Një vëmendje të veçantë prindërit duhet ti kushtojnë dhe mësimit të fëmijëve dijen fetare dhe praktikimin e saj, pasi Allahu thotë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri”. Mukatili thotë: “Është detyrë e çdo muslimani t’i mësojë pjestarëve të familjes së vet atë që Allahu ua ka bërë detyrë dhe atë që Ai ua ka ndaluar”. Aliu thotë: “Mësojini dhe edukojini pjesëtarët e familjes”. Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Mësojini fëmijët të falin namaz kur bëhen shtatë vjeç”.
Kryfamiljari ose njeriu më i ditur në familje bën mirë ta bëjë si rregull që çdo ditë, qoftë edhe për pak minuta, të lexojë komentin e ndonjë ajeti të Kur’anit, ose ndonjë hadith, ose ndonjë këshillë fetare, ose ndonjë normë të sjelljes dhe moralit Islam. Libri më i përshtatshëm për këtë gjë është Rijadus-Salihin. Për të ndihmuar familjen të pajisen me dije fetare duhet të krijohet një biblioteke me librat, kasetat dhe disqet fetarë më të mira e më të dobishëm. Për librat dhe mësimet që do të degjoni duhet të këshilloheni me hoxhallarë të besueshëm dhe të khajrit të Ehli Sunetit.
Me përparësi të lartë duhet të shihet mundësia që fëmijët të mësojnë Kur’anin përmendësh, gjë e cila kërkon përpjekje dhe angazhim të madh nga prindërit, por është baza për edukimin e shëndetshëm të fëmijës, për mbrojtjen e tij nga devijimi dhe për suksesin e tij në të gjitha drejtimet. Fëmijëve duhet tu tregohen dhe tregime të dobishme, si: tregimet e pejgamberëve, jeta e Pejgamberit, jeta e sahabëve, jeta e tabiinëve, jeta e njerëzve të mirë, tregime te tjera të Kur’anit dhe Haditheve të sakta.