Përkthyesi
Falënderoj Allahun që më mundësoi përshtatjen në gjuhën shqipe të këtij materiali të marrë nga kasetat e shejh Muhamed Ibn Muhamed el-Muhtar esh-Shinkitit, në të cilat janë shpjeguar të drejtat dhe detyrimet në familje. Fillimisht ai ka trajtuar të drejtat e bashkëshortit e pastaj të bashkëshortes, të drejtat e përbashkëta, të drejtat e farefisit, ato të fëmijëve dhe ka përfunduar me trajtimin e të drejtave që vijnë nga kushtet që vënë palët gjatë aktit të martesës. Këto ligjërata shejhu i ka mbajtur në Xhaminë e Profetit Muhamed (alejhi selam) në Medinë.
Duke qenë se këto mësime kanë qenë në kaseta dhe siç dihet gjuha e folur ndryshon disi nga ajo e shkruar, jam përpjekur që t’i përmbahem kontekstit duke bërë ndonjë ndryshim të vogël, që nuk e cenon domethënien e temës së trajtuar. Për ta bërë më të lehtë dhe më të kuptueshëm trajtimin që ka bërë shejhu, kam vendosur disa nëntema, të cilat mendoj se përshtaten me temën. Aty ku e kam parë të nevojshme kam bërë sqarime me shënime. Gjithashtu, duke i vlerësuar si të rëndësishme, në material janë përfshirë edhe pyetje-përgjigjet e dhëna nga dijetari në fund të çdo teme. Lus Allahun (subhanehu ve teala) që kjo punë modeste të jetë bërë sinqerisht për hir të Tij dhe të jetë e dobishme për besimtarët!
Autori
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi Profetin Muhammed (salAllahu alejhi we selem), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij. Vërtet Allahu ka vendosur detyra, ka sqaruar të drejtat dhe amanetet, i ka ngarkuar me to besimtarët dhe besimtaret dhe i ka bërë ligj të Tijin për të gjithë njerëzit. Lumturia për besimtarët arrihet vetëm duke i zbatuar këto detyrime në atë mënyrë që Allahu (subhanehu ve teala) është i kënaqur.
Allahu thotë: “Ne ua ofruam amanetin (përgjegjësinë për kryerjen e detyrimeve të urdhëruara nga Allahu) qiejve, tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan prej tij, kurse njeriu e mori përsipër. Me të vërtetë njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe ai qe i paditur (për pasojat e kësaj përgjegjësie). Si pasojë, Allahu do t’i dënojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, ndërsa do t’ua pranojë pendimin besimtarëve dhe besimtareve. Vërtet Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Ahzab: 72-73)
Njeriu e mori këtë amanet mbi vete dhe Allahu (subhanehu ve teala) do ta pyesë për të, kur ai të dalë para Tij, në Ditën e Gjykimit. Midis të drejtave dhe detyrime me të cilat Allahu ka ngarkuar besimtarët dhe besimtaret janë edhe të drejtat bashkëshortore. Allahu ia ka lënë amanet këto detyrime çdonjërit prej bashkëshortëve dhe i ka bërë ata përgjegjës për to. Ato janë urdhëruar në Librin e Tij e po kështu për to ka urdhëruar dhe i Dërguari i Allahut (alejhi selam).
Dijetarët, njerëzit e mirë, të devotshmit e të përkushtuarit në çdo vend e në çdo kohë kanë tërhequr vërejtjen për zbatimin e detyrimeve dhe të drejtave bashkëshortore sepse lumturia në familje qëndron në kryerjen dhe respektimin e tyre. Nëse e hedh vështrimin në atë shtëpi muslimanësh ku ruhen të drejtat reciproke ndërmjet bashkëshortëve, ku çdonjëri prej tyre i druhet Allahut (subhanehu ve teala) për plotësimin e të drejtave të tjetrit, ku kryhen detyrat dhe amanetet, patjetër që aty do të gjesh lumturi. Do të gjesh aty qetësinë, dashurinë, mëshirën, mirësinë, për të cilat Allahu ka udhëzuar në Librin e Tij.
