Ajetet 35 – 39
35. Ne i thamë: “O Adem! Banoni në Xhennet, ti dhe bashkëshortja jote dhe hani nga frutat e tij lirisht dhe ku të dëshironi! Por mos iu afroni asaj peme, e të bëheni të padrejtë.”
36. Por Shejtani i tundoi ata nëpërmjet saj (pemës) dhe i nxori nga ajo (e mirë) ku patën qenë. Ne u thamë: “Zbritni (dilni prej Xhennetit)! Ju jeni armiq të njëri-tjetrit! Në tokë, ju do të keni vendbanim e strehim, dhe në të do të gjeni furnizim deri në një afat (të caktuar).
37. Pastaj Ademi, prej Zotit të vet, mësoi disa fjalë (lutjeje), dhe Ai ia pranoi pendimin. Ai është Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti.
38. Ne u thamë: “Dilni prej tij (Xhennetit) që të gjithë! Juve, pa dyshim, do t’ju mbërrijë udhëzim prej Meje. Çdokush që pranon udhëzimin Tim, nuk do të ketë frikë e as nuk do të brengoset.
39. Ndërsa ata që mohojnë besimin dhe përgënjeshtrojnë argumentet Tona, do të jenë banorë të Zjarrit. Në të (në Zjarr) ata do të jenë përjetësisht”.
Shpjegimi i ajeteve
– “Ne i thamë: “O Adem! Banoni në Xhennet, ti dhe bashkëshortja jote…” – Allahu i Lartësuar e krijoi Ademin dhe e dalloi mbi krijesat e tjera. Për t’i plotësuar e përsosur më shumë mirësitë e Tij ndaj Ademit (alejhi selam), Allahu i Lartësuar krijoi prej Ademit një krijesë (femrën), që t’i shërbente si qetësim dhe kënaqësi për Ademin (alejhi selam). Ajo do të ishte një ‘vendprehje’ për të. Allahu i Lartësuar i urdhëroi ata që të banonin në Xhennet dhe të ushqeheshin prej tij, duke u thënë:
– “…dhe hani nga frutat e tij lirisht dhe ku të dëshironi” – Kuptimi: Hani fruta, domethënë shumë lloje frutash, me kënaqësi dhe duke i shijuar ato. Kështu, Ai i lejoi të provonin nga çdo gjë që shihnin në Xhennet dhe prej çdo lloji të frutave që të dëshironin. Allahu i Lartësuar i tha Ademit (alejhi selam), sikurse tregohet në suren Ta Ha, ajeti 119: “Ti aty (në Xhennet) nuk ke për të qenë i uritur e as ke për të mbetur i zhveshur. Aty nuk ke për të patur etje e as nuk do të kesh vapë.” Por, më pas, Allahu i Lartësuar, duke dashur t’i sprovonte, u tha:
– “por mos iu afroni asaj peme e të bëheni të padrejtë.” – Domethënë flitej për një lloj peme që gjendej aty, mes të tjerave. Ndalesa e drejtuar e bënte haram afrimin te pema, sepse çdo rast kur nuk respektohet një ndalesë konsiderohet padrejtësi, zullum. Por armiku i tyre (Shejtani) vazhdoi t’u bënte atyre vesvese, t’ua zbukuronte haramin dhe t’i tundonte drejt tij, derisa:
– “Shejtani i tundoi ata nëpërmjet saj (pemës)” – Pra, i tronditi nga bazat dhe qëndrueshmëria e tyre për të mos thyer urdhrat. Këtë e arriti duke ua zbukuruar të ndaluarën, duke iu betuar atyre dhe duke u shtirur si këshilltar i mirë, që u donte të mirën. E kështu, ata u mashtruan dhe iu bindën atij.
– “…dhe i nxori nga ajo (e mirë) ku patën qenë.” – Në këtë mënyrë, ai i nxori ata nga mesi i atyre mirësive dhe kënaqësive që po shijonin, për t’u hedhur në botën e lodhjes, të mundimit dhe të përpjekjeve. Allahu i Lartësuar i kallëzon për marrëdhëniet që do të kenë mes njëri-tjetrit, njerëzit dhe xhindët, kur thotë:
– “Ne u thamë: “Zbritni (dilni prej Xhennetit)! Ju jeni armiq të njëri-tjetrit!” – Pasardhësit e Ademit (alejhi selam) do të jenë armiq të Iblisit dhe të pasardhësve të tij. Dihet shumë mirë se armiku përpiqet me të gjitha mënyrat që ta godasë kundërshtarin e tij me çdo të keqe të mundshme, si edhe t’ia ndalojë e ndërpresë të mirat atij me çdo mjet dhe me çdo rrugë që ekziston. Ky është një paralajmërim, për t’u ruajtur prej Shejtanit.
