Teuhidi është detyrë, ndërsa ajeti: “Unë i krijova xhindët dhe njerëzit vetëm që të më adhurojnë” do të thotë se adhurimi është i saktë vetëm me teuhid. Në këtë temë dijetari ka shpalosur vlerën e teuhidit. Shpjegimi i vlerave të diçkaje nuk do të thotë se ajo nuk është detyrë, por tregon se vlera është pjesë e rezultateve dhe ndikimeve të saj. P.sh. për namazin me xhemat në një thënie të Profetit (alejhi selam), e cila ka ardhur në rrugë të sakta, thuhet: “Namazi me xhemat është njëzet e shtatë gradë më i vlefshëm se namazi më vete.” [1] Pohimi i vlerës së namazit nuk do të thotë se ai nuk është detyrë. Kështu, teuhidi është detyra më madhore pa të cilën nuk pranohet asnjë vepër. Njeriu afrohet te Zoti vetëm përmes tij dhe, në të njëjtën kohë, teuhidi ka vlerat e veta. Ja disa nga dobitë e teuhidit:
- Ai është ndihmësi më i madh për veprimin e të mirave, sepse çdo monoteist punon haptas e fshehtas, veç për hir të Allahut të Lartësuar. Ndërsa monoteisti i rremë është shtirak: ai jep sadaka, fal namaz dhe e përmend Allahun vetëm kur e shohin të tjerët. Për këtë arsye disa selefë thonin për veten e tyre: “Unë dua të afrohem tek Allahu me një vepër të mirë që vetëm Ai ta dijë.
- Ata që e njësojnë Allahun në adhurim kanë siguri dhe janë të udhëzuar, ashtu siç thotë i Madhëruari në ajetin që përmend autori në vijim: “Ata të cilët besojnë dhe nuk e përziejnë imanin e tyre me zullum kanë siguri të plotë dhe janë të udhëzuar.” (En’am : 82)
– “… me zullum …” – Zullumi tregon atë që bie ndesh me imanin, pra shirk-un. Kur zbriti ky ajet sahabëve iu duk e vështirë prandaj thanë: “Cili prej nesh nuk i bën padrejtësi vetes? Profeti (alejhi selam) tha: “Nuk është ashtu siç e mendoni ju. Me fjalën “zullum” këtu nënkuptohet shirku. A nuk e keni dëgjuar thënien e burrit të mirë, Llukmanit: “Vërtet shirku është padrejtësia më e madhe.” (Lukman : 13)
Padrejtësia mund të jetë disa llojesh:
- Padrejtësia e shirk-ut, që cenon të drejtën e Allahut. Kjo është padrejtësia më e madhe.
- Padrejtësia ndaj vetes, kur njeriu nëpërkëmb nevojat e tij. Për shembull kur agjëron çdo ditë të vitit ose kur fal namaz çdo natë pa fjetur.
- Padrejtësia ndaj tjetrit. Për shembull me rrahje, vrasje, marrje të pasurisë etj.
Nëse eliminohet padrejtësia arrihet siguria. Po a është ajo një siguri e plotë? Nëse imani është i plotë dhe nuk përzihet me mëkate siguria është e plotë. Nëse imani nuk është i plotë as siguria nuk është e plotë. Një shembull për këtë është vepruesi i një gjynahi të madh. Ai është i sigurt për mosqëndrimin e përhershëm në Zjarr, por nuk është i sigurt nga ndëshkimi. Ai është nën dëshirën e Allahut të Madhëruar: “Vërtet, Allahu nuk e fal idhujtarinë, por, veç kësaj, fal kë të dëshirojë.” (Nisa : 116)
Ajeti 82 i sures En’am lidhet me një polemikë të Ibrahimit me popullit të tij kur ai u tha atyre: “E si t’u frikësohem atyre që ju i bashkoni në adhurim me Allahun?!…” deri te: “Vërtet, sikur ta dinit.” (En’am : 81-82). Pas kësaj Allahu thotë: “Ata të cilët besojnë dhe nuk e përziejnë imanin e tyre me zullum.” Ndoshta dikush mund të thotë se këto janë fjalë të Ibrahimit për të sqaruar popullin e tij. Për këtë shkak Allahu ka vijuar: “Dhe kjo ishte prova Jonë që Ne ia dhamë Ibrahimit ndaj popullit të tij.” (En’am : 83)
– “… siguri …” – Vjen në trajtën e shquar (në arabisht), prandaj ne e komentuam sigurinë si të plotë ose të mangët, sipas shkallës së padrejtësisë.
