Ajetet 30 – 34
30. Kur Zoti yt u tha melekëve: “Unë po vendos në tokë një mëkëmbës.”, ata thanë: “A do të vendosësh atje dikë që do të shkatërrojë dhe do të derdhë gjak (të pafajshëm), kur ne të madhërojmë Ty me lavdinë Tënde, e (vetëm Ty) të shenjtërojmë?” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini”.
31. E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit emrat e të gjithë gjërave. Pastaj ato (sendet) ua paraqiti melekëve dhe tha: “Më tregoni emrat e këtyre (sendeve), nëse jeni të saktë (në pretendimin tuaj).
32. Ata thanë: “Pa të meta je, o Zoti ynë! Ne kemi veçse atë dije që Ti na e ke mësuar. Vërtet, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.
33. Tha (Allahu): “O Adem! Tregojua atyre (melekëve) emrat e tyre (të sendeve). E kur (Ademi) ua tregoi atyre (melekëve) emrat e tyre (sendeve), Zoti tha: “A nuk ju kam thënë se Unë di të fshehtën e qiejve dhe të tokës dhe se e di shumë mirë atë që ju e shfaqni dhe atë që e fshihni?
34. Kur u thamë melekëve: “Bini në sexhde para Ademit”, ata menjëherë u përulën, përveç Iblisit. Ai refuzoi, shprehu mendjemadhësi dhe u bë prej mohuesve.
Shpjegimi i ajeteve
– “Kur Zoti yt u tha melekëve: “Unë po vendos në tokë një mëkëmbës.” – Ky moment shënon fillimin e shtjellimit të historisë së Ademit (alejhi selam), babait të njerëzimit. Kur Allahu i Madhëruar deshi të krijonte Ademin, Ai njoftoi melekët për këtë krijim që do të bënte, duke u thënë se këtë krijesë do ta vendoste si halife pra një krijesë që do të popullojë tokën e do të zëvendësojnë njëri-tjetrin brez pas brezi në të (pasi më parë ishte e populluar nga xhindet). Atëherë, melekët thanë:
– “A do të vendosësh atje dikë që shkatërron dhe derdh gjak (të pafajshëm)” – Domethënë: A do të vendosësh atje dikë që sjell shkatërrim, duke bërë poshtërsi dhe duke mos t’u bindur Ty? Përmendja e gjakderdhjes, që në vetvete është një krim, tregon për vëmendjen e veçantë që i kushtohet asaj. Pra, edhe pse gjakderdhja është pjesë e poshtërsive, të cilat përmenden në përgjithësi si arsye e habisë së melekëve, ajo përmendet edhe veçmas, për të treguar sa i madh është krimi që quhet vrasje ose gjakderdhje. Ky ishte mendimi që kishin melekët rreth këtij banori të tokës. Ata mendonin se ai do ta mbushte tokën me shkatërrime dhe poshtërsi, dhe për këtë arsye, në shenjë madhërimi për Allahun, i bënë Atij këtë pyetje, duke i shprehur gjithashtu se ata e adhuronin dhe e madhëronin Atë pa u përlyer me asnjë lloj poshtërsie e padrejtësie. Ata thanë:
– “…kur ne të madhërojmë Ty me lavdinë Tënde, e (vetëm Ty) të shenjtërojmë?!” – Shprehja: “e (vetëm Ty) të shenjtërojmë” (Nukad-disu leke), nëse e analizojmë me hollësi, mund të ketë dy kuptime:
- Kuptimi i “Nukad-disu leke”, ka mundësi të ketë lidhje me kuptimin e shprehjes: “nukad-disuke”, pra: “Të shenjtërojmë Ty”; duke e marrë fjalën ‘le’ si të vendosur për të shprehur posaçërimin e shenjtërimit vetëm për Allahun e Madhëruar. Me këtë shpjegim, kuptimi i shprehjes “Nukad-disu leke” është: “dhe ne të shenjtërojmë vetëm Ty”.
- Kuptimi i “Nukad-disu leke” mund të lidhet edhe me shprehjen: “Nukad-disu leke enfusena”, domethënë: “I pastrojmë dhe i lartësojmë vetet tona për Ty. I lartësojmë dhe i pastrojmë vetet tona për të kushtuar Ty adhurimin tonë”.
