– “El Fâtiĥa” – Domethënë, “Hapësja” ose “Çelësi”, sepse lexuesi i Kur’anit e hap leximin apo shkrimin e Kur’anit me suren Fatiha. Po me suren Fatiha hapet edhe leximi i Kur’anit në namaz.
– “Ummul Kur’an ” – “Themeli i Kur’anit” dhe “Ummul Kitab” – “Themeli i Librit”. Umm quhet çdo gjë që është themel dhe që çdo gjë tjetër ndërtohet mbi të. Kështu, Fatihaja është themeli i Kur’anit dhe çdo gjë ndërtohet mbi të. Të gjitha kuptimet e mesazhet e Kur’anit kthehen në përmbajtjen e kësaj sureje.
– “El Seb’ul Methânij” – “Shtatëshja që përsëritet” dhe “Kur’ani i madhërishëm”. Eshtë një hadith i saktë në Xhamiun e Tirmidhiut, që e ka gjykuar si të saktë, se Ebu Hurejra tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “El hamdu lil-lahi rab-bil âlemin është Ummul Kur’an, Ummul Kitâb, Es-Seb’ul Methâni dhe Kur’ani i madhërishëm.”
Ajo quhet “El Hamdu” – “Lavdërimi” dhe “Es-Salâtu” – “Namazi. Në hadithin kudsij, që Profeti e transmeton nga Allahu i Madhëruar, thuhet: “Unë e kam ndarë namazin në dy gjysma. Kur adhuruesi thotë: El ĥamdu lil-lâhi Rab-bil âlemîn (Lavdërimet i qofshin plotësisht dhe vetëm Allahut, Zotit të botëve), Allahu thotë: “Më lavdëroi dhe falënderoi adhuruesi Im. …”.
Gjithashtu, ajo quhet edhe “El Shifau” – “Shëruese”, sikurse ka ardhur ky përshkrim në hadithin e përcjellë nga Darimiu, nga Ebu Seidi, që përcjell nga Profeti, që ka thënë: “Hapësja e Librit është “Shifâun”, pra, shëruese për çdo helmim (ose sëmundje).”
Fatihaja quhet edhe “Rukje” – domethënë, shërim përmes lutjeve, sipas hadithit të Ebu Seid Hudrij, kur ai i bëri rukje një burri të helmuar nga pickimi i akrepit. Kur e njoftuan Profetin për këtë ngjarje, ai i tha Ebu Seidit: “…ku e dije ti se ajo është rukje?!”
Ajo quhet edhe “Esâsul Kur’an” – “Baza e Kur’anit”, sikurse tregon El Sha’biju se e ka quajtur Ibn Abassi, që më pas ka shtuar: “Baza e saj është Bismil-lahir-Rahmanir-Rahim.”
– Sufjan Ibn Ujejne e ka quajtur këtë sure “Uakijeh”, Mbrojtësja, ndërsa Jahja Ibn Ebu Kethir e ka quajtur “Kafijeh”, e Mjaftueshmja, sipas disa haditheve mursele, ku thuhet: “Umul Kur’an mund të zëvendësojë çdo sure tjetër, por asnjë tjetër nuk mund ta zëvendësojë atë.”
Gjithashtu, ajo quhet “Surja e Namazit” ose edhe “El Kenz” – “Thesari”, siç ka thënë Zemahsheriu në librin e tij El Keshaf.