Imam Ahmedi, Bezari e të tjerë, kanë sjellë një ngjarje për disa njerëz që hapën një pus në Jemen. Në këtë pus ra një burrë dhe për të shpëtuar, u kap pas një tjetri, ky i dyti u kap pas një të treti, dhe ky i treti u kap pas një të katërti. Kështu, ranë të katërt dhe që të gjithë vdiqën. Trashëgimtarët e tyre ngritën padi kundër njëri-tjetrit tek Ali Ibn Ebu Talibi (radijAllahu anhu). Aliu urdhëroi të mblidhnin njerëzit që kishin hapur pusin.
Kështu, pasi u mblodhën, ai gjykoi që të parit t’i paguanin një të katërtën e dëmshpërblimit të gjakut (dije), meqë ai u bë shkak për vdekjen e tre të tjerëve që ranë mbi të; të dytit t’i paguanin një të tretën e dije-s (gjakut), meqë ai u bë shkak për vdekjen e dy të tjerëve që ranë mbi të; të tretit t’i paguanin gjysmën e dije-s, meqë ai u bë shkak për vdekjen e personit të katërt që ra mbi të; të katërtit t’i paguanin dije-n e plotë. Por atyre s’u pëlqeu gjykimi i Aliut, prandaj në Haxhin e vitit të ardhshëm, shkuan te Pejgamberi (alejhi selam) dhe i treguan ngjarjen. Ai u tha: “Gjykimi i Aliut është i drejtë.” Kështu është rrëfyer ngjarja sipas variantit të Bezzarit.
Pothuajse kështu është rrëfyer edhe sipas variantit të Ahmedit: “Ata nuk e pranuan gjykimin e Aliut, prandaj shkuan te Pejgamberi (alejhi selam), ndërkohë që ishte tek Mekami i Ibrahimit në Mekke dhe i treguan ngjarjen. Pejgamberi (alejhi selam) e quajti të drejtë vendimin e Aliut dhe ngarkoi fiset që të shpaguanin gjakun, meqë katër personat ranë në pus për shkak të grumbullimit dhe ngjeshjes së tyre rreth tij.” [1]
[1] Isnad-i (zinxhiri) i këtij hadithi është i dobët. Sipas variantit të Ahmedit vjen se ata kishin hapur një gropë në një vend të lartë dhe e kishin mbuluar, me qëllim që të binte luani në të. Kështu, pasi luani ra në të, u mblodhën turmë rreth gropës. Ndërsa po shtyheshin rreth saj, njëri ra në të dhe për të dalë u kap pas një tjetri, ky pas një të treti dhe i treti pas një të katërti. Pra, katër vetë ranë brenda në gropë, e për pasojë luani i shqeu. Atëherë, një burrë i ra luanit me bajonetë dhe e vrau, por të katër personat vdiqën nga plagët e rënda që morën. Pasi vdiqën, lindi konflikti mes trashgimtarëve të tyre dhe shkuan për t’u gjykuar tek Aliu.
Arsyeja që për të parin vendosi të jepej një e katërta e dije-s, ishte se ai vdiq si pasojë e katër shkaqeve: njëri është plaga që i bëri luani dhe tri shkaqet e tjera janë pesha e tri personave që ranë mbi të. Plaga që mori nga luani ishte si pasojë e rënies në gropë nga ngjeshja e njerëzve rreth saj, kështu që trashëguesit e tij, do të merrnin një të katërtën e dije-s nga ata që u bënë shkak për rënien e tij në gropë, ndërsa për tri shkaqet e tjera ai nuk meritonte gjë, sepse i tërhoqi vetë mbi trupin e tij.
I dyti, vdiq si pasojë e tri shkaqeve: njëri ishte plagosja nga luani dhe dy të tjerët ishin pesha e dy personave që ranë mbi të. Kështu, meqë shkaqet që sollën vdekjen e tij ishin tri, dëmshpërblimi i gjakut të tij u përpjestua në tri pjesë: për shkakun e parë trashguesit e tij morën një të tretën e dije-s, ndërsa për dy të tjerët nuk u takonte, sepse ai i tërhoqi vetë mbi trupin e tij. Për këtë arsye, edhe trashguesit e të tretit morën gjysmën e dije-s, meqë ai vdiq si pasojë e dy shkaqeve. Kurse trashguesit e të katërtit e morën dëmshpërblim të plotë, meqë ai vdiq si pasojë e një shkaku të vetëm.