Kjo do të thotë ta njësosh Allahun (subhane we te’Ala) për sa u përket çështjeve të krijimit, zotërimit dhe përkujdesjes ndaj krijesave. Ta njësosh Allahun (subhane we te’Ala) në çështjet e krijimit do të thotë të besosh se nuk ka krijues tjetër veç Tij: “Vërtet Atij i përket krijimi, rregullimi i punëve të krijesave, urdhërimi dhe ligjvënia.” (Araf : 54) Kjo fjali, sipas gjuhës arabe, shpreh kufizim të veprimit për një subjekt.
Po kështu edhe nga thënia e Allahut (subhane we te’Ala): “A ka krijues tjetër përveç Allahut që t’ju furnizojë nga qielli dhe nga toka?” (Fatir : 3), kuptohet qartë se krijimi i përket vetëm Allahut (subhane we te’Ala), kjo ngase këtu kjo pyetje është pyetje sfiduese. Ndërsa për “krijimet” që aludohen në ajetin, “i Lartësuar me madhështi qoftë Allahu, më i miri i krijuesve” (Mu’minun : 14) dhe në thënien e të Dërguarit (alejhi selam) lidhur me ata që bëjnë figura qeniesh me shpirt, “… atyre do tu thuhet: ‘Jepuni jetë atyre që keni krijuar’”, themi se në këto raste nuk flitet për krijim e mirëfilltë.
Krijim i mirëfilltë është atëherë kur diçka sillet në ekzistencë pa ekzistuar më parë në çfarëdo lloj forme; ndërsa këtu kemi vetëm shndërrim të diçkaje nga një gjendje në një gjendje tjetër. Gjithashtu, ky lloj krijimi nuk është gjithëpërfshirës, por i kufizuar brenda mundësive njerëzore, brenda një rrethi të ngushtë. Përfundimisht, asgjë nuk bie ndesh me përkufizimin e mësipërm: “Ta njësosh Allahun në çështjen e krijimit”.
Ta njësosh Allahun (subhane we te’Ala) në çështjen e sundimit do të thotë të besosh se krijesat nuk i sundon askush tjetër veç Krijuesit të tyre, siç thotë Allahu (subhane we te’Ala): “Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i tokës” (Ali Imran : 189) apo: “Thuaj: ‘Kush është Ai që ka në dorë zotërimin e çdo gjëje …?’” (Mu’minun, 88) E për sa u përket rasteve kur pohohet zotërimi i dikujt tjetër veç Allahut (subhane we te’Ala) si për shembull: “… me përjashtim ndaj bashkëshorteve të veta dhe ndaj atyre që i kanë në zotërimin e tyre, për të cilat nuk qortohen.” (Mu’minun : 6), si dhe: “… ose në shtëpinë së cilës i zotëroni çelësat …” (Nur : 60), në këto raste kemi të bëjmë me një zotërim gjithashtu të kufizuar që përfshin vetëm një pjesë fare të vogël të krijimit.
Një njeri zotëron vetëm çfarë ka në pronësinë vet, e jo atë çka ndodhet në dorën e të tjerëve. Megjithatë, edhe ky lloj zotërimi është i mangët, sepse njeriu edhe atë që ka nuk e sundon në mënyrë absolute. Ai mund të veprojë me zotërimin e tij vetëm sipas normave të Sheriatit. Për shembull, nëse ai do që ta djegë pasurinë e vet ose do që të ndëshkojë kafshën e vet, kjo nuk i lejohet. Allahu (subhane we te’Ala) është Ai që sundon në mënyrë absolute.
Ta njësosh Allahun (subhane we te’Ala) në çështjet e përkujdesjes ndaj krijesave do të thotë të besosh se askush tjetër veç Allahut (subhane we te’Ala) nuk i rregullon çështjet e krijesave: “Thuaj (Muhamed): ‘Kush ju sjell furnizim nga qielli e nga toka dhe kush është zotëruesi i të dëgjuarit dhe të shikuarit? Kush e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush është rregulluesi i të gjitha çështjeve?’ Do të thonë të gjithë: ‘Allahu’. Thuaju: ‘E, atëherë, nuk paskeni frikë nga ndëshkimi i Allahut?’ Ky është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. Kështu, përtej së vërtetës e ç’mund të ketë tjetër veç së gabuarës?! Si atëherë keni humbur?!” (Junus : 31-32)
Rregullimi i çështjeve nga ana e njeriut është i kufizuar vetëm në atë që ndodhet nën sundimin e tij dhe vetëm në atë që ia lejon feja. Këtë lloj teuhidi (rububije) nuk e kundërshtonin as politeistët tek të cilët u dërgua Profeti (alejhi selam), madje ata e pranonin këtë. Allahu i Lartësuar thotë: “E me të vërtetë, po t’i pyesësh ata se kush i ka krijuar qiejt dhe tokën me siguri do të thonë: “I Gjithëfuqishmi, i Gjithëdituri i krijoi.” (Zuhruf : 9) Pra, ata e pohonin se Allahu është Ai që rregullon çdo çështje dhe që në dorën e Tij është sundimi i qiejve dhe i tokës. Këtë të vërtetë nuk e ka mohuar asnjë i njohur nga bijtë e Ademit. Askush nuk ka thënë se bota ka dy krijues të barabartë.
