Të gjitha lavdërimet i qofshin Allahut, të Cilin e lavdërojmë, tek Ai mbështetemi e kërkojmë ndihmë dhe Atij i kërkojmë falje! Tek Allahu kërkojmë mbrojtje dhe strehim që të na mbrojë nga sherri i shpirtrave tanë dhe nga të këqijat që sjellin gjynahet tona! Atë që Allahu e udhëzon në rrugë të drejtë, ai është i udhëzuar dhe askush nuk mund ta devijojë nga ajo rrugë, ndërsa atë që Allahu e lë në humbje, askush nuk mund ta udhëzojë në rrugën e drejtë. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër të adhuruar me meritë, veç Allahut që është i Vetëm dhe i Pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.
“O njerëz! Kini frikë Zotin tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, ndërsa prej tij krijoi bashkëshorten, e prej atyre të dyve përhapi shumë burra e gra. Kijeni frikë Allahun, me emrin e të Cilit përbetoheni dhe ruajini lidhjet farefisnore! Vërtet, Allahu është Mbikëqyrësi juaj i përhershëm.” (En-Nisa: 1)
“O ju që keni besuar! Kijeni frikë Allahun ashtu siç duhet të kihet frikë Ai, dhe mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë! (Ali Imran: 102)
“O ju që keni besuar! Kijeni frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta, që Ai (Allahu) t’iu mundësojë të bëni vepra të mira dhe t’jua falë gjynahet! Kush i bindet Allahut dhe të dërguarit të Tij, ka arritur mirësinë më të madhe.” (El Ahzab: 70, 71)
Fjala më e mirë është fjala e Allahut dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi që solli Muhamedi (alejhi selam). Punët më të këqija janë shpikjet në fe. Çdo shpikje në fe është devijim, çdo devijim të çon në humbje dhe çdo humbje të çon në zjarr.
O lexues i nderuar musliman! O vëlla i dashur, që të dua për hir të Allahut të Lartësuar! Po vendos në dorën tënde, pas 5 vitesh punë, këtë punim, i cili është një shkurtim i “Tefsirit të Kur’anit të madhërishëm” ose siç quhet ndryshe “Tefsiri i Ibn Kethirit”, tefsiri i imamit të nderuar, hafizit të shquar Imaduddin Ebu Fida Ismail Ibn Kethir el Kurashij el Dimashkij, që ndërroi jetë në vitin 774 h (hixhri).
Tefsiri i Ibn Kethirit nuk ka nevojë për prezantim, sepse është shumë i njohur ndër njerëz. Ky është mbase i vetmi tefsir, autori i të cilit, – Allahu e mëshiroftë! – , është përpjekur që të jetë i papërzier me njohuri e dituri të tjera. Pra, është vetëm një libër tefsiri, e asgjë tjetër. Edhe nëse autori ndonjëherë sjell dobi gjuhësore dhe rregulla të arabishtes, ose ndonjë analizë gjuhësore e stilistike, kjo ndodh rrallë, në mënyrë që të ndihmojë lexuesin që ta kuptojë qartë ajetin. Kështu, ai i sjell lexuesit një libër që merret thjesht dhe vetëm me çështjet e tefsirit.
Në fakt, autori synon me këtë veper që të realizojë një qëllim shumë të lartë: të ndihmojë me aq sa mundet në përmbushjen e qëllimit të Allahut me Librin e Tij, pra, të jetë udhëzim e dritë e qartë për besimtarët. Për të realizuar këtë synim të lartë, Imam Ibn Kethiri, – Allahu e mëshiroftë! – ka ndjekur një metodologji të pastër dhe shembullore selefije. Ai fillon duke shpjeguar Kur’anin me ajete të tjera Kur’anore, pastaj shpjegimin e ajeteve përmes haditheve të Profetit (alejhi selam) dhe përmes fjalëve dhe shtjellimeve të vyera të selefëve të mirë, prej sahabëve e tabi’inëve.
