Në ‘Sahih’-un e Ibn Hibanit gjendet rrëfimi i Ebu Hurejres, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nuk lind e as nuk perëndon dielli në një ditë më të mirë se dita e xhuma”. Po Ibn Hibani sjell rrëfimin nga Eus Ibn Eusi, se: “Dita më e mirë është dita e xhuma.” Është thënë se disa dijetarë mendojnë që dita e xhuma është më e mirë se dita e Arafatit, duke u mbështetur në këtë hadith.
Gjithashtu, kadiu Ebu Jala ka sjellë një variant nga Imam Ahmedi, se nata e xhuma është më e mirë se nata e Kadrit. E vërteta është se dita e xhuma është dita më e mirë e gjithë ditëve të javës. Kurse dita e Arafatit dhe dita e Kurban Bajramit janë ditët më të mira të vitit. Po kështu janë edhe nata e Kadrit dhe nata e xhumasë. Për këtë arsye, qëndrimi në haxh ditën e Arafatit, nëse qëllon ditë e xhuma, ka dallim mbi gjithë ditët e tjera, për disa arsye:
1. Përputhen dy ditë, të cilat janë nga ditët më të mira.
2. Në ditën e xhuma është një orë gjatë të cilës lutja është e sigurtë që pranohet.
Mendimet më të shumta janë se kjo kohë është ora e fundit pas ikindie. Në këtë kohë, të gjithë haxhinjtë qëndrojnë për lutje e përulje ndaj Allahut.
3. Kjo ditë përputhet me ditën e qëndrimit të Profetit (alejhi selam) në Arafat.
4. Në këtë ditë, mblidhen njerëzit anembanë tokës për hytben dhe namazin e xhumasë, e kjo përkon me ditën e grumbullit të haxhinjve duke qënduar në Arafat. Grumbullimi i muslimanëve nëpër xhamia dhe në Arafat bën që të bëjnë më shumë lutje dhe të jenë më të përulur e më të kushtuar ndaj Allahut se në ndonjë ditë tjetër.
5. Dita e xhuma është dite feste në përgjithësi, kurse dita e Arafatit është ditë feste për haxhinjtë që ndodhen atje. Për këtë arsye, nuk pëlqehet për ata që janë në Arafat të agjërojnë. Në ‘Sunen’-in e Nesaiut, është hadithi që vjen nga Ebu Hurejra se: “I Dëguari i Allahut e ka ndaluar agjërimin e ditës së Arafatit për atë që ndodhet atje”.
Porse sened-i i tij duhet parë, sepse një nga transmetuesit -Mehdi Ibn Harb el Abdini – s’është i njohur, dhe të gjitha rrugët kthehen tek ai. Megjithatë, në ‘Sahih’ vjen rrëfimi nga Ummu Fadli se, njëherë, disa njerëz debatonin në prani të saj, ditën e Arafatit, për sa i përket agjërimit të Profetit (alejhi selam). Disa thoshin: “Ai është me agjërim.” Disa të tjerë thoshin: “Jo, s’është me agjërim.”
Atëherë Ummu Fadli i dërgoi Profetit (alejhi selam) – i cili ishte mbi deve – një kupë me qumësht, dhe ai e piu qumështin. Për sa i përket qëllimit dhe urtësisë pse pëlqehet të mos agjërosh në ditën e Arafatit, kur ndodhesh në Arafat, ka diskutim mes dijetarëve. Disa, si për shembull El Hireki, thonë që në këtë mënyrë haxhiu të ketë më shumë fuqi e energji për të kryer lutje. Disa të tjerë – mes tyre edhe Shejkhu i Islamit – thonë që ajo është ditë feste për ata që janë në Arafat, prandaj nuk pëlqehet agjërimi për ta.
Argument për këtë është hadithi i ndodhur në “Sunen” se Profeti ka thënë: “Dita e Arafatit, dita e Kurbanit dhe ditët e qëndrimit në Mina janë ditët e festës sonë si muslimanë.” Shejhu ynë ka thënë: “Dita e Arafatit është festë për ata që janë atje, për arsye të grumbullimit të tyre, ndryshe nga banorët e vendeve të tjera, sepse këta të fundit, në të vërtetë, mblidhen ditën e Kurbanit. Ky është Bajrami për ta.” Ideja është se, nëse dita e Arafatit qëllon ditën e xhuma, atëherë puqen dy festa bashkë.
6. Kjo ditë përputhet me ditën që Allahu e plotësoi fenë dhe begatinë e Tij për robërit e Tij besimtarë. Në ‘Sahih’-un e Buhariut shkruhet se përcillet nga Tarik Ibn Shihabi ky rrëfim: “Shkoi një çifut tek Omer Ibn Hatabi dhe i tha: “O Prijës i besimtarëve, ju keni një ajet në Librin tuaj që e lexoni e që nëse do të na kishte zbritur neve çifutëve dhe të dinim ditën në të cilën u shpall, do ta kishim bërë atë ditë si festë.” Omeri e pyeti: “Cili ajet?” Ai i tha: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe zgjodha për ju Islamin fe” (Maide : 3). Omeri tha “Unë e di se ç’ditë qe kur zbriti ky ajet dhe vendin në të cilin zbriti. Ai i ka zbritur të Dërguarit të Allahut (alejhi selam) në Arafat, ditën e xhuma, kur ne ishim bashkë me të në Arafat.”
