Kapitulli i Pastërtisë – Tema 4
(Nr. 7) Na ka treguar Musedded Ibn Muserhedi, këtij i ka treguar Ebu Muavije, nga El-A’meshi, ky nga Ibrahimi, ky nga Abdurrahmani Ibn Zejdi, e ky nga Selmani, i cili thotë se atij i është thënë: “Pejgamberi juaj ju ka mësuar çdo gjë, madje edhe si të kryhet nevoja? Ka thënë: Po. Na ka ndaluar, Pejgamberi (salAllahu alejhi we selem) të kthehemi ka kibla kur të kryejmë nevojën e madhe dhe të voglën, të mos e pastrojmë vendin (organin) me dorën e djathtë, të mos e pastrojë vendin ndonjëri prej nesh me më pak se me tre gurë, gjithashtu na ka ndaluar që të mos e pastrojmë organin me mbeturinë (plehun e kafshës) ose me asht”. (Hadith i saktë – Albani)
(Nr. 8) Na ka treguar Abdullah Ibn Muhammed El-Fejliu, këtij i ka treguar Ibn Mubareku, nga Muhammed Ibn Axhlani, ky nga Ka’ka Ibn Hakimi, ky nga Ebi Salihu, e ky nga Ebu Hurejra, i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi we selem) ka thënë: “Unë jam në pozitën e prindit që ju mëson juve. Kur ndokush prej jush shkon në nevojtore (për të kryer nevojë) të mos kthehet (me fytyrë) ka kibla e as të mos ia kthejë shpinën, as mos ta pastrojë vendin (organin) me dorën e djathtë”. (Pejgamberi) Urdhëronte (pastrimi i organit të bëhet) me tre gurë, kurse ndalonte që pastrimi të bëhet me mbeturinën (plehun e kafshës) dhe me ashtin e kalbur. (Hadith i mirë – Albani)
(Nr. 9) Na ka treguar Mesedded Ibn Muserhedi, këtij i ka treguar Sufjani, nga Ez-Zuhriu, ky nga Atai Ibn Jezid El-Lejthiu, e ky nga Ebi Ejjubi, sipas një versioni (në të cilin Pejgamberi) ka thënë: “Kur të shkoni për të kryer nevojë mos u ktheni kah kibla gjatë kryerjes së nevojës së madhe dhe të vogël, por, kthehuni kah lindja ose perëndimi”. “Kur erdhëm në Sham, nevojtoret i gjetëm të ndërtuara në drejtim të kibles, ne nuk ktheheshim nga ajo anë (nuk kryenim nevojë në drejtimin e saj) dhe i kërkonim falje Allahut”. (Hadith i saktë – Albani)
(Nr. 10) Na ka treguar Musa Ibn Ismaili, këtij i ka treguar Vuhejbi, këtij i ka treguar Amër Ibn Jahja, nga Ebi Zejdi, e ky nga Muakkil Ibn Ebi Ma’kili El-Esediu, i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi we selem) ka ndaluar që të kthehemi nga dy kiblet (në drejtim të Qabes dhe Kudsit) me rastin e kryerjes së nevojës së vogël ose nevojës së madhe”. (Hadith i zhvlerësuar – Albani)
(Nr. 11) Na ka treguar Muhammed Ibn Jahja Ibn Faris, këtij i ka treguar Safvan Ibn Isa, nga El-Hasen Ibn Dhekvan, ky nga Mervanul Esgar, i cili ka thënë e kam parë Ibn Omerin e urdhëroi devenë e tij që të ulet në drejtim të kiblës, pastaj u ul që të kryejë nevojën e vogël po në atë drejtim. Unë i thashë o Ebu Abdurrahman, a nuk është e ndaluar kjo? Ka thënë: Po si jo! Kjo është e ndaluar, kur je në vend të hapur. Nëse në mes teje dhe kibles ka diçka që të mbulon atëherë nuk ka gjë (nuk prish punë). (Hadith i mirë – Albani)
(Sunen Ebu Davud)