Ajetet 11 – 13
11. E kur atyre u thuhet: “Mos shkatërroni në tokë!”, ata thonë: “Ne jemi të vetmit përmirësues (rregullues).”
12. Në të vërtetë, pikërisht ata janë shkatërruesit, por nuk e kuptojnë.
13. Dhe kur u thuhet atyre: “Besoni, sikurse besuan njerëzit (e mirë)!” ata thonë: “A të besojmë edhe ne ashtu sikurse besuan mendjelehtët?”. Në të vërtetë, mendjelehtët janë pikërisht ata, por nuk e dinë.
Shpjegimi i ajeteve
– “E kur atyre u thuhet: “Mos shkatërroni në tokë!” – Këta hipokritë këshillohen që të ndalen nga shkatërrimi që bëjnë në tokë. Ky shkatërrim shfaqet në shumë forma: në formën e kufrit (mohimit të Zotit dhe të drejtave të Tij), në formën e veprimit sipas rrugës ku i çon mosbesimi dhe mosbindja e tyre, në formën e shpërfilljes së urdhrave dhe të kryerjes së veprave të ulëta, në formën e nxjerrjes së sekreteve të muslimanëve, për t’ua treguar ato qafirëve, në formën e miqësisë së tyre me jobesimtarët etj. Por kur ata këshillohen për t’u frenuar nga shkatërrimi që bëjnë në tokë,
– Thonë: “Ne jemi të vetmit përmirësues.” – Kështu, ata bëjnë njëkohësisht dy të zeza: përhapin shkatërrimin në tokë dhe këtë shkatërrim e paraqesin si rregullim dhe përmirësim, duke e shtrembëruar të vërtetën. Ata shkatërrojnë dhe besojnë se kjo është rruga e drejtë. Ky, pa dyshim, është krim shumë më i rëndë se i atyre që bëjnë poshtërsi, por e dinë dhe janë të ndërgjegjshëm se këto janë poshtërsi. Këta të fundit janë më afër udhëzimit dhe shpresës për t’u kthyer nga rruga e gabuar, sesa ata të parët. Munafikët thonë: “Ne jemi të vetmit përmirësues”. Kështu, ata pretendojnë se të qenurit rregullues (të rendit në tokë) është cilësi e posaçme vetëm për ta, duke nënkuptuar se besimtarët nuk e kanë këtë cilësi. Por Allahu i Madhëruar ua hedh poshtë këtë pretendim, duke thënë:
– “…në të vërtetë, pikërisht ata janë shkatërruesit, por nuk e kuptojnë” – Sigurisht që nuk ka shkatërrim më të madh se ai që shkakton e përhap mohimi i Zotit dhe i argumenteve të Tij. A ka shkatërrues më të madh se ai që pengon njerëzit nga rruga e Allahut dhe që përpiqet të mashtrojë Allahun dhe të zgjedhurit e Tij?! Shkatërrues janë të gjithë ata që miqësohen me këdo që i ka shpallur luftë Allahut dhe Profetit të Tij, të cilët, si pa të keq, pretendojnë paturpësisht se ky quhet rregullim. Po a ka shkatërrim më të madh se ky?! Në fakt, ata nuk mund ta ndiejnë dhe kuptojnë këtë, sepse nuk e kanë dijen e nevojshme, që do t’u mundësonte ta kuptonin. Dija (rreth besimit dhe fesë) që ata kanë u vlen thjesht dhe vetëm për një gjë: që të mos kenë asnjë justifikim para Allahut në Ditën e Gjykimit. Atyre u janë përcjellë njohuri të mjaftueshme për të hedhur poshtë çdo argumentim dhe justifikim të tyre para Allahut.
Veprimi i poshtërsive është konsideruar si shkatërrim, sepse është ai që e shkakton prishjen e të gjitha të mirave në tokë: bimësisë, farërave, frutave, pemëve etj. Shkak i çdo shkatërrimi janë veprat e ulëta (dhe kalimi i kufijve të Zotit). Ndërsa rregullimi i tokës nënkupton që ajo të mbushet me mirësi dhe të lulëzojë, si pasojë e bindjes ndaj Allahut dhe e besimit tek Ai. Allahu i Madhëruar i krijoi krijesat veçse për këtë qëllim dhe, pikërisht për këtë arsye, i vendosi në tokë. Ai i krijoi ata dhe u dhuron furnizim dhe të mira të shumta, me qëllim që t’i ndihmojë në bindjen dhe adhurimin kushtuar Atij. Por nëse krijesat veprojnë të kundërtën, atëherë ky është shkatërrim, pasi e nxjerr tokën nga natyra e saj, në të cilën ajo është krijuar.
– Dhe kur u thuhet atyre: “Besoni, sikurse besuan njerëzit (e mirë)!” – Kur munafikëve u thuhet: “Besoni edhe ju, me zemër dhe me gojë, sikurse besuan njerëzite mirë, pra, sikurse besuan sahabët, pasuesit e Pejgamberit (alejhi selam)”, ata përgjigjen me pretendimin e gënjeshtërt, duke thënë:
– “A të besojmë edhe ne ashtu sikurse besuan mendjelehtët?” – Të poshtrit! Me fjalën “mendjelehtë”, ata kishin për qëllim shokët e Profetit (alejhi selam). Hipokritët mendonin se imani i sahabëve është pasojë e mendjelehtësisë së tyre. Ata mendonin se ishte pikërisht kjo mendjelehtësi që i detyroi ata t’i hynin luftës së ashpër me jobesimtarët e, madje, të braktisin edhe atdheun (e pasuritë) e tyre. Mendja e cekët e këtyre fatkeqëve hipokritë i shtyu ata të bënin të kundërtën e asaj që vepruan pasuesit e Profetit (alejhi selam). Duke pretenduar mendjelehtësinë e sahabëve, ata nënkuptonin se vetë ishin gjykues të zgjuar e mendimtarë të mëdhenj. Por, përsëri, Allahu i Madhëruar ua hodhi poshtë pretendimin e tyre, duke na treguar se mendjelehtët ishin pikërisht dhe vetëm ata.
– “Në të vërtetë, pikërisht ata janë mendjelehtët, por nuk e dinë” – Nuk ka dyshim se vetëm ata janë mendjelehtët. Në të vërtetë, mendjelehtët janë ata, sepse esenca e mendjelehtësisë është: injoranca e njeriut rreth gjërave që janë në dobi të tij dhe veprimi e ndjekja e gjërave që e dëmtojnë atë. Këto cilësi u shkojnë për shtat pikërisht munafikëve, pasi janë në përputhje të plotë me gjendjen dhe veprat e tyre. Ndërsa mençuria e njeriut duket në njohjen e dobive dhe të mirave vetjake. Ajo duket, gjithashtu, në të punuarit pa u lodhur për të fituar dhe përvetësuar çdo gjë të dobishme për veten dhe për t’u larguar dhe shpëtuar nga çdo e keqe dhe rrezik që asaj i kanoset. Këto cilësi u shkojnë për shtat dhe janë në përputhje të plotë me gjendjen e sahabëve dhe të gjithë besimtarëve, si edhe me veprat e tyre. Duhet kuptuar që pretendimet nuk merren në konsideratë, thjesht, për hir të fjalëve boshe dhe të menduarit sipërfaqësor. Ato merren në konsideratë vetëm nëse janë të bazuara në argumentim të fortë dhe analizë të hollë.