Në dy Sahih-ët rrëfehet se një herë, dy gra nga fisi Hudhejl u grindën me njëra-tjetrën. Njëra e goditi tjetrën me gurë dhe e vrau, e jo vetëm atë, por edhe foshnjën e saj në bark. I Dërguari i Allahut gjykoi që për fetusin e dështuar të jepej si shpagim një skllav ose një skllave, [1] ndërsa dëmshpërblimin e gjakut të gruas së vrarë, vendosi ta paguanin të afërmit meshkuj nga fisi i të atit të gruas vrasëse. [2] Kështu është përshkruar vendimi në dy Sahih-ët.
Ndërsa në Sunen-in e Nesaiut thuhet: “Ai vendosi që, për shpagimin e foshnjës së dështuar të jepej një skllav ose një skllave, ndërsa gruaja vrasëse të vritej si hakmarrje për gruan që pati vrarë.” [3] Edhe disa të tjerë kanë thënë se ai e dënoi me vdekje gruan vrasëse, si hakmarrje për atë që pati vrarë, por e vërteta është që Pejgamberi s’e dënoi me vdekje, siç dëshmon varianti i mësipërm, i sjellë nga Buhariu dhe Muslimi.
Gjithashtu, Buhariu shënon, duke përcjellë prej Ebu Hurejras, se i Dërguari i Allahut (alejhi selam), vendosi të paguhej një skllav ose një skllave, si dëmshpërblim për foshnjën e një gruaje të fisit Benu Lahjan, e cila kishte dështuar si pasojë e një goditjeje. Më pas, gruaja që u gjykua t’i jepej një skllav ose një skllave si shpagim për foshnjën e humbur, vdiq, prandaj Pejgamberi (alejhi selam) vendosi që trashëgiminë e saj ta merrnin djemtë dhe burri i saj dhe që dëmshpërblimin e gjakut të saj ta paguanin të afërmit meshkuj nga fisi i babait të gruas vrasëse.
Nga ky vendim gjyqësor mësojmë se:
- Krimi që i ngjan vrasjes me paramendim, por që s’është i tillë (shibhul amdi), [4] nuk përbën vepër penale që dënohet me vdekje.
- Asabe-të duhet të japin gurren (një skllav ose skllave), si dëmshpërblim për foshnjën që dështon si pasojë e agresionit ndaj nënës, sikundërse shpaguajnë edhe gjakun e viktimës.
- Shpagimin e gjakut e bëjnë asabe-të, d.m.th., të afërmit meshkuj nga fisi i babait të personit që ka kryer krimin.
- Burri i gruas vrasëse nuk përfshihet tek njerëzit e asabe-së. Po kështu, edhe fëmijët e saj nuk shpaguajnë.
[1] Në rast se nuk është e mundur të jepet një skllav ose një skllave si dëmshpërblim për gjakun e foshnjës se dështuar si pasojë e veprës kriminale ndaj nënës së tij, atëherë do të jepen pesë deve, e nëse nuk gjenden, atëherë 50 dinarë (një dinarë është 4.25 gram ar) ose 600 derhem.
[2] Të afërmit meshkuj nga fisi i babait të vrasësit apo kriminelit – siç përmendet në hadith dhe siç e përdorin fukaha-të – quhen asabeh. Pra, ata janë: babai, vëllezërit, djemtë e vëllezërve, xhaxhallarët dhe djemtë e xhaxhallarëve.
[3] Sened-i i hadithit është i vërtetë.
[4] Vrasja klasifikohet në tri lloje: Lloji i parë është vrasja me qëllim, d.m.th., që krimineli me paramendimin për të vrarë, t’i gjuajë dikujt me armë ose me një mjet me teh si shpatë, thikë etj., ta hedhë nga një vend i lartë, t’i japë helm ose ta mbysë në ujë etj. Lloji i dytë është vrasja që i ngjan vrasjes me paramendim, por që nuk ka dispozitat penale të vrasjes me paramendim. Këtu është fjala për rastin kur dikush i gjuan një tjetri qëllimisht me diçka që zakonisht nuk vret, si p.sh. kur e godet me një shkop të hollë ose me një gur të vogël etj. Pra, në këtë rast ekziston qëllimi për goditje, qoftë për agresion ose për edukim, por jo qëllimi për vrasje, dhe përveç kësaj, mjeti që është bërë shkak për vrasje, zakonisht nuk vret. Pikërisht, për këtë lloj vrasjeje flitet në hadithin e lartpërmendur. Lloji i tretë është vrasja pa qëllim, gabimisht. Kjo ndodh kur njeriu bën një veprim të lejuar, si p.sh., kur i gjuan një gjahu dhe gabimisht qëllon një njeri, e për pasojë e vret.