Allahu (subhanehu ve teala) vendos lumturi në ato shtëpi ku respektohen të drejtat dhe çohen në vend amanetet. Allahu i dhuron lumturi çdo bashkëshorti apo bashkëshorteje që i frikësohet Atij dhe e ndien mbikëqyrjen e Tij në gjithçka që Ai e ka urdhëruar. Kjo nuk është aspak e panjohur, pasi bindja ndaj Allahut është rruga për të pasur mirësi e begati. Allahu (subhanehu ve teala) i ka premtuar lumturi e jetë të mirë çdokujt prej besimtarëve apo besimtareve që i kryejnë obligimet. Allahu (subhanehu ve teala) thotë: “Cilido mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të mirë (në këtë botë) dhe (në botën tjetër) do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira që ka punuar.” (Nahl: 97)
Zoti na ka lajmëruar se Ai u jep jetë të mirë atyre që i kryejnë detyrat, të cilat ua obligon Islami. Pjesë e këtyre detyrave është mbajtja e amanetit dhe e përgjegjësive. Nëse të dy bashkëshortët apo njëri prej tyre humbet të drejtat bashkëshortore, është i paditur për to apo hiqet si i tillë, atëherë harmonia familjare prishet, përkeqësohet gjendja derisa jetesa bashkë bëhet e padurueshme. Kështu, bashkëshorti hyn në shtëpi me zemër të thyer, nuk dëgjon atë që e gëzon dhe nuk sheh atë që i kënaq syrin. Po kështu, nëse gruaja humbet të drejtat, humbet atë që i takon asaj, jeta i bëhet e vështirë duke u kthyer kësisoj në një jetë plot mërzi e ndoshta edhe fatkeqësi, siç ka premtuar Allahu për ata që i shmangen udhës së Tij të përcaktuar në Librin e Tij.
Me të vërtetë respektimi i të drejtave bashkëshortore është amanet dhe përgjegjësi e madhe. Umeti islam në të kaluarën kujdesej për këto amanete. Baballarët dhe nënat i përmbushnin obligimet vetjake ndaj bijve dhe bijave të tyre. Kur djemtë hynin në shtëpinë bashkëshortore e dinin se cilat ishin të drejtat dhe detyrat e tyre, po kështu edhe vajzat. Ato nuk futeshin në shtëpinë bashkëshortore pa i ditur detyrat dhe të drejtat e tyre. Çdonjëri prej tyre nxitej që të kryente çdo detyrë në mënyrën e duhur si dhe u tërhiqej vëmendja për pasojat e moszbatimit të tyre.
Kur bashkëshortët dhe bashkëshortet, nënat dhe baballarët i dhanë rëndësinë e duhur këshillimit dhe mësimit, shtëpitë e besimtarëve qenë vend qetësie, rehatie, çlodhjeje dhe ripërtëritjeje për ta. Mirëpo ato kohë shkuan dhe erdhën kohë të tjera. Ndër shumë muslimanë – përveç atyre që Allahu i ka mëshiruar – u përhap injoranca derisa arritën në mosnjohjen e të drejtave dhe obligimeve bashkëshortore. Kur jeta bashkëshortore ndoqi epshet dhe filloi të jetohej sipas dëshirës, problemet u shtuan, uniteti familjar u prish, të këqijat dhe kundërshtitë u zmadhuan, e më pas të gjitha problemet e të këqijat u trashëguan edhe te bijtë dhe bijat e tyre.
Pikërisht për këtë arsye është me vend t’i japim rëndësi sqarimit të të drejtave bashkëshortore dhe kujdesit që duhet të tregojë çdonjëri prej bashkëshortëve ndaj tjetrit. Këto çështje janë vërtet të rëndësishme. Ato ndihmojnë në kryerjen e detyrave bashkëshortore ashtu siç është e udhës.