Allahu i Lartësuar është i vetmi që ka pushtetin absolut për të krijuar dhe për të përzgjedhur kë të dëshirojë mes krijesave të Tij. Ai thotë: “Dhe Zoti yt krijon çfarë të dëshirojë dhe përzgjedh”. (Kasas : 68) Në këtë ajet, fjala “përzgjedh” nuk nënkupton të ashtuquajturën “el iradeh”, pra “dëshirën, zgjedhjen e lirë”, sikurse pretendojnë mutekeliminët (skolastikët). Ata thonë se ky ajet tregon që Allahu i Lartësuar vepron me vullnetin, me zgjedhjen e Tij të lirë. Është e vërtetë dhe e padiskutueshme që Allahu i Lartësuar është i Plotpushtetshëm që të veprojë sipas dëshirës dhe zgjedhjes së Tij, por me fjalën “përzgjedh” në këtë ajet nuk është synuar ky lloj kuptimi. Kuptimi që thonë mutekeliminët përfshihet në frazën e parë të këtij ajeti: “Zoti yt krijon çfarë të dëshirojë”.
Pra, pa dyshim që Allahu i Lartësuar krijon sipas dëshirës dhe zgjedhjes së tij. Këtë kuptim e jep fjala ‘jeshau’ (dëshiron) e cila tregon se Allahu vepron atë që dëshiron. Dëshira e Tij për diçka është pikërisht pushteti i Tij i plotë për të vepruar me zgjedhjen e Tij. Ndërsa për sa i përket fjalës “jehtaru–përzgjedh” në ajetin më sipër, ajo ka një kuptim më të veçantë. Ajo ka kuptimin e përzgjedhjes, të dallimit të dikujt apo diçkaje mes të tjerave. Kështu, përzgjedhja për të cilën flitet në ajetin e mësipërm bëhet pas krijimit, ndërsa dëshira apo zgjedhja për të krijuar është diçka që i paraprin krijimit.
Dëshira apo zgjedhja për të krijuar është më përfshirëse dhe i paraprin krijimit, ndërsa përzgjedhja apo seleksionimi është më i veçantë, më kufizues dhe bëhet pas krijimit. Kësisoj, ka ndryshim midis zgjedhjes së krijimit dhe midis përzgjedhjes prej krijesave. Le ta sjellim ajetin e mësipërm të plotë, për ta sqaruar më mirë: “Dhe Zoti yt krijon çfarë të dëshirojë (Ue Rabbuke jehluku ma jeshau) dhe përzgjedh (ue jehtar). Nuk u takon atyre përzgjedhja (Ma kane lehumul hijeratu).
– Ky ajet mund të lexohet në dy mënyra:
- Duke ndaluar pas fjalës: “jehtar” (përzgjedh). Më tej nis fjalia e re: “Ma kane lehumul hijeratu (Nuk u takon atyre përzgjedhja)”. Fjala ‘Ma’ është nyja mohuese “nuk”, dhe kuptimi i fjalisë është: “Nuk u takon atyre përzgjedhja”. Dhe është pikërisht ky qëndrimi i vetëm i lejuar, sipas fjalës më të saktë të dijetarëve. Pra duhet të qëndrojmë pikërisht tek fjala “jehtar”, dhe fjalia vijuese të fillojë si një fjali e re mohore. Vërtet, nuk u takon krijesave që të përzgjedhin atë që është më i dalluari. Ky është pushtet vetëm i Allahut të Lartësuar. Sikurse Ai është i vetmi në pushtetin për të krijuar, po ashtu është i vetmi në pushtetin për të përzgjedhur dhe dalluar mes krijesave kë të dëshirojë Ai. Askush përveç Tij nuk mund të krijojë dhe askush përveç Tij nuk mund të përzgjedhë apo të dallojë mes krijesave. Allahu i Lartësuar është më i dituri se kë përzgjedh dhe dallon, se kush e meriton të dallohet dhe të përzgjidhet dhe kush nuk e meriton një nderim të tillë. Askush në asnjë mënyrë nuk merr pjesë me Allahun e Lartësuar në diçka të tillë.
- Disa të paditur janë të mendimit se ky ajet mund të lexohet pa bërë ndalesën e sipërpërmendur. Pra, sipas tyre, ai mund të lexohet: “Dhe Zoti yt krijon çfarë të dëshirojë (ue rab-buke jehluku ma jeshau) dhe përzgjedh atë të cilën ata kanë liri përzgjedhjeje (ue jehtaru ma kane lehumul hijeratu).” Pra, në këtë rast, pjesëza ‘ma’ paraqitet me kuptimin e një përemri lidhor në rasën kallëzore, që luan rolin e kundrinorit të foljes “përzgjedh”, dhe kuptimi i fjalisë del: “…dhe përzgjedh atë të cilën ata kanë liri përzgjedhjeje.” Por ky lloj formulimi i fjalisë në gjuhën arabe është i gabuar dhe i mangët. Që të jetë i saktë dhe i plotë ka nevojë për fjalën “fihi” (në të). Pra, formulimi i pranueshëm sipas rregullave të gjuhës arabe, do të ishte: “ue jehtaru ma kane lehumul hijeratu fihi” (…dhe përzgjedh atë të cilën ata kanë liri përzgjedhjeje në të).