“Nuķad-disu” do të thotë “i shenjtërojmë”, dhe shenjtërimi nuk është gjë tjetër veçse pastrim nga çdo e metë. Në këtë mënyrë, kuptimi i shprehjes “nukad-disu leke” është: “Ne i pastrojmë shpirtrat, vetet tona nga çdo mëkat dhe cilësi e keqe, duke u pajisur me çdo cilësi të mirë dhe virtyt të lartë, si: dashuria për Allahun apo frikërespekti dhe madhërimi për Të. Pra, për admirimin dhe adhurimin tonë ndaj Teje (o Allah), ne i pastrojmë vetet tona nga çdo cilësi e keqe.” Allahu i Lartësuar u thotë melekëve:
– “Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini” – Pra, i Madhëruari tregoi se Ai dinte rreth atij banori që do të vendoste në tokë, atë që melekët nuk e dinin. Fjala e melekëve vinte si pasojë e mendimit dhe e gjykimit të tyre, të mbajtur fshehur në shpirtrat e tyre, por Allahu i Madhëruar e di atë që shfaqet dhe atë që fshihet. Allahu i Lartësuar i dinte shumë mirë mirësitë që do të sillte vendosja e këtij banori në tokë. Mirësitë që do të vinin në jetë me këtë krijesë, do të ishin shumë herë më të mëdha se të këqijat që do të shfaqeshin prej llojit të tij. Do të mjaftonte si arsye për vendosjen e tij në tokë fakti që Allahu i Madhëruar deshi që nga mesi i llojit të këtij banori të Tokës (njeriut), të dalloheshin mbi të tjerët: profetët, të sinqertët, dëshmorët dhe vepërmirët, nëpërmjet të cilëve Allahu i Lartësuar do t’u shfaqte krijesave shenjat dhe argumentet e madhështisë së Tij.
Nëpërmjet njeriut, do të dilnin në pah shumë aspekte të adhurimit të Krijuesit, siç është, për shembull, lufta e përpjekja në rrugë të Allahut, të cilat kurrë nuk do të shfaqeshin nëse nuk do të vinte në ekzistencë kjo krijesë. Kjo tokë është dëshmitare e ndjenjave dhe e aftësive të jashtëzakonshme që gjenden brenda kësaj krijese. Në këtë botë do të shfaqen prirjet e mira e të këqija, të fshehura brenda njeriut. Qeniet njerëzore sprovohen në prirjet dhe në ndjenjat e tyre, për t’u spikatur dhe për t’u dalluar armiqtë e Zotit nga të dashurit e Tij, për të dalë hapur ata që i përkasin palës së Allahut dhe ata që janë kundra Allahut, pasi nuk u binden urdhrave të Tij. Pikërisht kjo krijesë (njeriu) është shkaku që e keqja, që kishte zënë vend brenda shpirtit të Iblisit, të shfaqej me të gjitha përmasat e saj, bashkë me të gjitha cilësitë e tij. Do të mjaftonte veç një pjesë e këtyre urtësive, për të argumentuar dhe për të justifikuar krijimin dhe vendosjen e këtij banori në tokë.
Duke qenë se fjala e melekëve përmbante në vetvete një lloj pretendimi nga ana e tyre, se ata ishin më të mirë, më të vyer dhe më të zgjedhur, kundrejt kësaj krijese, Allahu i Madhëruar i sqaron ata përse ishte zgjedhur njeriu mëkëmbës në tokë, duke u treguar mirësitë dhe vlerat e tij. Kështu, ata do të mësonin për vlerat e njeriut, nga njëra anë, si dhe për vërtetësinë dhe dijen absolute të Krijuesit të Tij, nga ana tjetër. Thotë i Madhëruari:
– “E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit emrat e të gjithë gjërave” – Pra, Allahu i Madhëruar i mësoi Ademit emrin e çdo sendi dhe të çdo gjëje të emërtuar. Ai i mësoi emrat dhe të emërtuarit me to, i mësoi termat dhe kuptimin e tyre, madje ia mësoi emrat në formën e tyre normale dhe në formën zvogëluese.