7. Në këtë mënyrë, kjo ditë përkon me Ditën e Grumbullimit më të madh dhe qëndrimit më madhështor, Ditën e Gjykimit. Kijameti ka për të ndodhur ditën e xhuma. Kjo vërtetohet me thënien e Profetit (alejhi selam): “Dita më e mirë është dita e xhuma: atëherë është krijuar Ademi, atëherë është futur në Xhennet e atëherë ka dalë prej tij. Në atë ditë do të ndodhë Kijameti, e në atë ditë ka një orë, në të cilën, nëse muslimani është duke iu lutur Allahut për diçka të mirë, Ai do t’ia japë atë.”
Për këtë arsye, Allahu përcaktoi një ditë për besimtarët, kur ata të mblidhen, të kujtojnë fillimin e krijimit dhe ringjalljen, Xhennetin dhe Zjarrin. Allahu ruajti dhe zgjodhi për këtë umnet (popull) ditën e xhuma, sepse ajo qe fillimi i krijimit të njeriut e ajo do të jetë dita e kthimit të tij në jetë. Për të njëjtën arsye, Profeti (alejhi selam) lexonte në namazin e sabahut të kësaj dite suret Sexhde dhe Insan. Këto dy sure përmbledhin ato që kanë ndodhur e që do të ndodhin në këtë ditë, si: krijimi i Ademit, përkujtimi i fillimit dhe i kthimit, futja në Xhennet e në Zjarr.
Kështu Profeti (alejhi selam) përkujtonte popullin e tij me çka ka ndodhur e çfarë do të ndodhë në këtë ditë. Kështu duke parë grumbullimin më të madh në dynja – grumbullimin në ditën e Arafatit – njeriu kujton qëndrimin më të madh para Allahut, pikërsisht në këtë ditë, të cilës nuk ka për t’i kaluar gjysma pa zënë banorët e Xhennetit vendet e tyre në Xhennet dhe pa shkuar banorët e zjarrit në vendet e tyre.
8. Adhurimi dhe bindja ndaj Allahut prej besimtarëve natën e xhuma dhe ditën e saj, janë më të mëdha se në gjithë ditët e tjera, aq sa edhe shumica e të shthururve e respektojnë atë. Ata mendojnë se kush vepron keq në këtë ditë, Allahu ia shpejton dënimin, pa vonesë. Këtë fakt ata e kanë ngulitur në mendje, pasi e kanë vërtetuar edhe me anë të përvojës. Kjo ndodh për arsye të madhështisë, nderimit dhe të parapëlqimit të kësaj dite ndaj gjithë ditëve të tjera tek Allahu. Nuk ka dyshim se qëndrimi në Arafat këtë ditë ka meritë ndaj ditëve të tjera.
9. Kjo ditë përkon me Ditën kur besimtarëve në Xhennet do t’u jepet shtesë kënaqësie e begatie, pasi në ditën e xhuma banorët e Xhennetit do të mbidhen në një luginë të gjerë. Për ata do të vendosen ndenjëse prej perlash, prej ari, prej xhevahiri e smeraldi dhe pirgje prej aromës së miskut. Nga këto vende ata do të shohin qartë Zotin e tyre të Madhëruar. Allahu do t’u shfaqet dhe banorët e Xhennetit do të arrijnë ta shohin me sy. Ai që do të arrijë më shpejt te Zoti i tij është ai që ka vajtur më herët në xhami, më pranë tek Allahu do të jetë ai që i është afruar më tepër imamit ditën e xhuma.
Banorët e Xhennetit do të jenë të përmalluar për Ditën e Shtimit të begatisë, për arsye të bujarisë që gjejnë në të, e kjo do të ndodhë ditën e xhuma. Nëse kjo ditë përkon me ditën e Arafatit, i shtohet veçoria dhe mirësia, sa s’mund të krahasohet me ditë tjetër.
10. Këtë ditë, pasdreke, Allahu afrohet nga ata që qëndrojnë në Arafat, krenohet përpara engjëjve me ta dhe u thotë: “Çfarë kërkojnë këta? Të jeni dëshmitarë se Unë i kam falur.” Përveç afrimit të Allahut të Madhëruar, besimtari në këtë ditë ka edhe mirësinë e çasteve të ditës së xhuma kur Ai ia pranon lutjen çdo muslimani që kërkon diçka të mirë. Kështu, besimtarët i afrohen Allahut me lutjen dhe përluljen ndaj Tij në këto çaste. Nga kjo del se afrimi i Allahut për ata që qëndrojnë në Arafat ditën e xhuma është dy llojesh:
– afrim i përgjithshëm, që ka të bëjë me pranimin e sigurtë të lutjes në orën e pranimit të saj ditën e xhuma;
– afrim i veçantë, kur u afrohet vetëm atyre që qëndrojnë në Arafat dhe krenohet me ta përpara engjëjve.
Zemrat e besimtarëve e ndiejnë këtë afrim, i cili ua shton fuqinë, gëzimin, lumturinë, kënaqësinë dhe shpresën për mirësitë e Zotit të tyre dhe për bujarinë e Tij. Në bazë të këtyre fakteve e të tjera, themi se përkimi i ditës së xhuma me ditën e Arafatit e bën atë ditën më të veçantë dhe më të begatë nga të gjithë të tjerat. Për sa i përket një fjale që është përhapur në masën e gjerë të muslimanëve se, nëse ndodh diçka e tillë, ai haxh është njësoj sikur ke bërë shtatëdhjetë e dy haxhe, themi se është një trillim dhe i pavlerë, pasi nuk ka dëshmi nga i Dërguari i Allahut (alejhi selam), as nga sahabët e as nga tabi’inët që ta vërtetojë atë. Allahu e di më së miri.