Allahu i Lartësuar thotë: “Shejtani është armiku juaj dhe si të tillë konsiderojeni. Ai e thërret grupin (pasuesit) e vet për t’u bërë banorë të Zjarrit.” Ndërsa në suren Kehf, ajeti 50, thotë: “Vallë, a në vendin Tim, do ta konsideroni si mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërkohë që ata janë armiqtë tuaj?! Sa këmbim i shëmtuar dhe i padrejtë është ky (i mohuesve)!” Pastaj Allahu i Lartësuar tregon destinacionin e zbritjes:
– “Në tokë ju do të keni vendbanim e strehim, dhe atje do të gjeni furnizim, deri në një afat (të caktuar)” – Kuptimi: Për ju toka do të jetë vend qëndrimi dhe vend jetese, deri në një afat (të caktuar). Në të do të kaloni vitet e jetës suaj, për të shkuar pastaj në vendin për të cilën u krijuat dhe i cili u krijua për ju. Jeta juaj në tokë do të jetë e përkohshme, prandaj nuk meriton të quhet ‘vendprehjeje’, me plot kuptimin e fjalës. Kjo tokë është veçse një stacion, ku ne furnizohemi, për të shkuar në destinacionin përfundimtar (Xhennet). Ajo nuk është një vendqëndrim, ku ne mund të gjejmë prehjen dhe qetësinë e plotë (të përjetshme).
– “Pastaj Ademi, prej Zotit të vet, mësoi disa fjalë (lutjeje)” – Pra, Ademi (alejhi selam) mësoi disa fjalë e lutje, me të cilat e frymëzoi Allahu i Lartësuar. Këto fjalë ishin: “Rab-bena dhalemna enfusena ue in lem tagfir lena ue terhamna le nekunen-ne minel khasirin!“ Ata të dy (Ademi dhe Havaja) thanë: “Zoti ynë, ne i bëmë dëm vetes sonë. Nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi të humbur!” (Araf : 23). Kështu, Ademi (alejhi selam) e pranoi gabimin që bëri dhe i kërkoi Allahut të Lartësuar që këtë gabim t’ia mbulonte dhe t’ia falte. Përgjigjja ishte:
– “…dhe Ai ia pranoi pendimin. Ai është Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti.” – Pra, Allahu i Lartësuar e pranoi pendesën e Ademit (alejhi selam) dhe e mëshiroi atë. Ai është Mëshirëplotë (Rrahim) ndaj adhuruesve të Tij. Prej mëshirës së tij është edhe suksesi që Ai u jep robve për t’u penduar, duke i falur dhe duke ua mbuluar të metat e tyre. Pranimi i pendimit prej Allahut kuptohet në dy mënyra:
- Me anë të suksesit për t’u penduar.
- Me anë të plotësimit të kushteve të pranimit të tij.
– Ne u thamë: “Dilni prej tij (Xhennetit) që të gjithë! – Allahu i Lartësuar përsëriti, përmendjen e zbritjes në tokë të dy të rëndësishmëve, për të njoftuar krijesat për atë që i pret ata në vendbanimin e tyre të ri (në tokë). Thotë i Madhëruari:
– “Juve, pa dyshim, do t’ju mbërrijë udhëzim prej Meje.” – Kuptimi: Në çdo kohë e në çdo periudhë, do t’ju vijë prej Meje udhëzim i qartë. Udhëzimi do të vijë nëpërmjet profetëve dhe librave që do t’u shpallen atyre. Në çdo kohë, juve do t’ju vijë ndonjë profet dhe shpallje prej Meje, që t’ju udhëzojë në rrugët e afrimit tek Unë dhe në rrugët e kënaqësisë Time. Atëherë, dijeni se:
– “Çdokush që pranon udhëzimin Tim, nuk do të ketë frikë e as nuk do të brengoset.” – Kuptimi: Çdokush prej jush që e pranon udhëzimin Tim, dhe këtë pranim e interpreton duke i besuar të dërguarit dhe librat e Mi, ka një premtim të pakthyeshëm. Secili prej jush që udhëzohet nga mësimet e tyre, me fjalë të tjera, çdokush që i beson si duhet profetët dhe librat e Mi, ka një premtim të mrekullueshëm. Por çfarë quhet besim i drejtë? Një besim i drejtë kërkon plotësimin e dy kushteve:
- Pohimin dhe besimin larg çdo dyshimi të të gjitha informacioneve që kanë ardhur nëpërmjet librave dhe profetëve.
