Ajetet 14 – 16
14. Kur takohen me ata që besuan, thonë: “Ne besojmë”. Por kur veçohen me shejtanët (parinë) e vet, u thonë: “Ne, pa dyshim, jemi me ju. Ne vetëm sa jemi tallur (me besimtarët).”
15. Allahu tallet me ta, duke i lënë të bredhin edhe më shumë në mosbesimin e tyre!
16. Ata të cilët e blenë humbjen, duke dhënë si çmim udhëzimin. Por tregtia e tyre nuk pati fitim dhe kurrë nuk qenë të udhëzuar në rrugën e drejtë.
Shpjegimi i ajeteve
Ky është një shembull që tregon se si ata, si hipokritë që janë, thonë me gojë atë që nuk e ndiejnë në zemrat e tyre.
– “Kur takohen me ata që besuan, thonë: “Ne besojmë” – Kur ata mblidhen dhe kontaktojnë me besimtarët, shtiren se janë me ta dhe se ndjekin rrugën dhe besimin e tyre (të besimtarëve).
– “Por kur veçohen me shejtanët (parinë) e vet, u thonë: “Ne, pa dyshim, jemi me ju. Ne vetëm sa jemi tallur (me besimtarët)” – Porse kur ata veçohen e mënjanohen së bashku me “shejtanët”, pra, me krerët dhe udhëheqësit e tyre në kufër, thonë: “Ne, në të vërtetë, jemi me ju, ndërsa me besimtarët thjesht po tallemi, duke u shtirur se jemi besimtarë dhe se ndjekim rrugën e tyre.” Kjo është gjendja e tyre e brendshme dhe e jashtme. Porse këto kurthe dhe mashtrime të poshtra godasin veçse vetë thurësit dhe gatuesit e tyre.
– “Allahu tallet me ta” – Allahu tallet me ta dhe, duke i braktisur, i lë të bredhin edhe më shumë të çoroditur në mosbesimin e shfrenuar dhe në kalimin e kufijve. Kjo vjen si ndëshkim nga Allahu i Madhëruar, për shkak të talljes së tyre me adhuruesit e Tij. Tallja e Allahut me ta bëhet në shumë forma. Ai tallet me ta duke e zbukuruar në sytë e tyre gjendjen dhe jetën e poshtër e fatkeqe që jetojnë. Madje, me injorancën e tyre, ata mendojnë se janë përshtatur mirë me besimtarët. Kur jeta dhe pasuritë e tyre bëhen të paprekshme, ata mendojnë se po shtiren shumë mirë si besimtarë. Allahu i Madhëruar do të tallet me ta edhe në Ditën e Gjykimit, kur besimtarëve dhe munafikëve do t’u jepet dritë për të ecur mbi Sirat. Por, në momentin që besimtarët fillojnë të ecin të ndriçuar nga drita e tyre, drita që u është dhënë munafikëve shuhet dhe i lë ata të çoroditur në errësirën e plotë, pasi e kishin parë njëherë dritën me sy. Sa e hidhur duket shpresa e humbur, pasi e ke ndier njëherë aq pranë.
