Pasi mbaroi Haxhi, Kurejshët u kthyen në shtëpitë e tyre dhe u qetësuan. Pastaj panë se u duhej ta trajtonin problemin, që solli Thirrja e të Dërguarit të Allahut (alejhi selam) për të besuar vetëm në Allahun. Ata u menduan dhe u këshilluan. Pastaj menduan rrugë të ndryshme për ta përballuar këtë Thirrje dhe për ta asgjësuar atë përfundimisht.
Këto rrugë ishin:
1- Të vazhdonin të qeshnin dhe të talleshin sa më shumë me të.
Këtë e bënin me qëllim që t’i ulnin të Dërguarin e Allahut (alejhi selam) dhe myslimanët e tua dobësonin forcën morale. Ata e akuzonin të Dërguarin e Allahut (alejhi selam) se ishte njeri i magjepsur, se ishte poet i çmendur, se ishte falltar që i vinte shejtani, se na qenkësh magjistar gënjeshtar, se ishte një shpifës intrigant e të tjera akuza e sharje si këto. Ata e shihnin Profetin (alejhi selam) tërë zemërim e inat.
Allahu ka thënë: “E ata që nuk besuan, gati sa nuk të zhdukin ty me shikimet e tyre, kur e dëgjojnë Kur’anin dhe nga inati, thonë: “Ai është i çmendur.” (El-Kalem : 51) Kur e shikonin Profetin (alejhi selam), talleshin, e ironizonin, duke thënë: “A ky është ai që flet për zotat tanë?!” Kur shikonin shokët e tij (sahabët) të dobët thoshin: Ju erdhën mbretërit e Tokës. “A këta ka ndihmuar Allahu nga mesi ynë?!”
Allahu i Madhëruar thotë gjithashtu për ta: “Vërtet, mëkatarët i përqeshnin ata që besuan. Dhe kur besimtarët kalonin pranë tyre (idhujtarëve), ata ia bënin me sy njëri-tjetrit. E kur ktheheshin te familjet e veta, ktheheshin të kënaqur. Dhe kur i shihnin ata (besimtarët), thoshin: “Vërtet, ata (besimtarët) janë të humbur.” (El-Mutafifin : 29-32)
Idhujtarët i shtuan talljet, përqeshjet dhe ngacmimet therëse kundër Profetit të Allahut (alejhi selam), aq sa kjo ndikoi shumë edhe te vetë Profeti (alejhi selam). Për këtë Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ne, vërtet, e dimë se zemra jote është e pikëlluar nga ajo që thonë ata.” (El-Hixhr : 95) Por, pastaj Allahu i dha forcë atij dhe i tregoi se si ta largonte pikëllimin: “Por, ti lartësoje Zotin tënd me falënderim e bëhu prej atyre që luten (përulen duke u falur)! Dhe adhuroje Zotin tënd, derisa të të vijë vdekja!” (El-Hixhr : 97-99)
Allahu i Madhëruar i pati treguar Profetit (alejhi selam) qysh më parë se si do t’i flladitej zemra, kur i tha: “Vërtet, Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen, të cilët bëjnë me Allahun zot tjetër e shpejt ata do ta dinë.” (El-Hixhr : 95-99) Allahu e pati njoftuar atë se veprat e tyre shpejt do të ktheheshin në dënim kundër tyre. Për këtë Allahu ka thënë: “Edhe të dërguarit e tjerë përpara teje janë përqeshur e ata që i tallnin, e merituan dënimin e talljes së tyre.” (El-En’am : 10)
2- T’i pengonin njerëzit, që të mos e dëgjonin Profetin (alejhi selam).
Idhujtarët vendosën që të shkaktonin ngatërresa, të bënin zhurmë dhe t’i largonin njerëzit sa herë që e shikonin Profetin (alejhi selam) duke u përgatitur që të bënte Thirrje për tek Allahu. Kështu, që të mos i linin rast të volitshëm për të shpjeguar Thirrjen në Islam, ata e porosisnin njëri-tjetrin, siç thuhet në Kur’an: “Ata që nuk besuan, thanë: “Mos e dëgjoni këtë Kur’an dhe kur të këndohet ai, bëni zhurmë, që ta pengoni!” (Fussilet : 26)
Kështu, idhujtarët vazhduan në të tyren me shumë ashpërsi e me shum forcë, derisa Profeti (alejhi selam) arriti të këndonte Suren e parë, “En-Nexhm”, në vendet ku ata mblidheshin. Ishte muaji Ramazan i vitit të pestë të Profetësisë. Kur e dëgjonin Profetin (alejhi selam) duke kënduar Kur’an në namaz – ai këndonte Kur’an më shumë në namazin e natës – idhujtarët e shanin Kur’anin, shanin Atë që e ka zbritur, shanin edhe atë që e këndonte. Atëherë, Allahu i Madhëruar zbriti ajetin: “E ti mos e ngri zërin (duke kënduar Kur’an) në namazin tënd dhe as mos e ul tepër atë, por kërko midis këtyre një rrugë të mesme”. (El-Isra : 110)
Nadr Ibn Harithi shkoi në Hirah dhe në Sham (Siri). Atje mësoi disa tregime (e legjenda) popullore që flisnin për mbretërit dhe udhëheqësit e tyre, të tilla, si tregimet e Rustemit e të Isfindijarit. Kur u kthye në Mekke, filloi të organizonte tubime e kuvende dhe t’ua tregonte ato njerëzve, duke i larguar kështu nga ato që thoshte Profeti (alejhi selam).