– “… dhe ata janë të udhëzuar” – Të udhëzuar në këtë botë për në fenë e Allahut, me dituri dhe punë. Udhëzimi i diturisë shërben për orientimin, ndërsa udhëzimi i punës shërben për suksesin. Ata do të jenë të udhëzuar edhe në botën tjetër, në Xhennet. Ndërsa për banorët e Zjarrit Allahu (s.u.t.) thotë: “Mblidhini (do t’u thuhet melekëve) ata që bënë keq, bashkë me shokët e tyre (shejtanët) dhe ata që kanë adhuruar në vend të Allahut, dhe drejtojini në rrugën e Zjarrit të ashpër e flakërues.” (Safat : 22-23)
Ky është drejtimi në botën tjetër; për mizorët është Xhehenemi, e për ata që kanë besuar dhe nuk kanë bërë padrejtësi ata udhëzohen drejt begatisë. Shumë komentues thonë për pjesën “ata kanë siguri të plotë…” se siguria do të jetë në botën tjetër, ndërsa udhëzimi është në këtë botë, por e sakta është se kjo thënie përfshin sigurinë dhe udhëzimin në këtë botë dhe në tjetrën. Lidhja e ajetit me temën është për faktin se Allahu në këtë ajet pohon sigurinë për atë që nuk bën shirk. Ai që nuk bën shirk është njësues. Kjo argumenton se një nga vlerat e teuhidit është siguria e qëndrueshme.
Nga Ubade Ibn Samiti përcillet se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kush dëshmon se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të Vetëm e pa ortak, se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, se Isai është rob i Allahut, i Dërguari i Tij dhe Fjala e Tij (bëhu) të cilën ia ka drejtuar Merjemes, si dhe shpirt (i krijuar) prej Tij, dhe se Xhenneti është i vërtetë e Zjarri është i vërtetë, Allahu e fut në Xhennet, sido që të ketë punuar.” [2]
– “… Kush dëshmon se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut …” – Dëshmia duhet të paraprihet nga njohja. Allahu i Madhëruar thotë: “… përveç atyre të cilët dëshmojnë për të vërtetën me dituri.” (Zuhruf : 86) Kjo dije mund të jetë e fituar, por mund të jetë edhe e natyrshme.
Dija se s’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut është edhe e natyrshme, sepse Profeti (alejhi selam) thotë: “Çdo foshnje lind me natyrë të pastër.” [3] Ajo edhe mund të fitohet me anë të studimit dhe hulumtimit të ajeteve kuranore. Së pari, duhet që patjetër të ekzistojë dija se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, që pastaj ta dëshmosh atë.
– “… s’ka të adhuruar …” – ‘I adhuruar’ quhet ai që adhurohet me dashuri dhe madhërim. Ta duash Atë dhe ta madhërosh, sipas dijes që ke në lidhje me cilësitë e Tij madhështore dhe veprimet e Tij të larta.
– “… s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut …” – Pra, nuk ka të adhuruar përveç Allahut (s.u.t.). Për këtë, Allahu tregon habinë e kurejshëve, të cilët thanë: “A mos kërkon ai që të gjithë zotat t’i bëjë një Zot të Vetëm? Vërtet që kjo është një gjë e çuditshme!” (Sad : 5) Ndërsa ajeti: “…Kurse zotat që ata lutnin në vend të Allahut nuk u sollën ndonjë dobi…” (Hud : 101) do të thotë se ky lloj adhurimi është i pasaktë, sepse është i padrejtë. Si i tillë ai është i mohuar nga ana e Sheriatit.