Pra, askush nuk e ka kundërshtuar teuhidin rububije, qoftë duke mohuar krejtësisht se Zoti është krijues, qoftë duke i shoqëruar Atij dikë tjetër si krijues, me përjashtim të Faraonit. Ky i fundit e mohoi ekzistencën e Allahut (subhane we te’Ala) për shkak të kryelartësisë, duke mos pranuar veprat e Tij të posaçme. Faraoni tha: “Unë jam zoti juaj, më i larti.’” (Naziat : 24); “Faraoni tha: ‘O pari! Unë nuk di që ju të keni ndonjë perëndi tjetër, veç meje…” (Kasas : 38) Kjo ishte thjesht kryeneçësi nga ana e tij, sepse, në fakt, ai e dinte se Zoti i vërtetë ishte dikush tjetër: “Ata i mohuan argumentet Tona padrejtësisht e me mospërfillje, edhe pse në vetvete ishin të bindur për vërtetësinë e tyre …” (Neml : 14)
Po kështu Allahu (subhane we te’Ala) ka treguar polemikën e Musait me Faraonin: “(Musai) i tha: ‘Vërtet ti tashmë e more vesh se këto shenja nuk kanë zbritur nga askush tjetër veç Zotit të qiejve dhe tokës …’” (Isra : 102) Pra, Faraoni në veten e tij e dinte se Zot është Allahu (subhane we te’Ala). Ndërsa adhuruesit e zjarrit e mohonin teuhidin rrububije në aspektin e shoqërimit, duke thënë se bota ka dy krijues: Dritën dhe Errësirën. Megjithatë, ata përsëri nuk i konsideronin të barabartë këta krijues. Ata thonin se Drita është më e mirë se Errësira, sepse ajo është burim i së mirës, ndërsa Errësira sjell të keqen, dhe ajo që krijon të mirën është më e mirë sesa ajo që krijon të keqen.
Gjithashtu, Errësira është hiç dhe nuk ndriçon, ndërsa Drita është ekzistencë dhe ndriçon, pra Drita është më e përsosur në qenien e saj. Një ndryshim të tretë ndërmjet tyre – sipas adhuruesve të zjarrit – është që: Drita është e hershme, pa fillesë; ndërsa për Errësirën ata kanë dy mendime: disa thonë se është e pa fillesë, disa të tjerë thonë që ajo ka një fillesë. Logjika të mëson se Krijuesi i botës është një i vetëm: “Asnjë fëmijë nuk lindi Allahu dhe asnjë perëndi tjetër nuk gjendet përkrah Tij. (Po të kishte shumë perëndi) atëherë ç’të shihje: Secila perëndi do të kishte hequr mënjanë atë që do të kishte krijuar vetë dhe disa do të përpiqeshin të mposhtnin të tjerët!” (Mu’minun : 91)
Pra, nëse ne do të pohonim se bota paska dy krijues atëherë çdo krijues do të veçohej me atë që ka krijuar e të jetë i pavarur, siç e kanë zakon sundimtarët. Ata nuk do të kënaqeshin që në krijimet e sundimet e tyre të kishte pjesë tjetërkush, dhe nëse do të arrinin të bëheshin të pavarur do të donin diçka tjetër: që sundimi të ishte vetëm i tyre dhe askush të mos i shoqëronte në të. Kësisoj, kur secili e do për vete sundimin ata mund të jenë ose të barabartë ose njëri do të sundojë mbi tjetrin. Nëse njëri sundon mbi tjetrin atëherë zotërimi i takon atij, e nëse janë të barabartë, pra secili është i pafuqishëm kundrejt tjetrit, atëherë ky zotërim nuk i përket asnjërit prej tyre, sepse një i pafuqishëm nuk vlen të jetë zot.