Historia e fillimit të profetësisë dhe e zbritjes së Shpalljes
Fillimi i profetësisë dhe i zbritjes së Shpalljes është muaji Ramazan, Nata e Kadrit. Për këtë Allahu i Madhëruar ka thënë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani.” (El-Bekare : 185) Dhe: “Dhe vërtet, Ne e zbritëm atë Natën e Kadrit.” (El-Kadr : 1)
Hadithet e vërteta, autentike na njoftojnë, gjithashtu se Shpallja ka zbritur natën e së hënës, para agimit. Meqenëse Nata e Kadrit bie në dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit, me numër tek. Dhe shkencërisht është vërtetuar se dita e hënë e Ramazanit të atij viti ka qenë data 21, del se profetësia e Muhamedit (alejhi selam) ka filluar natën e 21-të të muajit Ramazan. Kjo datë bie më 10 gusht të vitit 610 të erës sonë. Sipas vitit hënor, në atë kohë ai ka qenë 40 vjeç, 6 muaj dhe 12 ditë. Sipas vitit diellor, i bie të ishte 39 vjeç, 3 muaj dhe 22 ditë. Pra, sipas vitit diellor, Profeti (alejhi selam) ka qenë në krye të 40 vjetëve, kur i ka ardhur profetësia.
Ndërprerja e Shpalljes dhe rikthimi i saj
Pas zbritjes së parë të Shpalljes në shpellën Hira, pati një ndërprerje. Kjo ndërprerje vazhdoi disa ditë. Ajo i shkaktoi Profetit (alejhi selam) brengosje dhe hidhërim. Mirëpo e mira qe pikërisht në këtë ndërprerje sepse Profetit (alejhi selam) iu largua frika; ai u bë i vendosur në kauzën e tij dhe u përgatit të mbante mbi vete diçka tjetër si ajo që i pati zbritur, kur t’i vinte prapë. Profeti (alejhi selam) priste me padurim momentin e ardhjes së Shpalljes përsëri.
Profeti (alejhi selam) qe kthyer nga Varaka Ibn Neufeli dhe pati shkuar përsëri te Shpella Hira për të vazhduar adhurimin për Allahun dhe për të plotësuar ditët që kishin mbetur prej muajit të Ramazanit. Mbaroi muaji i Ramazanit dhe ai plotësoi adhurimet. Në mëngjesin e parë të muajit Shewal zbriti nga shpella Hira për në Mekke siç e kishte zakon.
Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kur hyra në luginën e Mekkës, dikush më thirri. Hodha sytë në të djathtë, por nuk pashë njeri. Hodha sytë edhe në të majtë, por nuk pashë njeri. Hodha sytë përpara, por nuk pashë njeri. As prapa meje nuk pashë njeri. Atëherë, ngrita kokën lart dhe pashë diçka. Meleku që më pati ardhur në Hira, ishte ulur në një karrige midis qiellit dhe Tokës. U tremba aq shumë, sa rashë përtokë. Shkova te Hatixhja. Më mbuloni, më mbuloni, më mbuloni dhe më hidhni ujë të ftohtë, – i thashë. Më mbuluan dhe më hodhën ujë të ftohtë”. Atëherë, ka zbritur ajeti: “O, ti i mbuluar! Ngrihu dhe paralajmëroi (njerëzit për dënimin) ! Dhe Zotin tënd madhëroje! Dhe rrobat e tua pastroji! Dhe të neveritshmes (adhurimit të idhujve) largoju!”
Kjo ka ndodhur para se të bëhej detyrim namazi. Pas këtij çasti, Shpallja ka ardhur shpesh dhe pa ndërprerje. Këto ajete janë fillimi i misionit të tij si i Dërguar i Allahut (Resul). Ato ajete janë shpallur pak më vonë Shpalljes së parë, e cila qe edhe fillimi i misionit të tij si Lajmëtar i Allahut (Nebij).
Këto ajete përfshijnë dy lloj detyrimesh:
1- Lloji i parë është detyrimi i Profetit (alejhi selam) për të përcjellë Mesazhin e Allahut dhe për të paralajmëruar njerëzit. Këtë e thotë Fjala e Allahut: “Ngrihu dhe paralajmëroji (njerëzit për dënimin)!” Ajeti do të thotë: Paralajmëroji njerëzit për dënimin nga Allahu, nëse ata nuk largohen nga devijimi dhe rruga e gabuar, nëse adhurojnë idhujt e jo vetëm Allahun, nëse i vënë shok Allahut në Veten e Tij, në Atributet e Tij, në të drejtat e Tij e në veprimet e Tij.
2- Lloji i dytë është detyrimi i Profetit (alejhi selam) që të zbatojë urdhrat e Allahut të Madhëruar, – t’i zbatojë ata plotësisht në veten e tij, për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe për të qenë shembull për çdo njeri që i beson Allahut. Këto detyrime shprehen në ajetet: “Dhe Zotin tënd madhëro!”, që do të thotë “Vetëm Allahun madhëro dhe mos i shoqëro Atij askënd dhe asgjë!” Dhe: “Dhe rrobat e tua pastro!”, që do të thotë: Pastroji rrobet e tua dhe trupin tënd, sepse nuk i ka hije atij njeriu që madhëron Allahun e qëndron para Tij të jetë i papastër. Dhe: “Dhe së neveritshmes (adhurimit të idhujve) largoju!”, që do të thotë: Largohu nga ajo që shkakton zemërimin e Allahut dhe dënimin e Tij! E kjo arrihet duke iu bindur Allahut dhe duke mos e kundërshtuar Allahun. Dhe: “Dhe mos prit për atë që jep (të të shpërblejnë më) shumë!”, që do të thotë: Mos bëj mirësi për të marrë më shumë se e mira që ke bërë në këtë botë! Ajeti i fundit tregon vuajtjet, që do t’i vinin nga populli i vet, kur të deklaronte ndarjen nga feja e tyre e t’u bënte thirrje për të adhuruar Allahun të Vetëm, siç thotë Allahu në Kur’an: “Dhe për hir të Zotit tënd, duro!”