure, edhe pse e shkurtër, ka përmbledhur mes rreshtave të saj atë që asnjë sure në Kur’an nuk e ka në këtë mënyrë. Ajo ka përmendur dhe sqaruar të trija llojet e teuhidit, që janë:
- Teuhidi rububije (ose njësimin e Zotit në veprat e posaçme të Tij, për sa u përket çështjeve të krijimit, sundimit dhe përkujdesjes së Tij ndaj krijesave), të cilin e kuptojmë nga fjala e Allahut të Madhëruar: “Zoti i botëve” (Rabil alemin).
- Teuhidi uluhije, ose njësimi i Zotit i shprehur në adhurimet që kryejnë krijesat. Kjo kuptohet në ajet nga fjala Allah, që në kuptimin e saj gjuhësor do të thotë “i Adhuruar”, si edhe nga pjesa: “Vetëm Ty të adhurojmë”.
- Teuhidi esmau ue sifat, ose njëshmëria e Allahut në meritimin e emrave dhe atributeve të Tij absolute. Me fjalë të tjera, ky lloj teuhidi konsiston në pohimin apo pranimin e faktit që Allahu i Lartësuar është i emërtuar me emrat më të bukur dhe është i cilësuar me atributet më absolute, të cilat Ai i ka pohuar për Vetveten dhe të cilat i ka deklaruar për Të Pejgamberi (alejhi selam) i Tij. Ky pohim bëhet ashtu siç është, larg çdo keqinterpretimi dhe pa u përpjekur të mohohet ndonjë prej këtyre emrave apo cilësive të Tij. Më qartë, ai bëhet duke u larguar nga mohimi i plotë i cilësive (teatil), ose nga krahasimi i tyre me cilësitë e krijesave (temthil), ose nga përngjasimi, përafrimi apo shëmbëllimi me diçka tjetër (teshbih). Për këtë, sikurse dhe u përmend, tregon fjala ‘hamd’ dhe kuptimet e saj.
Gjithashtu, kjo sure dëshmon për vërtetësinë e institucionit të profetësisë, gjë të cilën e kuptojmë nga pjesa: “Na udhëzo në Rrugën e Drejtë”, sepse udhëzimi në Rrugën e Drejtë nuk mund të arrihet pa ekzistencën e profetëve, pa të zgjedhurit e Zotit dhe pa shpalljet hyjnore. Kjo sure flet edhe për shpërblimin e llogarinë që i pret krijesat për veprat që kanë kryer. Ky kuptim merret nga fjala e Allahut të Madhëruar: “Maliki jeumiddin” (Sunduesit të Ditës së Gjykimit). Kjo llogari e asaj dite do të jetë me drejtësi, sepse fjala ‘din’ do të thotë ‘shpërblim me drejtësi’.
Surja tregon bindshëm besimin e drejtë në fushën e përcaktimit të Allahut, duke pohuar faktin që robi është i lirë të veprojë, ndryshe nga çka thonë grupet e humbura, të ashtuquajtura Xhebrie apo Kaderie, të cilët ose e zhveshin robin nga çdo lloj përgjegjësie dhe mundësie veprimi, ose i japin atij pavarësi, mundësi dhe fushë veprimi absolute, të pavarur prej dëshirës dhe vullnetit suprem të Allahut të Madhëruar. Në këtë sure kundërshtohen të gjitha grupet e humbura, gjë që shfaqet në pjesën: “Na udhëzo në Rrugën e Drejtë”.
Rruga e drejtë nënkupton dy shtylla parimore: njohjen e së vërtetës dhe punën sipas kësaj të vërtete, dhe dihet se çdo grup i humbur është i tillë, sepse ka neglizhuar njërën prej këtyre dy shtyllave të rëndësishme. Kjo sure nxit, gjithashtu, edhe sinqeritetin në adhurimin ndaj Allahut dhe në kërkimin e ndihmës e të mbështetjes vetëm prej Tij. Kjo kuptohet nga fragmenti: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm tek Ti ndihmë kërkojmë”.