Udhëtimi për në Sham.
Ebu Talibi do të shkonte për tregti me një karvan të Kurejshve deri në Sham (Siri). Muhamedi në atë kohë ishte 12 vjeç. Dikush ka thënë se ishte 12 vjeç, 2 muaj e 10 ditë. Muhamedi (alejhi selam) e pati shumë të rëndë që të ndahej nga Ebu Talibi. Atij i erdhi keq, prandaj e mori me vete.
Kur karvani mbërriti afër qytetit Busra, në kodrat e Shamit, u doli përpara një nga murgjërit e mëdhenj të të krishterëve, që quhej Behira. Ai hyri midis karvanit, shkoi te Muhamedi (alejhi selam), e mori për dore dhe i tha:
-Ky është më i madhi i njerëzimit. Ky është i dërguari i Zotit të botëve. Këtë e dërgon Allahu mëshirë për të gjitha botët.
Ata që qenë aty e pyetën: -Ku e di ti këtë?
Kur ju dolët prej qafës së malit, -tha prifti, nuk mbeti gurë e dru pa rënë në sexhde. E, gurët e drurët bëjnë sexhde vetëm për profetët. Unë e njoh atë, sepse ka vulën e profetësisë pas shpine nën shpatull; ajo është sa një mollë; e kemi të shkruar në librat tanë.”
Pastaj, murgu Behira i nderoi ata me mikpritjen e tij. Ai i tha Ebu Talibit që ta kthente Muhamedin dhe të mos shkonte me të në Sham, sepse kishte frikë mos i ndodhte gjë nga jehudinjtë dhe romakët. Dhe Ebu Talibi e ktheu Muhamedin (alejhi selam) në Mekke.
Lufta e Fixharit.
Kur Muhamedi (alejhi selam) ishte njëzet vjeç, në vendin e quajtur Pazari i Ukadhit filloi një luftë midis fiseve Kurejsh dhe Kinane, nga njëra anë dhe fiseve Kajs Ajlani nga ana tjetër. Lufta u ashpërsua shumë. U vranë disa veta nga të dy palët. Pastaj bënë armëpushim, që të numëronin të vrarët. Ajo palë që do të kishte të vrarë më tepër, do të merrte shpagimin e gjakut që ishte derdhur më shumë. Kështu vendosën. E pushuan luftën dhe i hoqën armiqësitë dhe sherrin që qe krijuar midis tyre.
Në atë luftë mori pjesë edhe i Dërguari i Allahut (alejhi selam). Ai i përgatiste shigjetat xhaxhallarëve të vet që luftonin. Kjo luftë është quajtur Lufta e Fixharit (shkeljes), sepse fiset ndërluftuese shkelën shenjtërinë e Mekkës dhe të muajit të shenjtë. Patën ndodhur katër grindje në katër vjet midis atyre fiseve. Tri të parat përfunduan vetëm me grindje dhe me një acarim të lehtë. Vetëm në të katërtën ndodhi lufta.
Pakti i drejtësisë
Në muajin Dhul Ka’de, fill pas Luftës së Fixharit u vendos Pakti i Drejtësisë (Hilful Fudul) ndërmjet pesë barqeve të fisit Kurejsh: Benu Hashim, Benu el-Muttalib, Benu Esed, Benu Zehre dhe Benu Tejm. Cila ishte arsyeja e vendosjes së paktit?
Një burrë nga Zubejdi erdhi në Mekke me plaçkë. Ia bleu As Ibn Uail es-Sehmiu, por ai nuk i dha atë që i takonte. Burri kërkoi ndihmë nga fiset Benu Abdu Dar, Benu Mahzum, Benu Xhumeh, Benu Sehm dhe Benu Adij, por ata nuk ia vunë veshin. Atëherë, ai hipi në majë të malit Ebu Kubejs dhe tha me poezi padrejtësinë që i kishin bërë. Pastaj bëri thirrje që ta ndihmonin të merrte të drejtën që i takonte.
Menjëherë shkoi atje Zubejr Ibn Abdul Muttalibi dhe qëndroi aty, derisa ato barqet, që u përmendën më lart, u mblodhën në shtëpinë e Abdullah Ibn Xhud’anit, kryetar i fisit Benu Tejm e dhanë besën dhe bënë paktin që të ndihmonin në Mekke çdo njeri, që do t’i bëhej padrejtësi. Atij duhej t’i kthehej e drejta që i takonte, qoftë vendës a i huaj. Pastaj u çuan dhe shkuan tek As Ibn Uail es-Sehmiu, ia morën me forcë atë që i takonte Zubejdiut dhe ia dhanë atij.
Në këtë pakt mori pjesë edhe vetë i Dërguari i Allahut (alejhi selam) bashkë me xhaxhallarët e vet. Kur Allahu e nderoi me Mesazhin profetik, tha: “Në shtëpinë e Abdullah Ibn Xhud’anit kam marrë pjesë në një pakt, që për mua ishte më i dashur sesa pasuria më e shtrenjtë. E, sikur të bëhej thirrje për një pakt të tillë në Islam, unë do ta pranoja.”