Ajeti 25
25. Përgëzoji ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, se do të kenë Xhennete, në të cilat rrjedhin lumenj. Sa herë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: “Të tilla mirësi na janë dhuruar edhe më parë”. Atyre u dhurohen mirësi të ngjashme. Atje do të kenë bashkëshorte të pastra. Ata do të jenë atje (në Xhennet) përjetësisht.
Shpjegimi i ajetit
Allahu i Madhëruar, pasi përmend ndëshkimin e atyre që refuzojnë besimin tek Ai, vijon me shpërblimin e besimtarëve, që e shoqërojnë besimin me vepra të mira. Kjo është një mënyrë tërheqëse dhe e urtë, që Allahu i Madhëruar e përdor në të gjithë Kur’anin. Ai përmend njëra pas tjetrës shpërblimin dhe kërcënimin, me qëllim që robi të përjetojë vazhdimisht edhe shpresën, edhe frikën ndaj Krijuesit. Allahu i drejtohet Profetit (alejhi selam) dhe çdokujt që kryen misionin e tij, si dijetarët, thirrësit në fe etj., duke u thënë që:
– “Përgëzoji ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira…” – Pra, përgëzo ata që besojnë me zemrën dhe me gjuhën e tyre, dhe bëjnë vepra të mira me gjymtyrët e tyre, domethënë ata që vërtetojnë me punë të mira, atë që e besojnë me zemër dhe e shprehin me gojë. Allahu i Madhëruar i ka cilësuar veprat e mira, të cilat janë treguese të imanit, duke përdorur fjalën “salihat”, që do të thotë “përmirësues, rregullues”. Ai ka përdorur këtë fjalë, sepse vepra të tilla bëhen shkak që gjendja e adhuruesit të rregullohet dhe të përmirësohet hap pas hapi. Me të tilla punë rregullohen dhe përmirësohen çështjet e kësaj jete dhe të jetës tjetër, që do të kalojë besimtari. Me të tilla punë zbukurohet jeta e kësaj bote dhe jeta e amshuar. Me të tilla punë largohen nga besimtari të gjitha gjendjet dhe cilësitë e këqija, dhe ai bëhet i denjë që të llogaritet mes të mirëve. Këta të mirë (salihin) janë pikërisht ata, që do të meritojnë të qëndrojnë dhe të shijojnë lumturinë pranë Mëshiruesit, në Xhennetet që Ai ka përgatitur. Allahu i Lartësuar urdhëron dhe thotë që përgëzojini ata :
– “…se do të kenë Xhennete…” – Domethënë, do të kenë kopshte me bimë dhe pemë të çuditshme, me fruta të këndshme dhe hije të gjera. Degët e pemëve dhe bimët kacavjerrëse që gjarpërojnë në to, bëjnë që këto kopshte të quhen “xhennatin”, që do të thotë: “diçka e fshehur”, pasi në to, për shkak të dendësisë së bimësisë dhe të pemëve të shumta, banorët e lumtur lëvizin pa u dukur. Kush do të hyjë në to, do të përjetojë gëzimin dhe lumturinë e asaj jete. Një bukuri tjetër që ndodhet dhe që shijohet në këto Xhennete është edhe ekzistenca e lumenjve që rrjedhin në to. Allahu i Lartësuar thotë:
– “në të cilët rrjedhin lumenj”. – Pra, në këto kopshte rrjedhin lumenj. Këta lumenj janë të llojeve të ndryshme: lumenj prej uji, prej qumështi, prej mjalti apo prej pijesh të këndshme. Këta lumenj burojnë dhe shpërthejnë kudo ku besimtarët i kërkojnë dhe i dëshirojnë. Besimtarët e drejtojnë rrjedhën e këtyre lumenjve ku të dëshirojnë, dhe prej tyre ujitet e gjithë bimësia e Xhennetit, për të gëluar me plot fruta të këndshme e të shumëllojëshme.
– “Sa herë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: “Të tilla mirësi na janë dhuruar edhe më parë” – Sa herë që ata furnizohen me ndonjë frut prej Xhennetit, thonë: “Këtë furnizim e kemi përjetuar edhe më parë”, domethënë: Këto fruta janë të të njëjtit lloj dhe cilësie. Të gjitha janë të njëllojshme për sa i përket pamjes së këndshme dhe shijes së mrekullueshme. Nuk do të ketë ndonjë frutë që do të qëndrojë poshtë të tjerëve nga cilësitë, dhe nuk do të ketë moment që ata ta kalojnë pa shijuar dhe pa përjetuar kënaqësi në shijimin e këtyre frutave.