Një argument tjetër që tregon pasaktësinë e këtij formulimi është edhe fakti që Allahu i Lartësuar tregon se mohuesit propozuan nga ana e tyre një të përzgjedhur dhe të dalluar, dhe e dëshironin që e drejta e përzgjedhjes dhe dallimit t’u takonte atyre: “Sikur t’i kishte zbritur ky Kuran ndonjë njeriu të madh prej njërit nga këto dy qytete…” (Zuhruf : 31) Por Allahu i Lartësuar ua refuzoi dhe mohoi atyre këtë të drejtë, duke bërë të qartë se përzgjedhja i takon vetëm Atij: “Vallë, a mos janë ata që e ndajnë mëshirën e Zotit tënd duke i ngritur në grada disa mbi disa të tjerë, me qëllim që disa të marrin në punë disa të tjerë dhe kështu të sigurojnë mjetet e jetesës?! Mëshira e Zotit tënd është më e mirë nga ajo që grumbullojnë ata”. (Zuhruf : 32) Pra, Allahu i Madhëruar e kundërshtoi dëshirën e tyre.
Më pas, Allahu na tregon se ai veprim nuk u përket atyre, por vetëm Atij, i Cili u ka ndarë jetesën, që përmbledh riskun dhe jetëgjatësinë. Po kështu Allahu është Ai që u ndan mirësi atyre që u takon, në bazë të diturisë që ka Allahu mbi subjektet që përzgjedh, se cili prej tyre është i denjë për diçka të tillë dhe cili jo. Allahu është Ai që i ka ngritur disa njerëz mbi disa të tjerë. Është Ai që përcakton jetesën dhe gradat e mirësisë për secilin; Ai është i Vetmi që i ndan këto, e askush tjetër. Ajeti i lartpërmendur qartëson se Ai është i vetmi në krijim dhe përzgjedhje. Ai ka dituri absolute mbi meritën e subjekteve që përzgjidhen, sikurse thotë: “Dhe kur u vjen një shenjë (prej Allahut), ata thonë: ‘Ne nuk do të besojmë derisa të na jepet njësoj siç u është dhënë edhe të dërguarve të Allahut. Allahu e di më mirë se cilët janë të denjë për t’i bërë Pejgamberë që t’u përcjellin njerëzve mesazhin e Tij.” (En’am : 124)
Kjo do të thotë që Allahu e di shumë mirë se cili është subjekti i denjë për përzgjedhjen dhe nderimin nga ana e Tij, duke e dalluar e veçuar nga të tjerët me profetësinë. Allahu i Madhëruar e lartëson dhe e dëlir Veten e Tij nga propozimi dhe dëshira e tyre për të përzgjedhur, që vinte prej shirkut të tyre: “Zoti yt krijon çka të dojë dhe përzgjedh kë të dojë; nuk u takon atyre përzgjedhja. I dëlirë, i pastër dhe i Lartësuar është Allahu nga gjithçka që ia shoqërojnë Atij.” (Kasas : 68) Politeizmi i tyre nuk ishte në atë gradë sa të pranonin se ka krijues tjetër veç Atij, në mënyrë që Allahu të dëlirte Veten nga një shoqërim i tillë. Kështu që këtu flitet për shirkun që përbënte propozimi dhe pretendimi i tyre për përzgjedhje. Vështroje mirë këtë fakt, sepse është një arsyetim shumë i hollësishëm.
E njëjta situatë përshkruhet në vargjet 73-76, në suren Haxh: “Me të vërtetë që ata të cilëve ju u drejtoheni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe sikur të mblidheshin të gjithë së bashku për t’ia arritur qëllimit. Dhe nëse miza merr diçka prej tyre, ata nuk do të kenë aspak fuqi për ta çliruar atë prej saj. Kësisoj, të dobët janë edhe lutësi edhe i luturi. Ata nuk e kanë vlerësuar Allahun me lartësinë e Tij të merituar. Vërtet që Allahu është Fuqiplotë, i Gjithëfuqishëm. Allahu i zgjedh të dërguarit nga engjëjt dhe nga njerëzit. Vërtet që Allahu është Gjithëdëgjues, Gjithëvëzhgues. Ai di çfarë ndodhet para tyre dhe çfarë ndodhet pas tyre. Tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.”
Po kështu edhe vargu 69, në suren Kasas: “Dhe Zoti yt e di çfarë fsheh gjoksi i tyre dhe çfarë shprehin.” Apo vargu 124 në suren En’am: “Allahu e di më mirë se ku e kujt t’ia japë mesazhin e Tij.” Në të gjitha këto ajete, Ai tregon se, prej diturisë së Tij, bëhet edhe përzgjedhja e Tij, duke veçuar disa subjekte me disa mirësi, për vetë faktin se Ai e di që vlejnë për ata dhe jo për të tjerët. Studioi ajetet, dhe do ta kuptosh këtë përmbajtje, madje edhe më shumë. Megjithatë, Allahu e di më mirë.
Ajeti për të cilin diskutojmë vjen pas vargjeve 65-68 të sures Kasas: “Dhe kujto ditën kur Allahu do t’u thërrasë atyre e do t’u thotë: ‘Çfarë përgjigje ju dhatë të dërguarve?’ Atë ditë, ata nuk do të dinë të arsyetohen dhe nuk do të jenë në gjendje të pyesin njëri-tjetrin. Por sa për atë i cili u pendua, që besoi dhe që bëri mirësi e drejtësi, ai do të jetë prej atyre që janë të fituar. Dhe Zoti yt krijon gjithçka që do Ai dhe përzgjedh.”
Ashtu sikurse Allahu i Vetëm krijoi, po kështu zgjedh prej tyre ata që do të pendohen, besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Ata janë të zgjedhurit e Tij mes gjithë robërve të Tij; janë më të mirët mes gjithë krijesave. Kjo lloj përzgjedhjeje për atë që është i përshtatshëm e i denjë bëhet me anë të urtësisë dhe diturisë së të Madhit Zot. Ajo nuk mund të mbështetet në sugjerimet apo zgjedhjet e idhujtarëve, sikurse pretendojnë. I lartësuar është Allahu dhe i distancuar nga çfarë i shoqërojnë!