Ajetet 17 – 20
17. Ata i përngjajnë dikujt që kërkon t’i ndizet një zjarr. Por, sapo ai (zjarri) e ndriçon vendin përreth, Allahu ua shuan dritën, dhe i lë mes errësirash, ku nuk shohin.
18. (Ata janë) Të shurdhër, memecë dhe të verbër, dhe kurrë nuk kthehen (nga rruga e keqe).
19. Ata, gjithashtu, i përngjajnë dikujt mes një shiu të rrëmbyer prej së larti, plot errësirë, me gjëmime e vetëtima. Ata i vendosin gishtat në veshët e tyre prej frikës së vdekjes nga rrufeja. Allahu është Gjithpërfshirës i jobesimtarëve.
20. Vetëtima gati ua rrëmben shikimin. Sa herë që ajo u bën dritë, ata ecin në të, ndërsa kur errësohet, qëndrojnë të shtangur. E nëse do të donte, Allahu do t’ua merrte dëgjimin dhe shikimin e tyre. Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka”.
Shpjegimi i ajeteve
– “Ata i përngjajnë dikujt që kërkon t’i ndizet një zjarr.” – Shembulli më i përshtatshëm që mund të jepet për gjendjen e tyre është ai i një personi që kërkon prej të tjerëve t’i ndezin një zjarr. Përfytyro një njeri që ka nevojë të madhe për të ndezur një zjarr, në errësirën e thellë në të cilën ndodhet, dhe këtë zjarr e kërkon nga dikush tjetër. E kërkon nga dikush tjetër, sepse ai vetë nuk ka lëndë për ta ndezur. Krijimi i këtij zjarri ndriçues është jashtë natyrës, zakonit dhe mundësive të tij.
– “Por, sapo ai e ndriçon vendin përreth…” – Për një moment, ai ndriçohet prej këtij zjarri, i cili i bën dritë gjithçkaje përreth tij. Kështu, atij i jepet mundësia të vështrojë qartë vendin ku ndodhet. Ky zjarr i ofron atij njëfarë qetësie prej çdo frike dhe ankthi që e rrethon. Duke përfituar prej tij, njeriu gjen një lloj prehjeje. Por pikërisht në atë moment, kur mendon se këtë zjarr e ka bërë pronë të tijën, nga e cila mund të përfitojë si të dojë:
– “Allahu ua shuan dritën dhe i lë mes errësirash, ku nuk shohin” – Pra, Allahu i Madhëruar e largon ndriçimin që jep ky zjarr, e bashkë me ndriçimin, edhe gëzimin e shkurtër që një njeri i tillë përjeton. Ai mbetet i vetmuar në errësirën e madhe të zjarrit që djeg, pasi prej këtij zjarri largohet ndriçimi, por mbetet nxehtësia dhe aftësia djegëse. Atëherë, ai përhumbet e endet mes errësirave të pafund. Mbi të ngrihet e frikshme errësira e natës, errësira që krijojnë retë, errësira që krijon shiu dhe errësira e dëshpërimit, që vjen pas largimit të beftë të dritës. A mund ta përfytyrosh gjendjen e këtij të mjeri?! E tillë është shëmbëlltyra e munafikëve. Ata kërkojnë prej muslimanëve zjarrin ndriçues të imanit, sepse për ta imani është një cilësi e huaj.
Ata përfitojnë diçka nga ky zjarr, ndonëse është i ndezur nga tjetërkush. Me anë të këtij zjarri, ata sigurojnë paprekshmërinë e jetës e të pasurisë së tyre mes besimtarëve. Ky zjarr u jep njëfarë qetësie në jetën e dynjasë. Por pikërisht kur ata janë duke shijuar frytet dhe të mirat e mundit të tjetërkujt, ata i kap befas vdekja, e cila ua ndërpret atë përfitim të vagët prej dritës së besimtarëve. Pas takimit me vdekjen, ata i kaplon tërësisht ankthi, trishtimi dhe ndëshkimi i dhimbshëm. E kështu, ata do të provojnë tmerrin dhe shijen e hidhur të mohimit, të hipokrizisë dhe të çdo lloj poshtërsie tjetër, fillimisht në errësirën e varrit, dhe pastaj në errësirën e zjarrit të Xhehenemit, që do të jetë “vendprehja” e tyre e përjetshme. Vëre me kujdes se si i përshkruan ata Allahu i Lartësuar, kur thotë se ata janë:
– “Të shurdhër, memecë dhe të verbër, – Ata janë të shurdhër kundrejt dëgjimit të çdo mirësie, janë memecë që nuk mund të flasin e të thonë kurrë fjalë të mira e të drejta, dhe janë të verbër për të parë të vërtetën e qartë.
