Ajetet 26 – 27
26. Allahut nuk i vjen turp që të marrë çfarëdo shembulli, qoftë ajo mushkojë a diçka edhe më e imët se ajo. Ata që besojnë e dinë se ai (shembull) është “e vërteta” nga Zoti i tyre. Ndërsa ata që mohojnë do të thonë: “Ç’do të thotë Allahu me këtë si shembull?” Me atë (shembull) Ai bën që shumë të humbin, e shumë i udhëzon në rrugën e drejtë. Por, në të vertetë, Ai nuk humb askënd tjetër, përveç atyre që braktisin rrugën e Tij;
27. ata që e thyejnë besën e dhënë Allahut, pasi ajo është lidhur, që e shkëpusin atë (lidhje) që Allahu ka urdhëruar të jetë e vazhdueshme, dhe në tokë mbjellin shkatërrimin. Pikërisht ata janë të humburit (që humbën gjithçka).
Shpjegimi i ajeteve
– “Allahut nuk i vjen turp që të marrë çfarëdo shembulli, qoftë ajo mushkojë a diçka edhe më e imët se ajo.” – Kjo, pasi shembujt që sillen në Kur’an janë plot urtësi dhe për të qartësuar të vërtetën. Allahu i Lartësuar nuk ngurron, ose nuk druhet, që të shfaqë të vërtetën. Me sa duket, ky ajet vjen si përgjigje ndaj atyre që i nënvlerësojnë të tillë shembuj dhe nuk u duket e drejtë sjellja në Kur’an e këtyre shembujve rreth gjërave të imta e të parëndësishme (në dukje). Këta njerëz sikur kundërshtojnë Allahun në këtë aspekt. Por ky lloj kundërshtimi nuk është i drejtë dhe as me vend. Madje, me shembuj të sjellë, Allahu i Lartësuar kërkon të mësojë adhuruesit e Tij, dhe kjo është shprehje e mëshirës së Tij për ta. Për këtë arsye, këto shembuj duhen pranuar dhe për ta duhet shprehur mirënjohje e lavdërim. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë:
– “Ata që besojnë e dinë se ai (shembull) është “e vërteta” nga Zoti i tyre.” – Besimtarët, kur u vjen ndonjë shembull nga Allahu i Lartësuar, thellohen dhe meditojnë rreth tij, në mënyrë që ta kuptojnë atë. Nëse arrijnë të zbulojnë dhe të kuptojnë urtësitë e fshehura në shembujt e dhënë, në mënyrë të shtjelluar dhe imtësisht, atyre u shtohet dija dhe besimi. Por, edhe nëse nuk mundet të kuptojnë imtësisht gjithçka, ata janë të sigurt dhe e dinë mirë se kjo është e vërtetë e sigurt e sjellë nga Zoti i tyre. Madje, ata besojnë se urtësitë e fshehura në këtë shembull të sjellë, janë të vërteta dhe të padiskutueshme, edhe nëse nuk e dinë me hollësi se cilat janë këto imtësi. Ata janë të sigurt në diçka. Allahu i Lartësuar nuk i ka sjellë këto shembuj kot, por për urtësi të shumta e të dobishme. Ai i ka sjellë, me qëllim që krijesat të përfitojnë dije dhe përvojë.
– “…Ndërsa ata që mohojnë do të thonë: “Ç’do të thotë Allahu me këtë si shembull?”” – Ata, duke kundërshtuar dhe shpërfillur këto shembuj, tregojnë çoroditjen e tyre. Këto shembuj të sjellë e shtojnë edhe më shumë mohimin në zemrat e tyre, sikundër besimtarëve u shtojnë dijen dhe besimin. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë:
– Me atë (shembull) Ai bën që shumë të humbin, e shumë i udhëzon në rrugën e drejtë. – Kjo qe gjendja e besimtarëve dhe e qafirëve në momentin e zbritjes së ajeteve të Kur’anit. Allahu i Lartësuar thotë: “Sa herë që shpallet ndonjë sure, disa prej tyre thonë: “Kujt ia shtoi besimin kjo sure?” Po. Besimtarëve ua shton besimin dhe ata gëzohen. E, sa u përket atyre, që kanë sëmundje në zemër, ajo ua shton edhe më shumë dyshimin që kanë, dhe ata do të vdesin si mohues.” (Teube : 124-125). Nuk ka mirësi më të madhe për adhuruesit sesa zbritja e ajeteve kuranore.
E, megjithatë, këto ajete, për disa bëhen sprovë dhe çoroditje (humbje). Ato ua shtojnë të keqen mbi të keqen që i pushton, ndërsa për disa të tjerë është mëshirë dhe shtim i të mirave, mbi të mirat që pandërprerë i përjetojnë. I lartësuar dhe i lavdëruar qoftë Ai, që dalloi kë dëshiroi prej krijesave të Tij! Ai është i Vetmi që ka pushtetin të të udhëzojë në rrugën e drejtë dhe i Vetmi që nëse të lë në humbje, askush nuk mund të të udhëzojë. Me pas, Allahu i Madhëruar tregon shkakun e humbjes së atyre të cilët devijuan duke shpjeguar se kjo është drejtësia e Tij. Thotë i Madhëruari:
– “Por në të vertetë, (me atë shembull), Ai nuk humb askënd tjetër, përveç atyre që braktisin rrugën e Tij (fâsiķîn).” – “Fâsiķîn” domethënë: ata që janë larg bindjes ndaj Allahut dhe mohues të rreptë të rrugës së profetëve të Allahut. Të humburit janë ata të cilët janë të qëndrueshëm e të pandryshueshëm nga këto cilësi dhe baza të tyre. E pra, urtësia e Allahut e ka përcaktuar që këta njerëz, për shkak se nuk e meritojnë udhëzimin e Tij, të mbeten në humbje, ashtu sikundër, po me urtësinë e Tij, Ai e ka përcaktuar që të udhëzojë ata që i japin përparësi imanit dhe bëjnë punë të mira. Fisķ-u (shfrenimi) është dy llojesh:
- Fisk që të nxjerr prej fesë, domethënë të cilësuarit me të nuk kanë iman, sikurse është rasti në këtë ajet.
