Në dy Sahih-ët thuhet se si Pejgamberi (alejhi selam) ka gjykuar mes ensarëve dhe judejve, duke marrë parasysh edhe betimet e bëra nga palët. Ai i tha Huvejjisas, Muhejjisas dhe Abdurrahmanit: “A betoheni për sa pohuat në padinë tuaj, dhe të merrni hakun ndaj vrasësit të njeriut tuaj?” “Kjo është diçka që s’e kemi parë dhe dëgjuar më parë.” – thanë ata. “Çifutët mund të zhvishen nga akuza që u keni bërë, me pesëdhjetë betime.” – u shpjegoi Pejgamberi (alejhi selam). “Si mund të pranojmë vallë si të vërteta betimet e kafirëve?” – ia kthyen ata. Atëherë, Pejgamberi (alejhi selam) e shpagoi gjakun e viktimës duke dhënë nga pasuria e vet. Sipas një varianti tjetër, Pejgamberi (alejhi selam) u tha: “Pesëdhjetë vetë prej jush duhet të betohen që vrasjen e ka kryer çifuti dhe pas kësaj, ai do t’ju dorëzohet me litarin në qafë.” – që nënkupton: dhe pastaj mund të vendosni vetë: ta vrisni për hakmarrje, t’u shpaguajë gjakun e viktimës ose ta falni.
Në fakt, hadithet e sakta që tregojnë këtë ngjarje, s’pajtohen në faktin se kush e pagoi dëmshpërblimin e gjakut. Një variant thotë që e shpagoi Pejgamberi (alejhi selam) nga pasuria e vet, ndërsa një variant tjetër thotë që ai e shpagoi me devetë e zekatit.
Në Sunen-in e Ebu Daudit, thuhet se Pejgamberi (alejhi selam) u ngarkoi judenjve ta bënin dëmshpërblimin, pasi viktima u gjet mes tyre. [1]
Në Musannaf-in e Abdurrezakut shënohet se Pejgamberi (alejhi selam), fillimisht judenjtë i vuri përpara betimit, por ata nuk pranuan të betoheshin. Pastaj u kërkoi ensarëve të betoheshin, por edhe ata s’pranuan, prandaj Pejgamberi (alejhi selam) i ngarkoi judenjtë të shpaguanin gjakun e viktimës.
Ndërsa në Sunen-in e Nesaiut thuhet se i ngarkoi judenjtë për shpagimin e viktimës dhe, për t’i ndihmuar, një pjesë e pagoi vetë. [2]
Ky vendim gjyqësor përmban disa çështje dhe argumente:
- Mund të gjykohet duke marrë parasysh kasame-t (betimet), sepse kjo procedurë buron nga feja e Allahut dhe ligji i Tij.
- Betimet mjaftojnë si provë për hakmarrje ndaj vrasësit, domethënë, për ta dënuar atë me vdekje. Për këtë dëshmon fjala e Pejgamberit (alejhi selam): “…dhe, pas kësaj, ai do t’ju dorëzohet me litarin në qafë.”, apo në variantin tjetër: “A betoheni dhe të merrni hakun ndaj vrasësit të njeriut tuaj?”.
Kuptimet e drejtpërdrejta të teksteve nga Kuranit dhe Suneti, dëshmojnë se betimet e bashkëshortit, në rastin e lian-it, mjaftojnë si provë për ekzekutimin e gruas së tij me gurëzim deri në vdekje, nëse ajo, pasi bën lian-in [3] burri, nuk pranon të betohet për shfajësim të vetvetes.
Po kështu, edhe betimet e trashëgimtarëve të viktimës, në rastin e kasame-s, janë provë për të ekzekutuar vrasësin. Ky është qëndrimi i dijetarëve të Medinës. Ndërsa dijetarët e Irakut s’i vështrojnë betimet, në asnjë nga të dy rastet, si provë për të dhënë dënim me vdekje.
Ahmedi i vështron betimet si prova të plota dhe të mjaftueshme, vetëm në rastin e kasame-s dhe jo të lian-it, kurse Shafiu mendon të kundërtën.
- Ndryshe nga mënyra se si procedohet në çështjet e tjera gjyqësore, në rastin e kasame-s, gjykatësi fillon me betimet e paditësve.
- Në qoftë se shtetasit jomuslimanë (ehlu dhimmeh) s’japin detyrimin që kanë ndaj muslimanëve, marrëveshja me ta zhvlerësohet. Kjo kuptohet nga fjala e Pejgamberit (alejhi selam) drejtuar hebrenjve: “Ja do të shpaguani gjakun e tij, ja, në të kundërt, dijeni se ju kemi shpallur luftë.”
- Nëse i padituri është larg gjykatës, atëherë gjykatësi ia përcjell kërkesat ose vendimet me shkrim, pa i kërkuar domosdoshmërisht të vijë në gjykatë.
- Lejohet të merret vendim bazuar në shkresën e gjykatësit, edhe nëse s’janë thirrur dëshmitarë për të provuar vërtetësinë e shkrimit.
- Në disa raste lejohet gjykimi në mungesë, ndaj të papranishmëve në gjykatë.
- Nuk është e mjaftueshme, në rastin e kasame-s, të betohen më pak se pesëdhjetë vetë, nëse gjenden.
- Gjykimi ndaj shtetasve jomuslimanë (ehlu dhimmeh), duhet të bëhet sipas legjislacionit islam, kur kemi të bëjmë me gjykim midis tyre dhe muslimanëve; kjo vlen edhe në rast se jomuslimanët nuk vijnë për t’u gjykuar tek ne.
