Ajetet 21 – 22
21. O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj, i Cili ju krijoi ju dhe ata që ishin para jush! Kështu, pa dyshim, do të bëheni të devotshëm.
22. (Allahu është) Ai që tokën e bëri shtrat (vendbanim) dhe qiellin kulm (mburojë); që prej qiellit ju lëshon ujë, nëpërmjet të cilit ju siguron lloje frytesh, si furnizim për ju. Atëherë mos adhuroni askënd tjetër përveç Allahut kur ju e dini (të vërtetën)!
Shpjegimi i ajeteve
– “O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj…” – Ky është një urdhër gjithëpërfshirës, që u drejtohet të gjithë njerëzve, për një çështje që, në kuptimin e saj, është po ashtu gjithëpërfshirëse. Kjo çështje, për të cilën urdhërohen të gjithë njerëzit është adhurimi (ose ibadeti).
Ky term përfshin tri aspekte kryesore, që janë:
- Zbatimi rigoroz i urdhrave të Allahut të Lartësuar.
- Largimi nga të gjitha ndalesat e Tij.
- Pranimi, pohimi dhe besimi i plotë dhe pa mëdyshje te çdo lajm e kumt i ardhur prej Allahut të Lartësuar.
Allahu Krenar e i Lartësuar i urdhëron njerëzit t’i përkushtohen asaj çështjeje, për hir të së cilës Ai i krijoi. Allahu i Madhëruar thotë në suren Dhariat, ajeti 56: “Unë i krijova xhindët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë.” Më poshtë, Allahu i Madhëruar shpjegon përse Ai duhet adhuruar si Një i vetëm, duke u përkujtuar dhe u qartësuar njerëzve se vetëm Ai është Zoti i tyre, i Cili kujdeset për ta, duke u mundësuar mirësi të pafundme.
– “…i Cili ju krijoi ju dhe ata që ishin para jush!” – Pra, Ai ju krijoi ju dhe të parët tuaj, kur nuk ekzistonit fare; Ai ju solli në ekzistencë. Por cili është qëllimi i këtij adhurimi? I Madhëruari thotë:
– “Kështu, pa dyshim, do të bëheni të devotshëm…” – Kjo frazë mund të kuptohet në dy mënyra:
- Nëse ju ia kushtoni adhurimet tuaja veç Allahut, të Vetmit dhe Absolutit, ju do të jeni të ruajtur dhe të sigurt nga zemërimi dhe ndëshkimi i Tij, sepse keni vepruar pikërisht atë gjë që e largon nga ju zemërimin dhe ndëshkimin e Tij.
- Nëse ju ia kushtoni adhurimet tuaja vetëm Allahut të Lartësuar e të Pashoq, ju jeni bërë të devotshëm e, sigurisht, ndër të shpëtuarit.
Të dyja kuptimet janë të sakta dhe, në fund të fundit, rrjedhin nga njëra-tjetra, sepse kush bën adhurim të pastër dhe të plotë veç për Allahun, është edhe i devotshëm, dhe kush është i devotshëm, sigurisht që ka shpëtuar prej zemërimit dhe ndëshkimit të Allahut të Lartësuar. Më tej, i Madhëruari vazhdon të na tregojë mirësitë e Tij:
– (Allahu është) Ai që tokën e bëri shtrat (vendbanim)– Kuptimi është: Mirësitë e Tij, të shfaqura apo të fshehta qofshin, vërshojnë pafundësisht e pandërprerë mbi ju. Ai e bëri tokën për ju të qëndrueshme dhe të qetë, si shtrat, që të sistemoheni dhe të gjeni prehje në të. Ju qëndroni të qetë në të, ndërtoni banesat tuaja, kultivoni ushqimet tuaja dhe nxirrni prej saj furnizimet e nevojshme për jetën. Mbi këtë tokë ndërtoni edhe rrugët ku ecni, për të përfituar nga të mirat e saj, e shumë e shumë të mira të tjera, të cilat i di Allahu i Lartësuar.
– “…dhe qiellin kulm (mburojë)” – Ndërsa qiellin, Allahu i Madhëruar e bëri si ndërtesë dhe fortesë mbrojtëse për vendqëndrimin tuaj, për tokën ku jetoni. Allahu i Madhëruar e mbushi këtë qiell me dobi të shumta, të cilat janë të domosdoshme për jetën tuaj në tokë dhe për vazhdimësinë e saj. A nuk e shihni diellin, hënën, yjet, etj?
