Banesa ku mblidhen dhe strehohen pjesëtarët e një familje është një mirësi nga Allahu, pasi Allahu thotë: “Allahu ju ka dhënë shtëpi për të banuar e për tu rehatuar” [En Nahl : 80]. Në shpjegimin e këtij ajeti Ibn Kethiri thotë: “Allahu i Lartësuar përmend këtu një nga mirësitë që u ka bërë robërve të Tij, duke u dhënë shtëpitë të cilat ju shërbejnë për rehatim, banim, strehim dhe për të gjitha gjërat e tjera të dobishme”. Për secilin prej nesh shtëpia është vendi i ngrënies, raporteve bashkëshortore, gjumit, pushimit, si dhe vendi i veçimit dhe i grumbullimit me njerëzit e familjes dhe fëmijët.
Shtëpia është vendi ku kultivohen dhe forcohen dashuria, kujdesi dhe ndjenjat prindërore për fëmijët. Ajo është vendi ku kryefamiljari gjen të gjithë hapësirën për zbatimin e ligjeve Islame që kanë të bëjnë më familjen, ku fëmijët rriten me besimin dhe frymën Islame dhe marrin edukatën Islame. Praktikimi i Islamit në shtëpitë muslimane është themeli për krijimin e një shoqërie e cila adhuron vetëm Allahun dhe që zbaton ligjet dhe mësimet e Tij. Në mënyrë të veçantë, shtëpia është strehë dhe mbulim për femrën. Ajo është vendi ku gruaja ruan dinjitetin, turpin dhe nderin e saj. Allahu i Lartësuar thotë: “Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni bukuritë dhe stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes (xhahilijetit)” [El Ahzab : 33].
Muslimanin e shtyjnë disa gjëra për përmirësimin e shtëpisë dhe praktikimin e rregullave të Islamit në të:
1 – Për të ruajtur veten dhe familjen nga Zjarri i Xhehenemit : “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët”.
2 – Përgjegjësia e madhe që ka mbi supe kujdestari i shtëpisë para Allahut në Ditën e Llogarisë. Pejgamberi (alejhi selam) thotë: “Allahu ka për ta pyetur çdo përgjegjës për atë që ia ka lënë në kujdestari se a është kujdesur për të apo e ka lënë pas dorë, aq sa do të pyesë edhe burrin për njerëzit e shtëpisë së tij”. (Nesaiu). Hadithi është i mirë.
3 – Shtëpia është vendi ku besimtari frenon veten për të mos dëmtuar të tjerët dhe ku shpëton nga keqbërjet e njerëzve. Ajo është streha fetare në kohë trazirash. Pejgamberi (alejhi selam) thotë: “Mirësia qoftë për atë që ruan gojën, që qëndron në shtëpi i distancuar nga njerëzit dhe që qan për gjynahun e tij”. (Taberaniu). Hadithi është i mirë. Po ashtu Pejgamberi (alejhi selam) thotë: “Në kohë trazirash burri shpëton veten duke qëndruar në shtëpinë e vet”. (Dilemiu) Në Musnedul Firdeus dhe hadithi është i mirë. Dobinë e kësaj çështje muslimani mund ta prekë në rrethanat kur praktikimi i Islamit bëhet krejt i huaj për njerëzit, kur nuk mundet të ndryshojë shumë të këqija, e kështu duke qënduar në shtëpi ruan veten nga puna e ndaluar dhe shikimi i ndaluar. Po kështu mbron dhe femrat e familjes nga zbulimi i burkurive dhe stolive, por edhe fëmijët nga shokët e këqinj.
4 – Njerëzit e kalojnë shumicën e kohës, kryesisht, brenda shtëpive të tyre, sidomos kur shtrëngon vapa, kur bën shumë ftohtë, kur bien shumë reshje shiu, në mëngjes dhe në mbrëmje, kur mbarojnë punën ose mësimin, andaj patjetër duhet të shfrytëzohen këto kohë me ibadete (adhurime) dhe punë të mira, se në të kundërt do të humbasin në veprimin e harameve.
5 – Interesimi për praktikimin e Islamit në shtëpi është mënyra e duhur për ngritjen e shoqërisë muslimane, pasi shoqëria përbëhet nga shtëpitë, që janë tamam si tullat e saj, e siç dihet shtëpitë përbëjnë lagjet, kurse lagjet përbëjnë qytetin. Kur shtëpia është në rregull, rrezaton përreth të mirën dhe të vërtetën dhe nuk depërton në të e keqja. Kështu, shtëpia muslimane prodhon për shoqërinë shtyllat e rregullimit, si: thirrësin shembullor, nxënësin e dijes, femrën e ndershme dhe të mirë, nënën edukatore, dhe të gjithë njerëzit e mirë që i duhen shoqërisë.