Më pas, ai mbështetet edhe në gjuhën arabe dhe kuptimet e saj të gjera dhe të pasura. Kjo është metodologjia më e mirë, rruga e drejtë dhe mënyra më e urtë dhe e pastër që të ofron rrugën më të shkurtër të arritjes së qëllimit që synohet me diturinë e tefsirit: kuptimi i fjalës së Allahut, ashtu siç e dëshiron dhe porosit Allahu i Lartësuar.
Për këtë arsye, dhe para së gjithash, duke e dëshiruar shpërblimin dhe afrimin tek Allahu i Lartësuar dhe Krenar, ndjeva një vendosmëri në shpirtin tim dhe fala istihare për të përzgjedhur këtë tefsir të mrekullueshëm, “Tefsirin e Ibn Kethirit”, e për të punuar me shkurtimin e tij, me një mënyrë të tillë që të mos lëviz aspak nga metodologjia që vetë autori ka vendosur për përpilimin e këtij libri.
Jam munduar ta sjell me një stil jo të mërzitshëm. Shpresoj që me këtë vepër të përcjell te vëllezërit e mi një tefsir konçiz, të përmbledhur e të dobishëm, që të mund të mësojnë fenë e tyre dhe të kuptojnë qëllimet e Zotit të tyre, të punojnë me mësimet e Librit të Tij, si në aspektin e akides e besimit të zemrës, ashtu edhe në aspektin e adhurimeve dhe veprave që duhet t’ia dedikojnë Allahut të Madhëruar. Përmes këtij punimi, ata mund të përhapin fjalën e të vërtetës mes njerëzve dhe të mos i frikësohen askujt tjetër veç Allahut të Lartësuar. Shpresoj që mes atyre që përfitojnë të jenë edhe ata që i nënkuptoi Profeti (alejhi selam) kur tha: “Një grup nga umeti im do të vazhdojë që të jetë shfaqës i të vërtetës. Ata nuk mund të dëmtohen nga tradhtarët ose kundërshtuesit e tyre. Ata do të vazhdojnë kështu derisa të vijë vendimi i Allahut”.
Në fakt, Tefsiri i Ibn Kethirit është shumë i zgjeruar dhe i shtjelluar, i tillë që i hyn në punë vetëm dijetarëve të dalluar dhe të spikatur. Autori e përpiloi këtë tefsir në mënyrë që dijetarët të gjejnë në këtë libër atë që përmbush kërkesat e diturisë së tyre dhe dëshirën e madhe që kanë për themelet dhe bazat e kësaj njohurie. Autori ka bërë analiza të thella që përshtaten me diturinë e thellë të kësaj kategorie dijetarësh, duke shtjelluar hollësisht çdo lloj çështjeje.
Por kjo mënyrë analize dhe ky shtjellim i hollësishëm mbase nuk mund të kapet nga nxënësit e thjeshtë të diturisë, e aq më pak nga masat e rëndomta. Kjo kategori nuk mund të përfitojë nga libri i Ibn Kethirit ashtu siç synohet, sepse nuk kanë përgatitjen e nevojshme për të kuptuar dhe përfituar nga ai, që në fund të fundit autori e solli që njerëzit të kuptojnë fjalën e Allahut. Ndoshta nga zgjatjet dhe shtjellimet e shumta dhe të hollësishme, edhe pse shumë të dobishme dhe të vyera për kategorinë e dijetarëve, njerëzit e thjeshtë mund t’i largohen dhe të mos përfitojnë prej këtij libri.
Për këtë arsye, unë vendosa që, duke iu mbështetur Allahut, të hedh këtë hap të guximshëm, edhe pse e dija mirë se po i hyja një pune shumë të madhe, që ishte mbi fuqitë e mia. Unë e dija mirë që nuk mund ta përballoja një rëndesë të tillë. Por ajo që më qetësoi ishte vetëm fakti se i isha mbështetur Allahut të Vetëm e të Plotpushtetshëm. Shpresë të madhe më jepte edhe fakti se përfitimi nga Libri i Allahut do të jetë shumë i madh, pasi ai është burim i pashtershëm force dhe shpërblimi. Sa herë që hezitoja dhe frenohesha nga kjo punë, një zë i brendshëm nga thellësia e shpirtit më thoshte: “Ec përpara dhe shpreso prej Allahut udhëzimin dhe drejtimin e duhur, ruajtjen nga gabimet dhe mbarësinë!”
