Ajetet 23 – 24
23. Nëse jeni në dyshim rreth asaj që Ne ia shpallëm adhuruesit Tonë (rreth Kur’anit), atëherë paraqitni ju një kapitull të ngjashëm, si ai (Kur’ani), madje i ftoni (për ndihmë) të gjithë zotat që ju adhuroni përveç Allahut, nëse vërtet jeni të sinqertë!
24. E në mos e paçit bërë (deri tani), e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen), atëherë ruajuni Zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët! Ai është përgatitur për jobesimtarët.
Shpjegimi i ajeteve
– “Nëse jeni në dyshim rreth asaj që Ne ia shpallëm adhuruesit Tonë…” – Allahu i Madhëruar u drejtohet këtu botës së atyre kryeneçëve, që janë rebeluar kundër profetëve, në përgjithësi. Ai u drejtohet atyre që refuzuan ftesën e Profetit të fundit, duke pretenduar se ai ishte mashtrues dhe trillues, duke u thënë: “Nëse ju, o kryeneçë, kundërshtarë dhe refuzues të Profetit, jeni në mëdyshje dhe të lëkundur në lidhje me atë çka Ne i shpallëm adhuruesit tonë (Muhamedit); nëse nuk jeni të qartësuar a është ajo rruga e vërtetë apo ndonjë rrugë tjetër, atëherë ejani t’i japim zgjidhje kësaj çështjeje njëherë e mirë.
Le ta zgjidhim këtë situatë në mënyrë të qartë dhe të drejtë. Ky është Muhamedi (alejhi selam). Ai është si ju, një njeri i thjeshtë. Nuk njihet si më oratori, dhe më i pushtetshmi mes jush. Ju e njihni shumë mirë atë, sepse ai u rrit dhe u edukua mes jush. Ju jeni të sigurt që nuk di as shkrim, as këndim (lexim). Ky njeri pretendon që libri të cilin po jua paraqet, vjen dhe i shpallet prej Allahut. Ndërsa ju e refuzoni një fakt të tillë, duke mëtuar se ai vetëm shpif dhe trillon.”
– “…atëherë paraqitni ju një kapitull të ngjashëm me të (Kur’ani), madje ftojini (për ndihmë) të gjithë zotat që ju adhuroni përveç Allahut, nëse vërtet jeni të sinqertë” – Nëse vërtet jeni të sigurt në atë që thoni, sillni, pra, ju një kapitull, që t’i afrohet hijes së këtij libri. Madje, për këtë projekt, thirrni në ndihmë kë të doni e kë të mundni prej specialistëve të kësaj lëmie. Aq më tepër që ju njiheni si elita e elokuencës dhe krijimtarisë letrare. Aq më tepër që jeni ndezur zjarr nga urrejtja dhe armiqësia kundër këtij Profet. Nëse mund të krijoni një kapitull të vetëm që t’i afrohet kësaj madhështie, atëherë pretendimi juaj qëndron.
– “E në mos e paçit bërë (deri tani), e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen)” – Por nëse ju dështoni, me plot kuptimin e fjalës, – dhe kurrë s’keni për t’ia arritur një diçkaje të tillë, se ky është thjesht një supozim, – atëherë kjo ka për të qenë një shenjë e madhe dhe e kthjellët, që tregon vërtetësinë e pretendimit të tij, që është Profet i Zotit të botëve. Kjo do të vërtetonte edhe saktësinë e shpalljes që i vjen nga Zoti. E nëse profetësia e tij vërtetohet, atëherë bëhet detyrë për ju që ta besoni atë dhe që të zbatoni programin e jetës që atij po i shpallet. Nëse ju nuk e bëni realitet projektin tuaj, – që kurrë s’ka për t’u bërë realitet, – atëherë Allahu i Madhëruar ju kujton Zjarrin, nga i cili duhet të ruheni. I Madhëruari thotë:
– “…atëherë ruajuni Zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët!” – Një zjarr i tillë nuk mund të ketë shembull në këtë jetë.
– “Ai është përgatitur për jobesimtarët.” – Domethënë, ai është përgatitur për mohuesit: për ata që mohuan Allahun dhe që refuzuan profetët. Atëherë, duhet të jeni shumë të kujdesshëm kur ta mohoni atë, në momentin që ju jeni të sigurt se Muhamedi është Profeti i Allahut. Ky ajet dhe të tjerë me të njëjtin kuptim si ai, quhen ndryshe edhe si “ajetet e sfidës”. Me këto ajete sfidohen të gjitha krijesat, të cilat gjithmonë do të jenë të paafta për t’i bërë ballë kësaj sfide. Ato kurrë nuk do të mund ta përballojnë sfidën e Profetit të fundit, për të krijuar ndonjë vepër tjetër si Kur’ani, apo të ngjashëm e të përafërt me të.