- Fisk që nuk të nxjerr nga feja (nuk të bën jobesimtar), sikurse shfaqet në fjalën e Allahut, në suren Huxhuratë: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë fâsik ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni rreth atij lajmi…” Më poshtë, Allahu i Madhëruar i përshkruan këta fasik-ë (jobesimtarë), duke thënë:
– “…ata që e thyejnë besën e dhënë Allahut, pasi ajo është lidhur,” – Kjo besë është dy llojesh: besë e lidhur mes tyre dhe Allahut të Lartësuar, dhe besë e lidhur mes tyre dhe njerëzve të tjerë. Kjo e fundit dokumentohet dhe regjistrohet me elementë të shumtë sigurie. E, sidoqoftë, fasik-ët nuk pyesin fare për kontratat dhe marrëveshjet e bëra. Ata i shkelin dhe i thyejnë si marrëveshjet që kanë me Krijuesin, ashtu dhe marrëveshjet me krijesat. Ata shpërfillin urdhrat dhe ndalesat e marra nga Krijuesi, ashtu siç shpërfillin të drejtat e krijesave dhe marrëveshjet me ta. Përveç kësaj:
– “… që e shkëpusin atë (lidhje) që Allahu ka urdhëruar të jetë e vazhdueshme,” – Këto lidhje, për të cilat Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që të ruhen, janë të shumta. Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar që, së pari, të mbajmë të paprekur e të vazhdueshme lidhjen mes nesh dhe Tij, duke forcuar besimin në fe dhe duke i shprehur Atij adhurimet tona në mënyrë të përsosur dhe me përkushtim. Ai na ka urdhëruar që të mbajmë të forta, lidhjet me Profetin e Tij. Lidhjet me të mbahen duke e besuar atë, duke e ndihmuar atë (dhe fenë e tij), duke respektuar urdhrat e tij dhe duke i dhënë hakun e tij, në çdo aspekt. Ai na ka urdhëruar që të mbajmë lidhjet me prindërit tanë, me të afërmit, miqtë dhe me të gjitha krijesat, duke u dhënë atyre hakun, sipas dispozitave të vendosura nga Allahu i Madhëruar.
Të gjitha këto lidhje duhet t’i mbajmë të forta dhe të paprekshme. Besimtarët i mbajnë fort të gjitha ato lidhje për të cilat i ka urdhëruar Allahu i Madhëruar, duke i dhënë hakun çdo aspekti, në formën më të përsosur dhe më të bukur. Ndërsa fasik-ët ndërpresin dhe shkatërrojnë çdo lidhje dhe harmoni, në gjithçka që i rrethon, duke shkelur me këmbë të drejtat e të gjithëve, me shfrenimin e tyre dhe me veprat e shëmtuara që bëjnë. Veprat e tyre quhen ndryshe edhe: ‘shkatërrim i tokës’. Allahu i Lartësuar e përkufizon krimin e tyre me fjalët:
– “…dhe në tokë mbjellin shkatërrimin”. – Përfundimi i të tillëve është i qartë:
– “Pikërisht ata janë të humburit (që humbën gjithçka).” – Këta që u përshkruan deri tani, janë të dështuarit dhe të humburit, qoftë në dynja, qoftë edhe në ahiret. Allahu i Madhëruar e ka kufizuar dështimin dhe humbjen vetëm për këta lloj njerëzish, sepse dështimi i tyre është i gjithanshëm. Ata nuk kanë asnjë lloj suksesi, pasi çdo vepër e mirë (që sjell fitim e sukses), për të qenë e tillë, ka si kusht imanin. Pra, ai që nuk ka iman, nuk ka të llogaritshme as vepra të mira. Ky është dështimi dhe humbja që sjell mungesa e imanit. Dështimi dhe humbja mund të shkaktohen ose nga kufri, ose nga gjynahet dhe gabimet, ose nga neglizhenca e treguar ndaj veprave të pëlqyeshme. Në këtë dështim dhe humbje mund të përfshihen të gjitha krijesat, përveç atyre që gëzojnë katër tipare:
- ata që besojnë;
- që bëjnë vepra të mira;
- që këshillojnë njeri-tjetrin për të drejtën;
- që këshillojnë njëri-tjetrin për durim.
Siç thotë i Madhëruari në suren Asr: “Betohem për kohën! Njeriu është në humbje. Përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, këshillojnë njëri-tjetrin për (të pasuar) të vërtetën dhe këshillojnë njëri-tjetrin për durim.”. Me fjalë të tjera, shkaktari kryesor i humbjes dhe i dështimit qëndron në mosrealizimin e atyre mirësive, për të cilat adhuruesi i ka plotësisht mundësitë që t’i realizojë. Ndërsa pasoja e dështimit është mosarritja e asaj gjëje që është brenda mundësive për t’u arritur.