Prej dobive më kryesore të këtyre historive veçojmë:
1- Nëpërmjet tyre, plotësohet edhe më shumë besimi te profetët e Allahut (Paqja e Zotit qoftë mbi ta). Edhe pse ne besojmë në përgjithësi tek të gjithë profetët, duhet të dimë se besimi i detajuar tek ata, shtohet edhe më tepër nga njohja me historitë e tyre.
Nuk duhet të anashkalojmë edhe faktin se, Allahu thotë se ato histori dallohen për besueshmëri të plotë, cilësi unike, ç’ka ua ngre vlerën atyre, për shkak të mirësive dhe dobive që përçojnë te të gjithë llojet e njerëzve, madje ndikimi i tyre arrin deri te kafshët dhe kjo nëpërmjet këshillave dhe udhëzimeve sa i takon kujdesit ndaj kafshëve dhe angazhimit për të drejtat e tyre. Pra nëpërmjet këtij besimi të detajuar te profetët, njeriu arrin besimin e plotë dhe kjo konsiderohet prej faktorëve që e shtojnë imanin (besimin).
2- Në historitë e profetëve, pohohet besimi në të vetmin Zot – Allahun; njësimi, sinqeriteti në adhurime dhe besimi në botën tjetër. Ashtu sikurse sqarohet mirësia e Teuhidit dhe domosdoshmëria e tij, po ashtu sqarohet dhe kotësia e shirkut (idhujtarisë) si shkaku kryesor i shkatërrimit në këtë botë dhe në botën tjetër.
3- Nëpërmjet historive të pejgamberëve, besimtarët marrin mësim dhe udhëzohen në të gjitha pjesët (shkallët) e fesë: -Në pjesën e teuhidit dhe zbatimit të adhurimit; Në pjesën e thirrjes (davetit), durimit dhe qëndrueshmërisë në të gjitha sprovat shqetësuese, për t’i përballuar me qetësi, dinjitet dhe qëndrueshmëri të plotë; Në pjesën e vërtetësisë dhe sinqeritetit ndaj Allahut në të gjitha lëvizjet dhe qëndrimet, duke sjellë ndërmend shpërblimin tek Allahu i Lartësuar. Për të mos kërkuar nga krijesat shpërblim, shpagim dhe as falënderim, përveçse çfarë është në dobi të tyre (krijesave).
4- Gjithashtu nga këto histori mësojmë: Unanimitetin e profetëve në një fe të vetme dhe në baza të njëjta; thirrjen e tyre në vlera të larta morale dhe në punë të mira, si dhe qortimin ndaj veprimeve që bien ndesh me to.
5- Në historitë e pejgamberëve, përfitojmë edhe dobi nga fikhu (jurisprudenca), dispozita fetare, fshehtësitë e të gjykuarit dhe shumë çështje madhore, të cilat nuk mund t’i anashkalojë një kërkues i dijes.
6- Tek historitë e pejgamberëve, gjejmë këshillimin dhe përkujtimin, frikësimin dhe shpresëdhënien, lehtësimin pas vështirësisë, zgjidhjen e çështjeve pas ngërçit të tyre dhe frytet e mira që janë vënë re në këtë botë, si dhe përmendjen e mirë dhe dashurinë në zemrat e njerëzve. E gjithë kjo është përgatitje për të devotshmit, gëzim për adhuruesit, ngushëllim për të pikëlluarit dhe mësim për besimtarët. Qëllimi i ndodhive të pejgamberve, nuk është thjesht rrëfimi i tyre përgjatë netëve të gjata, porse qëllimi primar i tyre është, që të shërbejnë si përkujtim dhe këshillë.
7- Para se të fillojmë, duhet të dimë se, shumë prej historive të profetëve, Allahu i ka përsëritur disa herë në mënyra të përshtatshme sipas situatës. Ndoshta diku përmendet diçka që nuk e hasim diku tjetër, ose përmendet me shprehje dhe fjalë që nuk përsëriten në historinë tjetër, edhe pse kuptimet janë të njëjta apo të përafërta.
8- Nisur nga kjo parantezë, do t’i përmendim dhe do t’ipërmbledhim këto ndodhi në një vend, duke treguar kujdes në përdorimin e termave që janë përmendur në Kur’an, nga fillimi i historisë e deri në fund të saj.
9- Gjithësecilës prej historive të pejgamberëve, do i bashkangjisim dobitë bazë dhe ato dytësore që ajo përçon, si dhe dobitë që kanë të bëjnë me vlerat morale, mirësjelljen dhe shumë tema të tjera. Shpresojmë tek Allahu që të na japë sukses në këtë punë; t’u përmbahemi fjalëve pa i deformuar; ta kryejmë këtë punë me zemër të sinqertë, ashtu siç do Allahu; të na mundësojë nëpërmjet kësaj pune, dobitë e përgjithshme. Vërtetë Ai (Allahu) është Bujar dhe Fisnik (i përgjigjet lutjes).