Ajetet 8 – 10
8. Ka njerëz që thonë: “Ne besojmë në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit”, por (në të vërtetë) ata nuk besojnë.
9. Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, por, në fakt, ata mashtrojnë veçse vetveten, dhe këtë nuk e ndiejnë.
10. Në zemrat e tyre ka sëmundje, dhe Allahu ua shton sëmundjen e tyre. Ata do të kenë një ndëshkim të dhembshëm, për shkak të mohimit të tyre.
Shpjegimi i ajeteve
Mësoje se hipokrizia (nifaķ) është: Të shfaqurit e mirësisë, duke fshehur përbrenda të keqen. Në këtë përkufizim hyjnë dy lloje të hipokrizisë: ajo e cila shfaqet në veprime e sjellje dhe ajo që shfaqet në besim. Si shembull të llojit të parë mund të përmendim ato veprime e sjellje që i ka përshkruar Profeti (alejhi selam) në hadithin e tij, kur thotë: “Shenjat treguese të hipokritit janë: Kur flet, gënjen, kur premton, e thyen premtimin, dhe kur i besohet diçka, të tradhton.”. Në një transmetim tjetër përmendet edhe kjo shenjë: “Kur polemizon, i tejkalon kufijtë (ose nuk përmbahet).” Ndërsa hipokrizia që shfaqet dhe lë gjurmë në besim, është ajo që e nxjerr njeriun nga Islami dhe është treguese e kufrit të tij.
Pra, ai që e ka këtë lloj hipokrizie është kafir (femohues, qafir), jashtë Islamit. Pikërisht për këtë lloj nifak-u flitet në ajetet e mësipërme. Në fakt, kjo lloj hipokrizie nuk ka ekzistuar dhe nuk është shfaqur para hixhretit (emigrimit të besimtarëve mekas) për në Medinë. Madje edhe pas hixhretit nuk pati shenja të tij, derisa ndodhi ngjarja e madhe e luftës së Bedrit, ku Allahu i Lartësuar, me fitoren që u dhuroi besimtarëve, tregoi fuqishëm krenarinë e tyre dhe ngriti lart famën e tyre. Në këtë moment, munafikët që jetonin në Medinë provuan poshtërimin dhe turpin. Shumë prej këtyre të poshtëruarve, për të ruajtur jetën, privilegjet dhe pasuritë e tyre, u shtirën sikur ishin në krahun e besimtarëve, ndërkohë që në zemrat e tyre fshihej mosbesimi dhe urrejtja.
Por Allahu i Madhëruar, për të shprehur butësinë dhe mëshirën e Tij ndaj besimtarëve, e përshkruan me hollësi gjendjen shpirtërore të hipokritëve, si edhe cilësitë dalluese të tyre, në mënyrë që asnjë besimtar të mos mashtrohej nga ata. Ai i shfaqi cilësitë e tyre edhe për një arsye tjetër: që ata të frenoheshin dhe të largoheshin nga shumë vepra të pista dhe të poshtra, që i bënin haptazi dhe në mënyrë të paturpshme. Allahu i Madhëruar thotë në suren Teube, ajeti 64: “Hipokritët tremben se mos zbret ndonjë sure që u nxjerr në shesh atë që kanë në zemër.” Allahu i Madhëruar i përshkruan ata, duke nxjerrë në pah esencën e hipokrizisë së tyre, kur thotë:
– “Ka njerëz që thonë: “Ne besojmë në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit”, por (në të vërtetë) ata nuk besojnë.” – Ata shprehin me fjalë diçka që nuk ekziston në zemrat e tyre, por Allahu i Madhëruar e përgënjeshtron këtë pretendim kur thotë: “…ata nuk janë besimtarë”. Që të meritosh emrin ‘besimtar’ duhet ai besim, për të cilin zemra dhe gjuha janë në përputhje të plotë. Ky pretendim bosh nga ata nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje e kotë për të mashtruar Allahun e Madhëruar dhe besimtarët që e adhurojnë Atë.
– “Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët…” – Mashtrimi është vepra e hipokritit, i cili shfaq diçka dhe fsheh diçka tjetër, për të mashtruar dhe për të arritur qëllimet e tij kundrejt të mashtruarit. E tillë është sjellja e munafikëve kundrejt Allahut të Lartësuar dhe adhuruesve të Tij besimtarë. Por, për çudi, ky mashtrim dhe kjo hipokrizi kthehet kundër tyre:
– “…por, në fakt, ata mashtrojnë veçse vetveten, dhe këtë nuk e ndiejnë…” – Vërtet, kjo është e çuditshme, se mashtruesit, në përgjithësi, ose kanë sukses me mashtrimet e tyre, duke e arritur atë që synojnë, ose dalin as të humbur e as të fituar. Por kjo nuk ndodh me ata që përpiqen të mashtojnë Allahun dhe besimtarët. Dëmet e mashtrimit dhe të hipokrizisë, në këtë rast, rëndojnë dhe godasin pikërisht vepruesit e tyre. Ata nuk bëjnë gjë tjetër, por veçse thurin kurthe dhe mashtrime për të dëmtuar vetveten, se Allahu i Madhëruar kurrë nuk mund të dëmtohet nga kurthet dhe mashtrimet e tyre. Edhe ndaj adhuruesve të Tij besimtarë, kurthet e tyre mashtruese nuk kanë asnjë lloj ndikimi a dëmi.