Për këtë, Allahu i Madhëruar thotë: “Atë Ditë do t’i shihni besimtarët dhe besimtaret tek u ndriçon drita përpara dhe në të djathtë të tyre. (Atyre do t’u thuhet:) “Përgëzim për ju sot janë kopshtet, nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të jeni përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.”Atë Ditë munafikët dhe munafiket do t’u thonë besimtarëve: “Na prisni pak, që edhe të ndriçohemi prej dritës suaj!” Atyre do t’u thuhet: “Kthehuni pas (në dynja) dhe kërkoni atje ndonjë dritë!” Atëherë, ndërmjet tyre vendoset një mur, që ka një derë. Nga brenda tij është mëshira, ndërsa nga jashtë tij është dënimi. Ata (munafikët) u thërrasin (besimtarëve): “A nuk kemi qenë edhe ne së bashku me ju!?” – “Po, por ju e shkatërruat veten, sepse ju prisnit kob të zi për besimtarët, dyshonit në çështjet e fesë dhe ju mashtroi jeta e dynjasë, derisa ju erdhi (vdekja) kaderi i Zotit. Gënjeshtari ju mashtroi rreth Allahut. Sot prej jush (o munafikë) nuk pranohet asnjë lloj kompensimi dhe as prej jobesimtarëve. Zjarri është vendi juaj, sepse atë meritoni. Sa përfundim i keq është ai!”. (Hadid : 12–15)
– “…duke i lënë të bredhin edhe më shumë në mosbesimin e tyre” – Shprehja ‘jemud-duhum” do të thotë: ua shton edhe më shumë mundësitë vepruese, ose i lejon të vazhdojnë më thellë. Ku? Në ç’aspekt? Përgjigja: ‘fi tug’janihim’ – “në mosbesimin e tyre”, pra: në tejkalimin e kufijve, me poshtërsi, kufër dhe mosbindje. Fjala tjetër: “Jea’mehun” domethënë: ‘hallakaten të çoroditur’. Ata hallakaten të çoroditur, të luhatur dhe gjithmonë të mbushur me mëdyshje dhe dyshime. Kjo është një formë talljeje, me të cilën Allahu i Madhëruar i ‘shpërblen’ ata. Më pas, Allahu i Madhëruar, shfaq thelbin e gjendjes së tyre të vërtetë, duke thënë:
– “Ata të cilët e blenë humbjen, duke dhënë si çmim udhëzimin” – “Ata” (ulaike), domethënë munafikët, të cilët kanë cilësitë e përmendura.
– “të cilët e blenë humbjen duke dhënë si çmim udhëzimin” – Pra, këta i kanë dhënë përparësi dhe kanë parapëlqyer humbjen, sikurse vepron dikush që dëshiron dhe i pëlqen të blejë një mall, dhe që është gati të paguajë çmimin më të lartë për ta patur atë mall. Ky krahasim është një nga më të bukurit që jep Allahu i Madhëruar, për të përshkruar gjendjen e munafikëve, të cilët e kanë konsideruar rrugën e humbjes si një mall të shtrenjtë dhe të vyer që duhet blerë, ndërsa, në të vërtetë, ajo është humbja më e skajshme dhe rruga më e frikshme e së keqes. Ndërsa udhëzimin në rrugën e drejtë, që është suksesi dhe mirësia më e madhe që mund të ketë një njeri, ata e konsiderojnë si një çmim që mund të jepet për të arritur diçka tjetër “më të rëndësishme”. Me fjalë të tjera, ata pranojnë që të shesin udhëzimin, për të blerë humbjen, në shenjë parapëlqimi dhe vlerësimi për këtë të fundit. Kjo, pra, është tregtia e tyre e fëlliqur, dhe ky është ‘fitimi’ i tyre fatkeq.
– “Por tregtia e tyre nuk pati fitim” – Nëse ne do ta konsideronim të humbur dikë që këmben një dinar për të marrë një dirhem, çfarë do të thoshim për atë që jep një xhevahir për të fituar një dirhem?! Po për atë që, për hir të humbjes, shpenzon ose flak tutje udhëzimin e Allahut, duke treguar në këtë mënyrë se ai preferon trishtimin kundrejt lumturisë?! Këta njerëz parapëlqejnë punët e ulta e të poshtra, kundrejt madhështisë dhe lartësisë së udhëzimit dhe bindjes ndaj Allahut dhe Profetit (alejhi selam). Kjo tregti nuk mund të jetë kurrë fitimprurëse; përkundrazi, humbja e tyre është e tmerrshme. Allahu thotë: “Pikërisht këta janë ata të cilët do të humbin veten dhe familjet e tyre në Ditën e Gjykimit. Kjo është humbja e qartë.” (El zumer : 15)
“Dhe kurrë nuk qenë të udhëzuar në rrugën e drejtë” – Kjo fjali përforcon faktin se ata janë në humbje të sigurt dhe se kurrë ndonjëherë nuk kanë qenë të udhëzuar. Këto janë cilësitë e tyre të shëmtuara. Allahu i Madhëruar na paraqet një tjetër anë të gjendjes së tyre, duke e qartësuar këtë me një shëmbëllim.