– “…e pastaj ato ua paraqiti melekëve dhe tha: “Më tregoni emrat e këtyre (sendeve të emërtuar), nëse jeni të saktë.” – Pra, Allahu i Lartësuar ua paraqiti të emërtuarat melekëve, për t’ua provuar që ata nuk kishin dije rreth tyre. Ai u tha atyre: “Me tregoni rreth emrave të këtyre, nëse jeni të drejtë, të sigurt e të vërtetë në atë që thoni. Nëse jeni të sigurt në fjalët, në mendimin dhe në pretendimet tuaja, se jeni më të mirë se ky mëkëmbës, atëherë më flisni për emrat e këtyre (të emërtuarve)!
– “ Pa të meta je, o Zoti ynë!” – Kuptimi është: Ti je larg çdo të mete e mangësie, që ne të mund të kundërshtojmë apo të thyejmë urdhrin Tënd.
– “Ne kemi veçse atë dije që Ti na e ke mësuar.” – Kuptimi: Ne nuk kemi dije në asnjë aspekt a këndvështrim tjetër, por veçse në drejtime dhe aspekte që Ti na i ke mësuar, si mirësi dhe dhuratë prej Teje.
– “Vërtet, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.” – Kuptimi: Ti je i Gjithëdituri, i Cili ka përfshirë gjithçka në dijen e Tij. Dijes së Tij nuk mund t’i fshihet asnjë thërrmijë që ekziston, kudo qoftë ajo, në qiell apo në tokë, që nuk mund t’i fshihet as ndonjë gjë më e vogël se thërrmija, as më e madhe se ajo.
– “…dhe i Urti” – Kuptimi: Ti je i Urti, që ka urtësinë absolute, jashtë së cilës nuk del asnjë krijesë. Të gjitha janë pjesë e urtësisë së Tij gjithëpërfshirëse: krijesat, urdhrat dhe dispozitat e Tij. Nëse ka krijuar diçka, këtë e ka bërë me një urtësi të caktuar. Nëse urdhëron për diçka, këto urdhra shfaqin urtësinë e Tij. Urtësia është: vendosja e çdo gjëje në vendin që i takon. Kështu pra, melekët e pranuan dhe e miratuan dijen dhe urtësinë e Allahut të Lartësuar, në momentin kur u ndien të paaftë në njohjen e gjërave më të vogla dhe më të imta, për të cilat u pyetën. Ata, gjithashtu, shprehën mirënjohje për mirësitë e Allahut ndaj tyre, mes të cilave ishte edhe dija që u dhuroi për çdo gjë që nuk e dinin. Allahu i Lartësuar i drejtohet Ademit (alejhi selam) dhe i thotë:
– “O Adem, tregoju atyre (melekve) emrat e tyre (të emërtuarve)” – Kuptimi: Tregoju melekëve rreth emrave të të emërtuarve, rreth të cilëve Allahu i Lartësuar i pyeti melekët, dhe ata nuk u përgjigjën.
– “E kur (Ademi) ua tregoi atyre (melekëve) emrat e tyre (sendeve), Zoti tha: “A nuk ju kam thënë se Unë di të fshehtën e qiejve dhe të tokës dhe se e di shumë mirë atë që ju e shfaqni dhe atë që e fshihni?” – Pra, kur Ademi (alejhi selam) i njoftoi melekët rreth emrave të gjithçkaje, atyre iu bë e qartë grada, vlera dhe niveli i Ademit, kundrejt tyre. Ata e kuptuan urtësinë e Krijuesit dhe dijen e Tij absolute për vendosjen e këtij mëkëmbësi në tokë, dhe kështu që iu dorëzuan urtësisë së Allahut të Lartësuar. Ai di gjithçka që fshihet në qiej dhe në tokë, edhe atë që ne nuk mund ta shohim. Dhe nëse Ai e njeh të fshehtën, atëherë gjërat e hapura dhe të shfaqura domosdo që i njeh.