I Madhëruari thotë në suren Isra, ajeti 88: “Thuaj (o Muhamed): “Sikur njerëzit dhe xhindet të bashkoheshin të gjithë bashkë, për të sjellë një vepër që mund t’i shëmbëllejë Kur’anit, nuk do të mund t’ia arrinin kurrë të sillnin as shëmbëlltyrën e tij, edhe nëse do të ndihmonin dhe të bashkëpunonin të gjithë së bashku.”. A ka logjikë që të pranojë se fjala e një krijese prej dheu mund t’i përngjasojë fjalës së Sunduesit dhe Mbretëruesit Absolut?! Ku mund ta gjejë pushtetin, forcën dhe mundësinë i varfri e i nevojshmi nga çdo këndvështrim, që të sjellë një fjalë, që të jetë si fjala e Absolutit?! Ai (Kur’ani) është fjala e Madhështorit në çdo aspekt. Kjo pra, është jashtë logjikës dhe jashtë mundësisë njerëzore. Çdokush që e njeh sadopak artin e fjalës, njohuritë gjuhësore dhe stilistikën, nëse krahason madhështinë e këtij Kur’ani me fjalën e çdo artisti qoftë, do të zbulojë çudira.
Me fjalën e Allahut të Lartësuar: “E në qoftë se jeni në dyshim rreth asaj që Ne ia shpallëm adhuruesit Tonë…” e deri në fund, kuptojmë se për atë njeri që ka veç një lloj dyshimi a paqartësie që e pengon, ekziston shpresa e udhëzimit në rrugën e drejtë dhe e largimit nga rrugët e humbjes. Ky njeri i çoroditur, i paqartë dhe i paaftë që të dallojë të vërtetën nga e gabuara dhe e kota, nëse i sqarohet e vërteta me argumente bindëse dhe nëse është i sinqertë në zbulimin e së vërtetës, ai ka shumë shpresa që të udhëzohet dhe të gjejë rrugën e drejtë.
Ndërsa kokëfortët e kryeneçët, nga ana tjetër, që e njohin të vërtetën dhe e braktisin atë, nuk mund të kthehen nga rruga e humbjes. Këta e braktisin dhe e shpërfillin të vërtetën pasi e kanë njohur mirë atë dhe pasi janë siguruar plotësisht rreth saj. Këta janë të vetëdijshëm për veprat që kryejnë dhe për vendimet që marrin, prandaj nuk ka ndonjë mundësi që të kthehen dhe të shpëtojnë nga humbja ku janë zhytur. Të njëjtën gjë themi edhe për atë që ka dyshime rreth të vërtetës dhe që nuk është i sinqertë në përpjekjet për ta zbuluar dhe për ta ndjekur këtë të vërtetë. Pra, edhe ky lloj njeriu, vështirë se mund të ketë sukses në gjetjen e rrugës së drejtë dhe në pasimin e saj.
Përshkrimi i Profetit (alejhi selam) nga Allahu i Madhëruar me cilësinë e adhuruesit, kur thotë: “ala abdina” – “adhuruesit Tonë”, na jep një mësim shumë të rëndësishëm. Përmendja e kësaj cilësie, pikërisht në këtë moment madhështor të sfidës, tregon se ajo ishte cilësia më e vyer dhe më e lartë që mundi të arrinte Profeti (alejhi selam). Pejgamberi (alejhi selam) e arriti atë gradë të lartë, të cilën nuk e kishte arritur askush nga të parët dhe as nga të fundit, pikërisht me adhurimet që ia përkushtoi Allahut të Lavdëruar.
Me të njëjtën cilësi e ka përshkruar Allahu i Madhëruar Pejgamberin (alejhi selam) edhe në momentin kur flet për natën e Israsë, në suren Isra, ajeti 1: “Pa të meta është Lartmadhëria e Atij, që adhuruesin e Vet (Muhamedin) e zhvendosi në një pjesë të natës, prej Xhamisë së Shenjtë (të Qabes) drejt Xhamisë Aksa (në Palestinë), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është Dëgjuesi dhe Vështruesi.” Po kështu e ka cilësuar edhe në momentet kur flitet për zbritjen e Shpalljes: “Është i Madhëruar Ai, që ia shpalli Furkanin (Kur’anin) adhuruesit të vet (Muhamedit), që të bëhet Profeti i botës (këshillues)” (Furkanë : 1)
Fjala e Allahut të Madhëruar rreth Xhehenemit: “Ai është përgatitur për jobesimtarët”, si dhe ajete të ngjashme me të, dëshmon për disa çështje:
- Ky ajet është mbështetje e mendimit të pasuesve të Sunetit dhe Xhematit, të cilët besojnë se Xhenneti dhe Zjarri janë të krijuar tashmë, ndryshe nga ç’mendojnë mutezilët.
- Ky ajet tregon se muslimanët që e besojnë Allahun si Një të vetëm, edhe nëse kryejnë ndonjë gjynah të madh, nuk kanë për të qëndruar përjetësisht në Zjarr.
Nëse muslimanët gjynahqarë do të qëndronin në Zjarr përjetësisht, atëherë do të ishte gabim të thuhej që: “është përgatitur për jobesimtarët”, pra, që Zjarri është përgatitur (si vendqëndrim i përhershëm) vetëm për qafirët. Ky është edhe mendimi i pasuesve të Sunetit dhe Xhematit, ndryshe nga ç’mendojnë havarixhët dhe mutezilët. Ky ajet argumenton edhe faktin se ndëshkimi bëhet i meritueshëm nga shkaqe të ndryshme. Shkak për ndëshkim mund të jetë kufri (mohimi i Zotit), dhe të gjitha poshtërsitë e gjynahet, në larmishmërinë e tyre.