- Zbatimin me rigorozitet të urdhrave dhe largimin nga ndalesat, të cilat janë sqaruar nga profetët dhe janë porositur në ato libra.
Çdokush që i beson profetët dhe librat në këtë mënyrë të drejtë, ka një premtim prej Allahut të Lartësuar, që thotë: “…nuk do të ketë frikë e as do të brengoset.” Ndërsa në një ajet tjetër, dhe pikërisht në ajetin 123 të sures Ta Ha, thuhet: “Ai (Allahu) u tha: “Zbritni prej tij (Xhennetit) që të gjithë! Ju do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Nëse ju vjen nga Unë udhëzim (libër e profet), atëherë kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur, e as nuk ka për t’u trishtuar”. Kështu, Allahu i Lartësuar ka premtuar katër gjëra për ata që ndjekin udhëzimin e Tij:
- Ata do të jenë të ruajtur nga frika.
- Ata do të jenë të ruajtur nga mërzitia dhe brenga.
- Ata do të jenë të ruajtur nga humbja dhe devijimi.
- Ata do të jenë të ruajtur nga trishtimi.
Për ta nuk do të ketë as frikë e as brenga. Ndryshimi mes këtyre dy gjendjeve qëndron në faktin se diçka e keqe dhe e papëlqyeshme, nëse ka kaluar, sjell brengë (el huzn) në shpirtin tënd. Ndërsa kur ajo pritet të ndodhë, shkakton frikë (el hauf). E pra, për ata që ndjekin udhëzimin e Allahut nuk ka frikë dhe as brengosje. Madje ata do të shijojnë të kundërtat e këtyre gjendjeve, duke qenë gjithnjë të sigurt dhe të qetë. Gjithashtu, kush ndjek udhëzimin e Tij nuk ka për të humbur a devijuar dhe nuk ka për t’u trishtuar. Përkundrazi, ai do të përjetojë të kundërtat e këtyre gjendjeve: ai do të jetë i udhëzuar dhe gjithnjë i lumtur.
Përfundimisht, njerëzit që ndjekin udhëzimet e Allahut kanë për të shijuar qetësinë, sigurinë, prehjen dhe lumturinë, si në këtë jetë, edhe në jetën tjetër. Vetëm ata mund të quhen të udhëzuar në rrugën e drejtë. Të udhëzuarit nuk përjetojnë asnjë lloj frike dhe brenge. Ata nuk shkelin në ndonjë rrugë të humbur dhe nuk e provojnë trishtimin e përjetshëm. Këta do të arrijnë gjithçka që dëshirojnë dhe do të jenë të shpëtuar nga gjithçka së cilës i druhen dhe të cilën nuk e duan.
– “Ndërsa ata që mohojnë besimin dhe përgënjeshtrojnë argumentet Tona, …” – Pra, ata të cilët nuk e ndjekin udhëzimin e Allahut, të sjellë nëpërmjet profetëve dhe librave:
– “…do të jenë banorë të Zjarrit. Në të (në Zjarr) ata do të jenë përjetësisht.” – Pra, ata do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, duke mos dalë kurrë prej tij. Dënimi i tyre nuk do të pakësohet e lehtësohet asnjëherë dhe ata kurrë nuk do të ndihmohen. Në këtë ajet, dhe në të tjera si ai, Allahu i Lartësuar i ndan krijesat në: krijesa të lumtura dhe krijesa të trishtuara. Në këto dy grupe klasifikohen xhindët dhe njerëzit. Ajetet kur’anore përshkruajnë gjithashtu cilësitë e secilit grup, si dhe veprat që i karakterizojnë ata. Pikërisht në bazë të këtyre veprave, ata përfundojnë në vendin që u takon. Nga ky ajet kuptohet që edhe xhindët, sikurse dhe njerëzit, do të shpërblehen me të mira dhe do të meritojnë ndëshkimet që i bëjnë hak në këtë jetë. Edhe xhindët, sikurse njerëzit, do të jenë njëlloj në përgjegjësinë që do të mbajnë, në aspektin e zbatimit të urdhrave dhe të largimit nga ndalesat hyjnore.