Allahu është i Pari pa fillim dhe i Fundit pa mbarim. Ai vepron gjithçka që dëshiron. Asnjë moment dhe asnjë kohë, nuk është e zbrazët nga veprimet dhe fjalët që dalin nga vullneti dhe dëshira e Tij, ashtu siç i shkon përshtat urtësisë së Allahut, të Cilit i atribuohet kjo cilësi (Urtësia) në çdo gjë që paracakton dhe gjykon. Kjo (Urtësi) është e dukshme edhe në dispozitat që ka ligjëruar për robërit e Tij.
Në momentin kur Urtësia e Tij e plotë, Dija gjithëpërfshirëse dhe Mëshira e gjerë kërkoi (një krijim të ri), Ai krijoi Ademin, babain e njerëzimit. Një krijesë të cilën Allahu e ka nderuar në mesin e shumë krijesave të tjera. Ai (Allahu), i njoftoi engjëjt duke u thënë: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”. (El Bekare: 30) Që do të trashëgojë krijesat që qenë më parë, krijesa të cilat nuk i di askush veç Allahut.
Ata (engjëjt) i thanë: “A do të vendosësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të.” (El Bekare: 30) Këto fjalë (engjëjt) i thanë në shenjë madhërimi dhe nderimi ndaj Allahut, për të kuptuar se mos do të krijohet një krijesë, e cila u ngjan në sjellje disa krijesave të mëhershme. Ose mundet që Allahu t’u ketë treguar për krijimin e Ademit dhe veprimet e pasardhësve të tij. Por Ai (Allahu) u tha engjëjve: “Unë di atë që ju nuk e dini”. (El Bekare: 30)
Dija e Tij është gjithëpërfshirëse. Madje ajo përfshin të gjitha ato dobi të panumërta që rezultojnë në krijimin e kësaj krijese (njeriut). Ai i njoftoi për dijen e Tij të plotë dhe u kërkoi të njohin atributet e Tij, dijen e gjerë dhe urtësinë e cila aludon në faktin se, Ai nuk krijon asgjë kot së koti dhe nuk krijon asgjë pa urtësi.
Më pas u tregoi në mënyrë të detajuar, se atë (Ademin) e krijoi me Dorën e Tij, në shenjë nderimi dhe vlerësimi ndaj çdo krijese tjetër. Ai mori një grusht dhé nga të gjitha shtresat e tokës, pjesës së butë dhe të fortë, të mirës dhe të keqes, ku edhe pasardhësit e Ademit do të kishin të njëjtat veçori dhe karakteristika.
Fillimisht (Ademi) ishte dhé, pastaj mbi të hodhi ujë dhe u shndërrua në baltë. Kur uji mbi baltë qëndroi për një kohë të gjatë, balta ndryshoi ngjyrë duke u bërë e zezë dhe pa formë. Më pas (balta e zezë) u tha dhe pasi ia kishte dhënë formën, u bë si baltë e pjekur dhe e ngurtë, ku nëse e çukisje nxirrte tingull sikur godasim gurin.
Në këto etapa ai (Ademi) ishte trup pa shpirt dhe kur u plotësua krijimi i trupit, Ai i fryu shpirtin dhe ky trup që ishte i ngurtë, u bë krijesë e gjallë, me eshtra, me mish, nerva, damarë dhe me shpirt. Kjo është zanafilla e njeriut, të cilin Allahu e pajisi me çdo njohuri dhe mirësi.
Hafidh Ibn Kethir (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ai u tregoi për të vënë në dukje krijimin e Ademit dhe pasardhësve të tij, ashtu siç ndodh kur jepet njoftim për një çështje të madhe para se ajo të ndodhë. Engjëjt pyetën si për të zbuluar dhe për të ditur urtësinë e këtij krijimi dhe jo për ta refuzuar apo për ta quajtur të mangët njeriun, apo në shenjë smire, siç mund ta mendojnë disa injorantë që mundohen të komentojnë Kur’anin.” (El Bidaje uen Nihaje 1/70-71)
Më tej, ia plotësoi mirësinë (Ademit) duke i mësuar emrat e të gjitha sendeve dhe siç dihet, njohuritë e plota janë tregues për përsosmëri maksimale dhe vlera të larta morale. Allahu deshi që engjëjt ta shihnin përsosmërinë e kësaj krijese, kështu që sendet ua paraqiti engjëjve duke u thënë: “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” (El Bekare: 31)
Fjalët tuaja të para nënkuptonin se mos-krijimi i njeriut është më parësor, mendim i cili ishte momental dhe ashtu iu duk atyre (engjëjve) se do ishte më e mira. Megjithatë, ata e patën të pamundur të dinë emrat e sendeve që iu paraqitën dhe thanë: “Qofsh i lavdëruar! – thanë ata – Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.” (El Bekare: 32)
Allahu i Lartësuar tha: “O Adem, – tha Ai – tregojua atyre emrat e gjërave!” Kur ai ua tregoi emrat e tyre…” (El Bekare: 33) Engjëjt e dëshmuan përsosmërinë dhe njohuritë e kësaj krijese dhe gjëra të tjera që nuk i prisnin. U njohën me të në formë të detajuar; dëshmuan gjithashtu urtësinë e plotë të Allahut dhe e nderuan Ademin në maksimum.