Allahu i Lartësuar thotë: “O Pejgamber! Të mjafton ty Allahu dhe atyre që të pasojnë ty.” (Enfal : 64)
Kuptimi i këtij ajeti është: Allahu i Vetëm të mjafton ty, o Muhamed, i mjafton edhe pasuesve të tu, kështu që s’keni nevojë për tjetër veç Atij. Ky ajet mund të kuptohet me dy mënyra; Kuptimi i parë është: “Të mjafton ty Allahu dhe atyre që të pasojnë ty.” Këtu përemri vetor ‘atyre’ merret në rasën dhanore. Pra kuptimi është: Edhe ty, edhe atyre që të pasojnë ty, u mjafton vetëm Allahu, dhe nuk keni nevojë për mbështetjen e askujt tjetër veç Tij. Kuptimi i dytë është: “Allahu të mjafton ty së bashku me ata që të pasojnë ty.” Këtu përemri vetor ‘ata’ merret në rasën kallëzore.
Pra kuptimi përsëri është: Ty së bashku me ata që të pasuan ty, ju mjafton vetëm Allahu, dhe nuk keni nevojë për mbështetjen e askujt tjetër veç Tij. Ky i fundit është më i sakti si mendim. Porse ka edhe një interpretim tjetër, që është i gabuar: “Të mjafton ty Allahu dhe ata që të pasojnë ty.” Këtu, përemri vetor ‘ata’ është në rasën emërore dhe luan rolin e kryefjalës së foljes “mjafton”.
Sipas kësaj, kuptimi është: “Të mjafton ty Allahu dhe të mjaftojnë ata që të pasojnë ty.” Kjo shprehje është tepër e gabuar, edhe pse mund të thuhet nga disa njerëz. Nuk lejohet që ajetit kuranor t’i jepet ky kuptim, sepse në plotësimin e nevojave, në kërkimin e ndihmës dhe në mbështetje i mjaftueshëm është vetëm Allahu, sikurse i takon vetëm Atij mbështetja, devotshmëria dhe adhurimi. Pra nuk lejohet t’i mbështetesh, t’i kërkosh ndihmë dhe të adhurosh dikë tjetër veç Allahut të Lartësuar.