Kështu, fillova punën, duke ia paraqitur çdo fazë të saj dijetarëve, në diturinë dhe gjykimin e të cilëve kisha besim të plotë. Prej tyre më vinte veçse kurajë dhe forcë për të vazhduar dhe për ta çuar në fund këtë rrugë të nisur. Allahu është Ai që ia bën mbarë robit shkaqet, synimin e përfundimin e punëve. Sa herë që përfundoja shkurtimin e disa ajeteve, ua jepja mësim vëllezërve të mij selefij, duke shfrytëzuar çdo takim me ta. Unë vërejta ndikimin e mrekullueshëm të mësimeve në shpirtrat e tyre dhe pashë se si i zbatonin në jetën e tyre mes njerëzve në përgjithësi dhe familjeve të tyre në veçanti.
E lus Allahun e Madhëruar që të ketë qenë e dobishme për ta ajo që dëgjuan dhe zbatuan prej Librit të Tij të urtë e plot mirësi. Kur ndërprisja përkohësisht mësimin e tefsirit, u lexoja atyre ndonjë libër tjetër prej librave selefij mbi teuhidin, ajetet e dispozitave e ligjeve, historinë islame, hadithin dhe kuptimin e Sheriatit e metodologjisë së drejtë.
Në vitin 1385 h (1965), Allahu i Lartësuar më nderoi duke më dhënë mirësinë të jap mësim në qytetin e shenjtë të Mekkës. Gjatë kësaj kohe ia paraqita punimin tim Drejtorit të Përgjithshëm të Mbikëqyrjes Fetare në Vendin e Shenjtë të Mekkës, shejhut të nderuar Abdullah Ibn Humejd, dhe ai e miratoi që ta jepja mësim pikërisht në Mekken e shenjtë. Kështu, fillova të jepja si mësime të përditshme prej librit të Ibn Kethirit, me shkurtimet e mia.
Pastaj iu mbështeta Allahut për të vazhduar në këtë punë dhe e luta Atë gjatë një tavafi rreth Qabes: “O Allah, mos më merr para se ta mbyll këtë punë me sukses! Ti je Gjithëdëgjues, i Afërt dhe i përgjigjesh lutjes!” Dhe Allahu iu përgjigj lutjes sime. Unë e përfundova shkurtimin e këtij Tefsiri të mrekullueshëm, duke e lavdëruar dhe shprehur mirënjohjen e thellë Allahut të Madhëruar për mirësitë e Tij të panumërta.
E lus vazhdimisht Zotin tim që të më mëshirojë për paaftësinë dhe dobësinë time dhe të më falë për të gjitha gabimet e mia dhe të më shtojë sa më shumë nga mirësitë e Tij. Unë i lutem dhe kërkoj afrimin tek Ai me besimin tim në madhështinë e Tij, në cilësitë e Tij të larta dhe emrat e Tij të bukur, që ta pranojë punën time si të mirë. Allahu e do Profetin dhe i nderon të dalluarit dhe të mirët prej besimtarëve dhe unë e lus Atë që të më bëjë edhe mua prej atyre që punojnë për të kënaqur Atë dhe të më shpërblejë më shumë sesa meritoj për ato punë të pakta, nga mëshira dhe bujaria e Tij e madhe!
E lus Atë që të na dhurojë kopshtet e mirësive të Tij dhe lumturinë e përjetshme. E lus atë që të pimë nga hauzi i Profetit tonë, nga ai hauz që, kush pi prej tij, kurrë nuk ka për të pasur më etje. E lus të Madhëruarin që të jem pasues i më të nderuarit të krijesave të Tij, më të mirit adhurues të Tij, Profetit të Fundit e ndërmjetësuesit të krijesave në Ditën e Gjykimit, të dashurit të zemrës, qetësimit të syve të mi, robit të Allahut dhe Profetit të Tij, Muhamedit, – paqja, bekimet e të gjitha lavdërimet qofshin mbi të, familjen e Tij të pastër, shokët e tij të mirë dhe të gjithë ata që ndoqën udhën e tij, deri sa të dojë Allahu!