Kur Nadri dëgjonte se diku ishte ulur i Dërguari i Allahut (alejhi selam) për t’ua kujtuar njerëzve Allahun, ai do t’i shkonte nga prapa dhe do ta kundërshtonte Profetin (alejhi selam) me tregimet e tij dhe më pas do të thoshte: “Në çfarë bisede është Muhamedi më i mirë se unë?” Nadri bëri edhe një hap tjetër. Ai bleu një robëreshë këngëtare dhe sa herë që dëgjonte për ndonjërin që donte të bëhej musliman, e çonte te këngëtarja dhe i thoshte asaj: “Jepi për të ngrënë e për të pirë dhe këndoji këngë, sepse kjo gjë është më e mirë se thirrja e Muhamedit.”
Për këto Allahu i Madhëruar zbriti ajetin: “Por ka njerëz, që blejnë tregime boshe, që t’i largojnë njerëzit nga rruga e Allahut, pa pasur kurrfarë fakti dhe për t’i marrë ato (ajetet e Allahut) si tallje. Për ta do të ketë një dënim poshtërues”. (Llukman : 6)
3- Nxitja e dyshimeve dhe shpeshtimi i thirrjeve të rreme
Idhujtarët i shtuan dhe i përsosën më tej thirrjet e tyre të gënjeshtërta. Për ato që thuheshin në Kur’an, thoshin se ishin “Ëndrra të ngatërruara e të rreme” (Jusuf : 44), domethënë, na qenkëshin ëndrrat e gënjeshtërta që Muhamedi (alejhi selam) i shihte natën dhe i këndonte ditën. Ndonjëherë thoshin: “E ka shpikur nga vetja e tij.” E ndonjëherë thoshin: “Atë Muhamedin patjetër e mëson ndonjë njeri tjetër.”
Ata, gjithashtu thoshin: “I ka shpikur vetë.” (En-Nahl : 103). Herë tjetër thoshin: “Vërtet, ky (Kur’ani) nuk është tjetër veçse një gënjeshtër, që e trilloi ai (Muhamedi), të cilin e ndihmuan edhe njerëz të tjerë.” (El-Furkan : 4) Pra, për sajimin e Kur’anit na paskëshin marrë pjesë edhe shokët e tij.
Në Kur’an thuhet: “Ata (idhujtarët) thanë, gjithashtu: “Janë legjenda të të parëve (ato që thuhen në Kur’an), të cilat ai (Muhamedi) kërkoi të shkruhen e t’i këndohen atij mëngjes e mbrëmje.” (El-Furkan : 5) Nganjëherë thoshin: “Ai (Muhamedi) ka ndonjë xhind ose djall që i zbret Kur’an, ashtu siç vijnë xhindet dhe djajtë te falltarët.” Allahu, si kundërpërgjigje ndaj tyre ka thënë: “Thuaj: “A t’ju tregoj se kujt i vijnë djajtë?” Djajtë i vijnë çdo gënjeshtari mëkatar.” (Esh-Shu’ara : 221-222)
Kuptimi i ajetit është: djajtë i vijnë atij që është shumë gënjeshtar, i vijnë keqbërësit që është i njollosur me faje. Kurse tek unë nuk keni provuar asnjë gënjeshtër, – thotë Muhamedi (alejhi selam) dhe kurrë nuk keni gjetur tek unë ndonjë faj. Atëherë, si thoni që Kur’ani është zbritje e djajve?
Herë-herë idhujtarët thoshin për Profetin (alejhi selam) se e paskësh goditur njëfarë çmendurie dhe fantazon ide, të cilat i formulon me fjalë të bukura dhe të këndshme, siç thurin vargje poetët. Pra, ai na qenkësh poet dhe fjala e tij poezi! Dhe Allahu i Madhëruar iu përgjigj shpifjeve të tyre: “Dhe poetët ndiqen nga ata që janë të humbur (nga e vërteta). A nuk e sheh se ata hidhen në çdo anë (herë lavdërojnë, herë përqeshin). Dhe ata thonë atë që nuk e bëjnë.” (Esh-Shu’ara : 224-226)
Këto tri cilësi që u përmendën në ajetin e mësipërm i kanë poetët. Kurse te Profeti (alejhi selam) nuk gjendet asnjëra prej tyre. Ata që e kanë pasuar atë, janë të udhëzuar në Rrugën e Drejtë, janë njerëz të devotshëm, janë njerëz të mirë në fenë e tyre, në moralin e tyre, në veprat e tyre dhe në marrëdhëniet e tyre shoqërore. Tek ata nuk ka asnjë shenjë devijimi, në asnjë çështje të tyre. Besimtarët, me Profetin (alejhi selam) në krye, nuk hidhen as andej, as këtej, siç hidhen poetët.
Muhamedi (alejhi selam) u bën thirrje njerëzve për ta besuar Allahun si një Zot të Vetëm; u bën thirrje në një fe të vetme; u bën thirrje në një rrugë të vetme. Muhamedi (alejhi selam) nuk e thotë atë që nuk e bën vetë dhe nuk vepron ndryshe nga ajo që thotë. Atëherë, ku është ai në krahasim me poezinë dhe poetët? Dhe ku janë poezia dhe poetët në krahasim me të?