Pejgamberi (alejhi selam) thotë për burrat: “Namazi më i mirë i njeriut është në shtëpinë e tij, përveç namazit farz”. (Ebu Daudi) Për shpërblimin e namazit sunet dhe nafile në shtëpi, Pejgamberi (alejhi selam) thotë: “Epërsia e shpërblimit të namazit nafile që burri e fal në shtëpi ndaj namazit nafile që e fal në prani të njerëzve është si epërsia e namazit që e fal me xhemat ndaj atij që e fal më vete”. (Ibn Ebi Shejbe, Albani thotë se është i saktë.)
Namazi nafile në shtëpi, nga njëra anë, e bën njeriun më të sinqertë, dhe nga ana tjetër shërben dhe si shembull i mirë për pjestarët e familjes, sidomos për fëmijët. Nga një kohë në tjetrën në shtëpi duhet të lexohet surja el-Bekare për largimin e shejtanit. Pejgamberi (alejhi selam) thotë: “Mos i ktheni shtëpitë tuaja në varreza. Shejtani largohet prej një shtëpie në të cilën lexohet surja el-Bekare”. (Muslimi)
Me rëndësi gjithashtu është që pjesëtarët e shtëpisë të edukohen me frymën e imanit. Aishja tregon: “Pejgamberi (alejhi selam) falte namaz natën, dhe pasi falte vitrin, thoshte: “çohu, o Aishe, dhe fal vitrin!”. (Muslimi). Ndër gjërat që e shtojnë imanin është dhe ngjallja e interesit të grave që të japin sadeka. Sadekaja është një punë e madhe për të cilin ka nxitur Pejgamberi (alejhi selam) duke thënë: “O gra, jepni sadaka, sepse unë kam parë që gratë do të jenë shumica e banorëve të zjarrit”. (Buhariu)
Prindërit bëjnë mirë që të mësojnë edhe fëmijët të japin sadaka, dhe kjo mund të bëhet duke i nxitur që një pjesë të dhuratave apo të sendeve të tyre personale të japin sadeka për moshatarët e tyre të varfër, ose duke ua lënë sadekanë fëmijëve që tua japin të varfërve me duart e tyre, ose duke i marrë me vete kur u jep sadekanë të varfërve, me qëllim që të mësohen me shpirtmirësi. Nëse njerëzit e shtëpisë do të shohin njërin prej tyre duke agjëruar tre ditët e bardha, të hënën dhe të enjten etj., kjo do t’i shtyjë ta marrin si shembull.