- Kjo çështje u është dukur e paqartë shumë njerëzve. Flitet pikërisht për faktin që Pejgamberi (alejhi selam), dha nga devetë e zekatit për të shpaguar gjakun e viktimës.
Disa kanë shprehur mendimin se Pejgamberi (alejhi selam) dha duke u mbështetur tek e drejta që kanë borxhlinjtë për të përfituar nga zekati, por ky mendim nuk është i saktë, sepse borxhlinjtë jomuslimanë nuk përfitojnë nga zekati.
Disa të tjerë kanë shprehur mendimin se Pejgamberi (alejhi selam) dha nga pasuria e zekatit që kish tepruar pas plotësimit të nevojave të atyre që e meritonin zekatin. Kështu që prijësi, pjesën që tepron, e shpenzon për interes të shtetit islam. Ky mendim është më afër së vërtetës sesa i pari.
Akoma më afër së vërtetës është mendimi se Pejgamberi (alejhi selam) e shpagoi me pasurinë e tij, të cilën e mori hua nga devetë e zekatit. Për këtë dëshmon thënia: “Atëherë, Pejgamberi (alejhi selam) e shpagoi gjakun e viktimës duke dhënë nga pasuria e vet.”
Megjithatë, më afër së vërtetës sesa të gjitha shpjegimet e mësipërme, është ky: meqenëse Pejgamberi (alejhi selam) mori përsipër shpagimin e gjakut për të bërë pajtimin mes dy palëve, shpagimi u konsiderua si kontribut nga zekati për të shlyer borxhin e atij që merr hua për të pajtuar dy palë kundërshtare. Mbase ky ka qenë qëllimi i atyre që mendojnë se Pejgamberi (alejhi selam) e bëri shpagimin nga pjesa e zekatit që u takon borxhlinjve. Dhe, faktikisht, Pejgamberi (alejhi selam) s’ka marrë nga zekati asgjë për veten e tij, sepse atij s’i lejohej përfitimi nga zekati, por dhënia e zekatit për shpagimin e gjakut të viktimës, u vështrua si ndihmë për ata që hyjnë në borxh për të pajtuar njerëzit. Megjithatë, Allahu e di më së miri.
Për të kuptuar dëshminë se Pejgamberi (alejhi selam) i ngarkoi judenjtë të shpaguanin gjakun e viktimës, duhet të kemi parasysh se rrëfimi na është dhënë tepër shkurt. Siç duket, transmetuesi s’e ka mbajtur mend mënyrën se si do të bëhej shpagimi. Shkresa që Pejgamberi (alejhi selam) u dërgoi çifutëve, ku i njoftonte se duhej të shpaguanin të vrarin ose në të kundërt do t’u shpallej luftë, është kuptuar nga transmetuesi si detyrim që ata të kryenin dëmshpërblimin. Por, të tjerët që dëshmuan se çifutët e patën mohuar të kishin kryer vrasjen duke u betuar për këtë dhe se Pejgamberi e shpagoi me pasurinë e tij, kanë mbajtur mend diçka më tepër, kështu që këtyre u jepet përparësi.
Ndërkaq, sa i përket variantit të Nesaiut se: “Pejgamberi (alejhi selam) ngarkoi judenjtë për shpagimin e viktimës dhe për t’i ndihmuar, një pjesë e pagoi vetë.”, themi se është krejtësisht i pasaktë, për arsyen e thjeshtë se shpagimi nuk mund t’u ngarkohet të paditurve, vetëm dhe përjashtimisht me akuzën që bëjnë trashëgimtarët e të vrarit, por duhet patjetër: 1. ose pranimi i fajësisë, 2. ose provat (dëshmitarët), 3. ose betimet e paditësve; në këtë rast, siç vërehet, mungojnë të tre këta faktorë. Pejgamberi (alejhi selam) u ofroi paditësve betimet kasame, porse ata nuk pranuan të betoheshin: atëherë, si mund t’i detyronte judenjtë të shpaguanin gjakun e viktimës, duke u mbështetur thjesht mbi një akuzë?!
[1] Isnad-i i hadithit është i saktë.
[2] Sened-i është i mirë.
[3] Në rast se burri akuzon gruan e tij për zina dhe ajo nuk e pranon një gjë të tillë, ndërkohë që nuk ka katër dëshmitarë për të provuar akuzën, atëherë ai, për të mos u dënuar për shpifje ndaj gruas së tij, para gjykatësit, dëshmon katër herë duke e përforcuar dëshmine edhe me betim (eshhedu bil-lah, dëshmoj për Allahun) që po thotë të vërtetën dhe në të pestën thotë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi mua, nëse kam gënjyer!”. Ndërsa gruaja e tij, në vend të dënimit me gurëzim deri në vdekje, e shfajëson vetveten duke dëshmuar dhe përforcuar dëshminë me betim katër herë, para gjykatësit, se bashkëshorti gënjen dhe në herën e pestë të thotë: “Zemërimi i Allahut qoftë mbi mua, nëse ai ka thënë të vërtetën!”.
Por nëse gruaja, pasi burri dëshmon dhe betohet, refuzon të shfajësojë vetveten përmes dëshmisë së përforcuar me betim katër herë dhe të pestën se zemërimi i Allahut do të jetë mbi të në qoftë se bashkëshorti i saj ka thënë të vërtetën, ajo dënohet me gurëzim deri në vdekje. Ky akt që sqaruam quhet lian. Fjala lian është marrë nga fjala laën, që do të thotë: mallkim. Lian-i është quajtur kështu, sepse në herën e pestë burri thotë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi mua, nëse kam gënjyer!”.