Fakti që hipokritët shfaqin besimin (për të mashtruar), nuk i dëmton dhe nuk i mashtron aspak besimtarët. Edhe pse me këtë hile ata mund të ruajnë të paprekur pasuritë e tyre dhe të shpëtojnë kokën, ata kurrsesi nuk mund t’i shpëtojnë poshtërimit që përjetojnë në shpirtin e tyre, nuk mund t’i shpëtojnë dëshpërimit dhe përuljes, që vijnë si pasojë e krenarisë, forcës dhe suksesit që përjetojnë besimtarët në mënyrë të vazhdueshme. Pastaj, në jetën tjetër, për ta është rezervuar një ndëshkim i ashpër, i dhembshëm dhe befasues, si pasojë e mohimit dhe e poshtërsisë së tyre. Megjithatë, për shkak të injorancës dhe mendjelehtësisë që kanë, ata nuk e ndiejnë këtë kërcënim.
– “Në zemrat e tyre ka sëmundje, dhe Allahu ua shton sëmundjen e tyre.” – Sëmundja për të cilën flitet në këtë ajet është pikërisht sëmundja e dyshimit dhe hipokrizisë. Dije se zemra është e predispozuar të goditet nga dy lloje sëmundjesh, të cilat e nxjerrin atë nga natyra e vet dhe nga pastërtia e natyrshmërisë:
- sëmundja e dyshimeve të kota, që të çojnë teposhtë, në humbje;
- sëmundja e epsheve, dëshirave dhe pasioneve të shfrenuara.
Mohimi i Zotit, mosbesimi, hipokrizia, dyshimet dhe sajesat në fe, të gjitha janë simptoma të sëmundjes së dyshimeve të kota. Ndërsa imoraliteti, dëshirat dhe tendencat drejt shfrenimit, animi nga gjynahet dhe veprimi i tyre janë simptoma të sëmundjes së epsheve dhe pasioneve të shfrenuara. Allahu i Lartësuar, kur këshillon gratë e Profetit (alejhi selam) që të jenë të ruajtura dhe të kujdesshme në shfaqjen apo fjalët e tyre, thotë më pas: “…që të mos joshet ai që ka sëmundje në zemrën e tij.” (Ahzabë : 32) Këtu, pra, është fjala për sëmundjen e epsheve të shfrenuara dhe imoralitetit. Kushdo që Allahu i Madhëruar e ruan nga këto dy sëmundje, përfiton, së pari, siguri të plotë dhe besim të patundur, dhe, së dyti, durim kundrejt çdo poshtërsie dhe gjynahu. Këto dy cilësi e ruajnë zemrën të shëndetshme dhe të paprekur.
Thënia e Allahut të Madhëruar rreth munafikëve: “…Në zemrat e tyre ka sëmundje, dhe Allahu ua shton sëmundjen e tyre”, na jep të kuptojmë një urtësi të madhe të Tij në lidhje me përcaktimin e veprave të këqija që bëjnë gjynahqarët. Duhet të kuptohet se këto gjynahe që ata bëjnë janë të përcaktuara nga Zoti i Madhëruar, si pasojë e gjynaheve paraardhëse që ata kanë bërë. Pra, këdo që merr guximin të kalojë kufijtë, Allahu i Lartësuar e sprovon me gjynahe të tjera të mëtejshme, të cilat meritojnë ndëshkimin e Tij, sikurse thuhet në suren Enam, ajetet 110-111: “Ne do t’ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë, dhe do t’i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre. Edhe sikur t’u dërgonim melekët, t’i bënim të vdekurit t’u flisnin atyre dhe t’i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën).”
Ndërsa në suren Saf, ajeti 5, Ai thotë: “Por kur ata devijuan, edhe Allahu ua devijoi zemrat. Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë një popull që kalon kufijtë.“ Në suren Teube, ajetet 75-78, Allahu thotë: “Ka nga ata, që i janë zotuar Allahut, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga mirësitë e Tij, sigurisht që do të japim sadaka dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë.” Por kur Ai u dha nga mirësitë e Veta, ata u bënë koprracë dhe kthyen shpinën. Prandaj, Ai ua ka hedhur hipokrizinë në zemrat e tyre, deri në Ditën kur do të dalin para Tij, sepse e shkelën premtimin e dhënë Allahut dhe sepse vazhdimisht gënjenin. Vallë, a nuk e dinë ata se Allahu i di sekretet e tyre dhe çdo bisedë të fshehtë dhe se Allahu është Ai që i di të gjitha të fshehtat?”
Më tej, po në suren Teube, ajetet 124-126, thuhet: “Sa herë që shpallet ndonjë sure, disa prej tyre thonë: “Kujt ia shtoi besimin kjo sure?” Po. Besimtarëve ua shton besimin dhe ata gëzohen. E, sa u përket atyre, që kanë sëmundje në zemër, ajo ua shton edhe më shumë dyshimin që kanë, dhe ata do të vdesin si mohues. Vallë, a nuk e shohin ata se çdo vit vihen në provë një ose dy herë? E, megjithatë, ata as nuk pendohen, as nuk reflektojnë.” Kështu pra, ndëshkimi i poshtërsisë është, ndër të tjera, poshtërsia tjetër që vjen pas saj, ashtu sikundër edhe prej shpërblimit të së mirës, ndër të tjera, është e mira tjetër që vjen pas saj. I Madhëruari thotë: “…dhe atyre që u udhëzuan, Allahu ua shton udhëzimin”. (Merjem : 76) Ndërsa për ndëshkimin që i pret në jetën tjetër, Allahu thotë: – “Ata do të kenë një ndëshkim të dhembshëm, për shkak të mohimit të tyre.”