– “Atyre u dhurohen mirësi të ngjashme (për nga bukuria dhe madhështia e tyre)” – Disa thonë që kuptimi këtu është se ushqimet janë të ngjashme në emrat e tyre, por të ndryshme në shije. Disa thonë që janë të ngjashme në ngjyrë, por të ndryshme në emërtimet e tyre. Të tjerë thonë që ato janë të ngjashme me njëra-tjetrën në pamjen e tyre të bukur dhe në shijen e kënaqësinë që sjellin. Ndoshta ky shpjegimi i fundit është më i saktë për t’u pranuar. Allahu i Madhëruar, pasi flet për vendqëndrimet e tyre, vijon më tej me gratë e besimtarëve, të cilat i përshkruan me cilësinë më të goditur, më përmbledhëse, më të shkurtër dhe më të qartë, duke thënë:
– “Atje do të kenë bashkëshorte të pastra” – Allahu i Lartësuar, përsosmërinë e bashkëshorteve të besimtarëve e jep me cilësinë “të pastra”. Fjala “mutahherah” (të pastra) është në trajtën e pashquar (në arabisht), dhe kjo të jep të kuptosh se pastërtia e tyre nuk është e përcaktuar ose e kufizuar vetëm në këtë apo atë aspekt. Allahu i Lartësuar nuk ka thënë që ato janë të pastra dhe të ruajtura nga ajo apo kjo mangësi. Kjo, pa dyshim, është bërë me qëllim që fjala të përfshijë të gjitha dimensionet e pastërtisë dhe përsosmërisë së atyre grave. Ato janë të pastra dhe të përsosura në aspektin e moralit të tyre, të fizikut, të fjalëve që thonë, të vështrimeve që dhurojnë etj. Nëse flasim për moralin dhe sjelljen e tyre, ato janë thellësisht shprehëse që në pamjen e tyre. Pamja e tyre shpreh thellë dashurinë për burrat e tyre. Megjithatë, këtë dashuri ato dinë ta shprehin jo vetëm me pamje, por edhe me mënyra të tjera: si me sjelljen apo me moralin e tyre.
Të këndshme janë fjalët e bukura dhe të ëmbla që ato u përcjellin burrave të tyre. Ato kanë një edukatë të shkëlqyer fjalësh dhe veprimesh, që i kënaqin pa masë burrat e tyre. Fiziku i tyre është, gjithashtu, i pastër nga çdo lloj mangësie e dobësie, siç mund të jenë menstruacionet, lehonia, jashtëqitjet e çdo lloj sekrecioni i pështirë. Ato janë të pastra nga çdo lloj arome e pakëndëshme. Fiziku i tyre është i përsosur dhe me bukuri të rrallë. Edhe sikur t’i hetosh me vëmendje, nuk do të gjesh tek ato asnjë mangësi apo shëmtim. Ato janë të mirat, të bukurat. Ato janë të pastra në fjalët që thonë dhe në vështrimet që dhurojnë. Ato, me vështrimet e përqendruara te burrat e tyre, tregojnë se janë të mahnitura pas tyre dhe kurrë nuk thonë fjalë të shëmtuara.
Në këtë ajet janë përmendur: përgëzuesi, i përgëzuari, përgëzimi dhe shkaku i përgëzimit. Kështu, përgëzuesi është Profeti (alejhi selam) dhe kushdo që kryen misionin e tij, nga pjesëtarët e këtij umeti (populli islam). Të përgëzuar janë besimtarët që bëjnë vepra të mira. Përgëzime janë Xhennetet e përshkruara, me cilësitë e lartpërmendura. Kurse shkaku që bën të mundur të fitohet ky përgëzim është besimi i shoqëruar me vepra të mira. Nuk ka asnjë mundësi përgëzimi pa iman dhe pa vepra të mira. Ky është përgëzimi më i madh i bërë nëpërmjet më të mirit të krijesave, që arrihet me mjetin më të shkëlqyer. Ajeti tregon se është e pëlqyeshme të përgëzosh besimtarët dhe të bëhesh shkak që ata të motivohen për vepra të mira, duke iu përkujtuar shpërblimin që i pret. Veprat e mira bëhen më të thjeshta dhe më të dashura kur përkujton shpërblimin e Allahut. Përgëzimi më i madh që përjeton njeriu në këtë jetë është suksesi që i jepet atij për të besuar dhe për të bërë vepra të mira.
– “Ata do të jenë atje përjetësisht”. – Pas përgëzimit të mësipërm, vjen përgëzimi në momentin e vdekjes dhe, pas vdekjes, vjen takimi me mirësitë e përjetshme, të premtuara nga Allahu i Madhëruar. E lus Allahun e Lartësuar që të na bëjë edhe neve prej të përgëzuarve.