Dita më e mirë për Allahun është dita e Kurban Bajramit. Ajo është Dita e Madhe e Haxhit. [1] Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Dita më e mirë për Allahun është dita e Kurbanit, e më pas dita e nesërme”. [2] Thuhet gjithashtu se më e mira është dita e Arafatit. Ky mendim është i përhapur ndër pasuesit e medhheb-it Shafiij, duke thënë se ajo është Dita e Madhe e Haxhit, se agjërimi i asaj dite shlyen gjynahet e dy viteve, dhe se nuk ka ditë kur lirohen më shumë njerëz nga Zjarri sesa në ditën e Arafatit. [3] Allahu afrohet atë ditë te robërit e Tij që qëndrojnë në Arafat e më pas u mburret engjëjve për ata.
Megjithatë, më i drejtë është qëndrimi i parë, sepse hadithi që e shpreh atë nuk ka asnjë provë kundërshtuese. E sakta është se Dita e Madhe e Haxhit është dita e Kurban Bajramit, duke u mbështetur në ajetin e tretë të sures Teube: “…dhe një shpallje e hapur nga Allahu dhe i Dërguari i Tij për mbarë njerëzimin Ditën e Madhe të Haxhit.”
Në dy ‘Sahih’-ët, shënohet se Ebu Bekri dhe Aliu (radijAllahu anhum) e shpallën Beraen (deklarimin e lirimit nga detyrimet ndaj idhujtarëve) në ditën e Kurban Bajramit, e jo në ditën e Arafatit. [4] Në ‘Sunen’-in e Ebu Daudit, me sened më të saktë, shënohet se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë që: “Dita e Madhe e Haxhit është dita e Kurbanit”.
[5] Po kështu ka thënë Ebu Hurejra dhe një grup sahabësh të Profetit (alejhi selam). Dita e Arafatit shërben si parapërgatitje një ditë para Kurban Bajramit. Ajo është dita e qëndrimit para Zotit, dita e përuljes, pendimit dhe lutjes. Më pas, ditën e Kurbanit, bëhet vizita te shtëpia e Zotit në Mekke, prandaj tavafi në këtë ditë është quajtur ‘tavafi i vizitës’, sepse haxhinjtë pastrohen prej gjynaheve të tyre ditën e Arafatit dhe më pas në ditën e Kurbanit, Zoti u jep leje t’i bëjnë vizitë, duke hyrë në Shtëpinë e Tij. Atë ditë bëhet kurbani, rruajtja e kokës, hedhja e gurëve dhe shumica e riteve të haxhit, kurse riti i ditës së Arafatit shërben si pastrim dhe larje përpara kësaj dite.
[1] Është quajtur kështu, sepse shumica e ritualeve të haxhit kryen në këtë ditë.
[2] Ebu Daudi, Ahmedi, Hakimi. Senedi i hadithit është i saktë.
[3] Muslimi, Nesaiu, Ibn Maxheh, ku Aishja tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Nuk ka ditë kur Allahu liron më shumë njerëz nga Zjarri sesa dita e Arafatit. Allahu afrohet atë ditë nga ata që qëndrojnë në Arafat dhe mburret me ta para engjëjve e u thotë: “Çfarë dëshirojnë këta?”.”
[4] Buhariu dhe Muslimi, ku Ebu Hurejra rrëfen: “Më ka dërguar Ebu Bekri atë haxh, në ditën e Kurban Bajramit bashkë me disa zëdhënësa të tjerë të shpallim në Mina: “Pas këtij viti nuk do të bëjë haxh më asnjë idhujtar dhe nuk do të bëjë tavaf më askush lakuriq.” Humejdi thotë: “Më vonë, Profeti (alejhi selam) dërgoi edhe Aliun pas Ebu Bekrit, që të shpallte të njëjtën gjë. Ebu Hurejra tregon: “Aliu, në ditën e Kurban Bajramit, njoftoi me zë bashkë me ne ndër të pranishmit në Mina, se Allahu dhe i Dërguari i Tij janë të lira nga detyrimet ndaj idhujtarëve, se pas këtij viti nuk do të bënte haxh më asnjë idhujtar dhe se nuk do të bënte tavaf më asnjëri lakuriq.”
[5] Ebu Daudi dhe Ibn Maxheh, prej Ibn Omerit. Senedi është i saktë.