Kur mohohet nga Sheriati, është njësoj si të mos ekzistojë; kështu ai nuk ka qëndrueshmëri: “Dhe shembulli krahasues për një fjalë të ligë është një pemë e keqe, e shkulur nga sipërfaqja e tokës, pa pasur aspak qëndrueshmëri.” (Ibrahim : 26) Me këtë që u tha bëhet lidhja mes ajeteve: “…Kurse zotat që ata lutnin në vend të Allahut nuk u sollën ndonjë dobi…”, “A mos kërkon ai që të gjithë zotat t’i bëjë një Zot të Vetëm? Vërtet që kjo është një gjë e çuditshme!” dhe: “Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut…” (Ali Imran : 62)
Këta zota janë thjesht emra që nuk kanë domethënie apo vërtetësi. Ata janë të pasaktë nga ana e Sheriatit dhe nuk meritojnë të quhen zota, sepse nuk bëjnë as dëm, as dobi, as nuk krijojnë e as nuk furnizojnë, siç ka thënë Allahu: “Ju adhuroni përpos Tij, veçse emra të cilët ju i keni sajuar, ju dhe baballarët tuaj, për të cilët Allahu nuk ka dërguar asnjë provë e mbështetje.” (Jusuf : 40)
Për mutekelimin-ët, – fjala Ilah [4], do të thotë: i Plotfuqishëm për krijim. Atëherë kuptimi i shprehjes “La ilahe il’Allah” do të thotë: nuk ka të Pushtetshëm për krijim veç Allahut. – teuhid sipas tyre do të thotë: ta njësosh Allahun e të thuash se Ai është Një në Qenien e Tij dhe i Pandashëm. Ai është i Vetëm në veprat e Tij, pa ortak, është i Vetëm në cilësitë e Tij e s’ka të ngjashëm. [5]
Por, sikur të ishte ky kuptimi i shprehjes “La ilahe il’Allah”, kurejshët nuk do të ishin mohues të thirrjes së Profetit (alejhi selam), përkundrazi, do të ishin besimtarë, sepse kurejshët e pranonin se s’ka Krijues tjetër përveç Allahut. Fjala “Krijues” është më e fortë se fjala “i Pushtetshëm”, sepse i pushtetshmi mund të veprojë, por edhe mund të mos veprojë, ndërsa Krijuesi ka vepruar dhe realizuar me pushtetin e Tij. Kështu kuptimi i kurejshëve për Zotin ishte më i plotë se kuptimi i mutekelimin-ëve të cilët janë pjesë e Islamit. Teuhidi me të cilin erdhën Profetët është pikërisht ashtu siç përmendet në thënien e Allahut të Madhëruar: “Ju nuk keni ndonjë të adhuruar tjetër veç Tij” pra të Adhuruar të vërtetë që meriton të adhurohet, e Ai i Cili e meriton këtë është Allahu.”
[1] Buhariu dhe Muslimi.
[2] Buhariu.
[3] Buhariu dhe Muslimi.
[4] Siç e dimë shpjegimi i fjalës ilah në arabisht me kuptim e rububijes duke e komentuar si: “i Plotfuqishëm për krijim” (el-kadiru alel ihtira), “i pavarur nga të gjithë, ndërsa të gjithë të tjerët varen nga Ai” (el mustegni amma siuahu elmuftekir ilejhi kul-lu men adahu) është një gabim i esharinjëve të cilët pohuan se kjo fjalë rrjedh nga “elihe – j’elehu – alihun” që ka kuptimin e hutimit të mendjeve. Kjo është njëra prej arsyeve pse ata pohuan se motoja e profetëve ishte: teuhidi err-rrububije. E drejta është se fjala ilah rrjedh nga elihe – j’elehu – m’eluhun” d.m.th. i adhuruar, se shehadeti shpreh njëshmërinë e Allahut në adhurim dhe në këtë thirrën të gjithë pejgamberët, ndërsa kuptimi që i kanë dhënë esharitë është i dobët gjuhësisht.
[5] Ata nuk thonë se Ai është i Vetëm në adhurimin e Tij (Kjo pjesë është marrë nga botimi i parë).