– “…që prej qiellit (semãun) ju lëshon ujë, nëpërmjet të cilit ju siguron lloje frytesh” – Çfarë quhet semãun (qiell)? Semãun quhet gjithçka që qëndron apo ekziston sipër teje. Për këtë arsye, shpjeguesit e Kur’anit kanë thënë se me fjalën ‘semãu’ këtu nënkuptohen retë, prej të cilave, Allahu i Madhëruar lëshon shiun.
– “…nëpërmjet të cilit ju siguron lloje frytesh” – Me anë të këtij uji, prodhohen shumë fryte të tokës. Me këtë ujë rriten dhe zhvillohen të gjitha prodhimet e tokës, duke filluar prej drithërave, frutave, perimeve, vreshtave, hurmave, agrumeve, etj.
– “…si furnizim për ju” – Të gjitha këto mirësi Allahu i ka krijuar për ju, thjesht dhe vetëm që ju të ushqeheni dhe të përfitoni kënaqësi pas kënaqësish në këtë jetë, që po kaloni mbi tokë.
– “Atëherë mos adhuroni askënd tjetër përveç Allahut kur ju e dini (të vërtetën)!” – Pra, mos i përshkruani Allahut shokë e partner në adhurimin ndaj Tij! Mos i konsideroni asnjë si të ngjashëm, të njëjtë dhe të barabartë me Të! Mos merrni si të barabartë a të njëjtë me Allahun asgjë e asnjë prej krijesave, në asnjë këndvështrim! Nuk ka ndonjë krijesë që të jetë e barabartë apo e njëjtë me Allahun, dhe që të meritojë adhurimin tuaj. Asnjë krijesë nuk duhet adhuruar, por adhurohet vetëm Allahu. Asgjë nuk e meriton dashurinë tuaj, sikurse e meriton Allahu. E si mund të meritojnë krijesat adhurimin dhe dashurinë tuaj, kur ato, sikurse dhe ju, janë të krijuara, të nënshtruara, nevojtare në vetvete? Ato vetë kanë nevojë për furnizimin e Allahut. Ato nuk kanë asnjë grimcë të vogël pushteti, as në qiej e as në tokë, dhe nuk kanë asnjë lloj mundësie për t’ju sjellë juve dobi apo dëm.
– “kur ju e dini (të vërtetën)”– Pra, mos i bëni këto gabime, kur ju e dini shumë mirë se Allahu i Madhëruar është Absolut dhe nuk ka të ngjashëm dhe të barabartë me Të, që të meritojë adhurimin tuaj. Askush nuk mund t’i afrohet Madhështisë së Tij, as në aspektin e krijimit, furnizimit, administrimit dhe rregullimit të çështjeve të gjithësisë, dhe as në aspektin e meritueshmërisë së adhurimit dhe dashurisë së krijesave për Të. Atëherë, si është e mundur që ju adhuroni dhe u shprehni dashurinë zotave të tjerë, pas dijes dhe sigurisë që keni krijuar për çështjet e sipërpërmendura?! Kjo po, që konsiderohet si çudia e çudirave dhe si mendjelehtësi e papaparë.
Ky ajet përmban në vetvete disa çështje:
- Urdhrin për të adhuruar një Zot të vetëm.
- Ndalimin nga adhurimi i çdo gjëje tjetër veç Tij.
- Ai është provë e qartë dhe e padiskutueshme, që vërteton detyrueshmërinë e adhurimit të Allahut të Madhëruar.
- Ai dëshmon se çdo adhurim që kryhet dhe i përkushtohet dikujt tjetër veç Allahut, është i kotë dhe i pavlefshëm.
- Në këtë ajet përmendet dhe vërtetohet teuhidi rububije, ose besimi se Allahu i Lartësuar është Unik, i Vetëm dhe Absolut, në aspektin e krijimit, furnizimit, administrimit dhe rregullimit të çështjeve të krijesave.
- Ky ajet është ftesë për njerëzit që, ashtu sikurse ata pohojnë dhe janë të sigurt se Allahu i Lartësuar është i Vetëm, Unik, Absolut dhe i Pakrahasueshëm në aspektin e krijimit, furnizimit, administrimit dhe rregullimit të çështjeve të krijesave, në të njëjtën mënyrë duhet të pohojnë dhe të besojnë bindshëm, se ai është Unik, i Vetëm, Absolut dhe i Pakrahasueshëm edhe në aspektin e meritës së adhurimit. Ai është argumenti më i qartë logjik që, nga njëra anë, dëshmon unifikimin e Allahut në çdo aspekt dhe, nga ana tjetër, dëshmon kotësinë e adhurimit të të gjithë atyre që konsiderojnë si Zot dikë tjetër veç Allahut.
- Ky ajet hedh poshtë shirkun, me të gjithë përmasat dhe format e tij.