– “…dhe kurrë nuk kthehen” – Ata nuk e ndërrojnë rrugën e tyre, për shkak se ata e kanë braktisur të vërtetën (dritën), pasi e kanë njohur njëherë atë. Kështu që, ata kurrë nuk kanë për të kthyer rrugë. Ndryshe ndodh me dikë që është në humbje për shkak se nuk e njeh të vërtetën. Ky është më pranë udhëzimit, dhe shpresat e tij për t’u kthyer janë më të shumta. Allahu i Madhëruar jep edhe një shembull tjetër për të qartësuar gjendjen e munafikëve, duke thënë:
– “Ata i përngjajnë dikujt, që ndodhet mes një shiu të rrëmbyer (që bie) prej së larti…” – Pra, rasti i tyre mund të ilustrohet edhe me një shembull tjetër: Me një njeri që ndodhet mes një shiu të dendur e të rrëmbyer, që bie nga qielli.
– “…plot errësirë me gjëmime e vetëtima” – Domethënë, ai është i mbuluar nga errësira të shumta njëra mbi tjetrën: nga errësira e natës, nga errësira e reve dhe errësira e shiut.
– “…me gjëmime” – Pra, ai dëgjon edhe oshtimën e frikshme të bubullimës, që buron nga retë.
– “…e vetëtima” – Ky njeri sheh herë pas here edhe dritën që shkreptin nga mesi i errësirave të reve. Në të tilla situata:
– “Ata i vendosin gishtat në veshët e tyre, prej frikës së vdekjes nga rrufeja” – Ky është një përshkrim tjetër i gjendjes së munafikëve. Ata, kur dëgjojnë Kur’anin, urdhrat dhe ndalesat e tij, premtimet dhe kërcënimet e përmendura në të, vendosin gishtat në veshë për të mos lejuar dëgjimin e tyre. Ata tmerrohen nga kërcënimet e Kur’anit dhe i shqetëson çdo premtim që gjendet në të, prandaj ua kthejnë shpinën fjalëve të tij, duke e urryer shumë këtë gjendje. E tillë është edhe gjendja e njeriut në mes të shiut të rrëmbyer, që furishëm zbret nga qielli. Ai i zë veshët me gishta nga frika e vdekjes. Por nëse për këtë të fundit shpresohet ndonjë mundësi shpëtimi, për munafikët nuk ka asnjë shans për të shpëtuar, sepse:
– “Allahu është Gjithpërfshirës i jobesimtarëve” – E si mund t’i shpëtojnë ata Allahut të Madhëruar e të Plotfuqishëm, i Cili është Gjithëpërfshirës dhe i Pashmangshëm, në aspektin e dijes dhe të pushtetit që ka mbi ta? Ata nuk mund t’i fshihen dijes dhe shikimit të Tij, ashtu sikurse nuk mund t’i shpëtojnë forcës dhe pushtetit të Tij absolut mbi gjithçka. Ai ua llogarit dhe ua regjistron të gjitha veprat atyre, dhe shpërblimin ka për t’ua dhënë të plotë. Duke qenë se ata e meritojnë shurdhërinë, memecërinë dhe verbërinë ndaj udhëzimit, duke qenë se ata e meritojnë plotësisht që t’u mbyllën dyert e besimit para syve, atëherë Allahu i Madhëruar i kërcënon me një masë tjetër të dhimbshme, kur thotë:
– “Vetëtima gati ua rrëmben shikimin. Sa herë që ajo u bën dritë, ata nisin e ecin, e kur errësohet, qëndrojnë të shtangur. Nëse do të donte, Allahu do t’ua rrëmbente dëgjimin dhe shikimin e tyre.” – Sikur të dëshironte Allahu i Madhëruar, Ai do t’ua hiqte edhe dëgjimin e shikimin fizik. Ky është kërcënim me një ndëshkim që mund të zbresë që në këtë jetë, para vdekjes. Pra, le të jenë më të kujdesshëm dhe më të përmbajtur me hipokrizinë dhe të keqen që ata shfaqin.
– “Allahu, është i Plotfuqishëm për gjithçka” – Të jeni të sigurt se Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka. Atij nuk i shpëton dot asgjë. Pushteti i Tij absolut i jep të drejtën dhe mundësinë që, nëse dëshiron diçka, e kryen, dhe askush nuk e kundërshton dhe nuk mund ta ndalojë Atë. Në këtë ajet, dhe në të tjerë të ngjashëm me të, gjejmë një argument shumë të fuqishëm kundër një grupi të humbur e të devijuar, të quajtur Kaderie, të cilët pretendojnë se veprat e robit janë jashtë pushtetit të Allahut të Lartësuar (pra, nuk janë të nënshtruara dhe nën ndikimin e pushtetit të Tij). Ky ajet tregon qartë se edhe veprat e tyre futen te fjala e Allahut: ‘In-nall-llahe ala kul-li shejin kadîr’ (Allahu, për çdo gjë, është i Plotfuqishëm).