– “Kur u thamë melekëve: “Bini në sexhde para Ademit, ata (melekët) menjëherë u përulën, përveç Iblisit. Ai refuzoi, shprehu mendjemadhësi dhe u bë prej mohuesve.” – Të gjithë melekët nxituan për të zbatuar urdhrin e Allahut të Lartësuar dhe ranë në sexhde, përveç Iblisit. Ai refuzoi, shfaqi mëndjemadhësi dhe u bë prej mohuesve. Pra, vetëm Iblisi u ndalua dhe shprehu refuzim të fortë për të rënë në sexhde. Ai u tregua kryelartë, rebel dhe mendjemadh kundrejt urdhrit të Allahut dhe kundrejt vlerave dhe nivelit të Ademit (alejhi selam).
Iblisi tha, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “A t’i bie në sexhde atij që Ti e krijove nga balta?!” Ky refuzim i fortë dhe kjo mendjemadhësi e mosbindje ndaj urdhrit, ishte rezultat i kufr-it, me të cilin Iblisi ishte i gatuar në vetvete. Pikërisht në ato momente u shfaq haptazi armiqësia që ai fshihte kundrejt Allahut të Lartësuar dhe Ademit (alejhi selam). Ky ishte haptazi mosbesimi dhe rebelimi i tij ndaj Allahut të Lartësuar. Në këto ajete ka shumë mësime dhe dobi, si:
- Pohimi për Allahun e Lartësuar i cilësisë së Tij të të folurit. Ai ka qenë dhe vazhdon të jetë i cilësuar me këtë atribut. Ai thotë çfarë të dëshirojë dhe i flet kujt të dëshirojë. Ai është i cilësuar, gjithashtu, me dije dhe urtësi.
- Në këto ajete gjejmë dëshmi që, nëse robi nuk arrin të konceptojë dhe të kuptojë plotësisht apo imtësisht ndonjë nga urtësitë e krijimit të Allahut të Lartësuar, apo të urdhrave që përmbajnë dispozitat e Tij, atëherë ai e ka për detyrë që të dorëzohet dhe t’i pranojë ato plotësisht, pa më të voglin ngurrim a mëdyshje. Ai duhet të pranojë plotësisht urtësinë e Allahut të Lartësuar edhe nëse, ndonjëherë, do t’i duhet të hedhë poshtë dhe të akuzojë mënyrën e vet të të menduarit, të konceptimit të gjërave, që, sigurisht, është e kufizuar, shpeshherë edhe e mangët (në varësi të ndikimeve që e rrethojnë).
- Në këtë ajet tregohet rëndësia e madhe që i kushton Allahu i Lartësuar melekëve dhe bamirësia e madhe që Ai ka bërë ndaj tyre, duke u mësuar atë që nuk e dinin dhe duke u tërhequr vëmendjen ndaj asaj që nuk e kishin mësuar.
- Në këtë ajet tregohet dobia dhe rëndësia e diturisë, në shumë aspekte:
- Allahu i Lartësuar u prezantohet melekëve duke u treguar diturinë e Tij absolute dhe urtësinë e Tij madhështore.
- Ai ua bëri të qartë melekëve se në ç’aspekt Ademi (alejhi selam) ishte më i mirë se ata, duke deklaruar, në këtë mënyrë, se dituria është cilësia më e mirë që mund të gjendet te dikush.
- Kur u shfaq vlera dhe grada e Ademit (alejhi selam) në aspektin e diturisë, Allahu i Lartësuar i urdhëroi melekët që të binin në sexhde, në shenjë nderimi për të cilësuarin me këtë cilësi.
- Grada e lartë në dituri bie më shumë në sy para dikujt tjetër, kur, fillimisht, vihet në provë njëra palë. Kur përgjigjja jepet nga më i dituri, del dhe shfaqet më e fuqishme vlera e të diturit kundrejt palës tjetër.
- Në këto ajete jepen mësime dhe dituri për gradën e dy personave të rëndësishëm: babait të njerëzimit dhe babait të xhindëve. Në to jepet grada dhe vlerësimi i lartë për Ademin (alejhi selam), babain e njerëzimit, dhe cilësitë që Allahu i Lartësuar i dhuroi Atij.
- Gjithashtu, jepet qartë edhe armiqësia e ashpër që Iblisi shfaqi ndaj Ademit (alejhi selam) dhe llojit të tij, e të tjera si këto.