Me emrin e Allahut, Mëshirëplotit, Mëshiruesit!
Lavdia i takon Allahut, Zotit të botëve. Lavdërimi dhe paqja qofshin për më të mirin dhe vulën e profetëve të Allahut, Muhamedin (alejhi selam), për më të çiltrin dhe të besueshmin, të cilin Allahu e dërgoi për mbarë njerëzimin! Mëshira dhe mirësitë e Allahut qofshin edhe mbi familjen e shokët e Profetit (alejhi selam), që e kanë mbajtur flamurin e fesë, si dhe mbi cilindo që i ndjek ata me vendosmëri, qoftë ky prijës (në Islam), udhëzues, thirrës, njeri i mirë dhe i devotshëm! Qoftë kjo mëshirë mbi cilindo që ndjek rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit!
Të mësosh jetëshkrimin e Profetit (alejhi selam), do të thotë të mësosh dijen më të nderuar, më të shtrenjtë, më të lartë. Ajo e njeh muslimanin me kushtet e fesë së vet, me Profetin e vet (alejhi selam), me vlerat që Allahu i ka dhënë atij qysh në prejardhje e deri në zbritjen e Shpalljes. Kur studion jetëshkrimin e Muhamedit (alejhi selam), muslimani shikon se si ai e mori përsipër barrën e rëndë të thirrjes në Islam, që është feja e vërtetë e Allahut dhe se si e kreu ai këtë mision, duke bërë sakrifica të njëpasnjëshme; muslimani shikon sa vuajtje e sa sprova ka kaluar ai në këtë rrugë e se si përballë sprovave ai ka pasur ndihmën e përkrahjen e Allahut me një ushtri të padukshme melekësh të ruajtur e të nderuar; muslimani shikon se si Profeti (alejhi selam) arriti fitoren e se si i kanë ardhur mirësitë.
Për jetëshkrimin e Profetit (alejhi selam) është shkruar shumë. Kësaj teme muslimanët i kanë kushtuar shumë rëndësi, si në kohët e mëparshme, po ashtu edhe në kohën e sotme. Punë të tilla burojnë nga thellësia e besimit dhe dashuria e madhe që muslimani ka për Profetin Islam. Mirëpo, shumica e atyre që janë marrë me jetëshkrimin e Profetit (alejhi selam), nuk e kanë bërë ashtu siç duhet. Kanë futur në të edhe gjëra që u shkonin për shtat mendimeve, prirjeve dhe ndjenjave të tyre, edhe pse nuk kishin ndonjë bazë të saktë. Në shkrimet e tyre janë sjellë edhe gjëra që janë në kundërshtim me themelet e fesë dhe janë jashtë mendjes së shëndoshë. Për këto arsye, disa vëllezër muslimanë më propozuan të shkruaja një libër të ri, me vëllim mesatar, ku të thuheshin ato gjëra që janë të vërteta, të njohura e të pranueshme për njerëzit kompetentë të kësaj dijeje, me qëllim që libri të jetë i kuptueshëm si për fillestarët, ashtu edhe për studiuesit dhe të mos ketë shmangie dhe pasaktësi.
Unë kërkova ndihmë dhe sukses prej Allahut dhe ia fillova punës, duke u mbështetur kryesisht në Kur’anin e në komentin për Kur’anin dhe në librat e haditheve e të jetëshkrimit të Profetit (alejhi selam). Kam përfituar edhe nga të dhënat dhe dëshmitë e sjella ose të paraqitura për jetën e Muhamedit (alejhi selam). Jam përpjekur që frazat dhe thëniet t’i përmend me sa ka qenë e mundur, ashtu siç i kanë thënë muslimanët e parë. Në këtë mënyrë, shpresoj të kem plotësuar kërkesën që më qe bërë, qoftë edhe përafërsisht. I lutem Allahut të Madhëruar që me këtë libër t’u sjellë dobi muslimanëve dhe që kjo punë të jetë vetëm për Hir të Allahut të Madhëruar. Allahu dhëntë mëshirë e mirësi për Profetin Muhamed (alejhi selam), më të mirin e njerëzimit!