Shenjat e profetësisë dhe sihariqet e lumturisë
Profetit (alejhi selam) shqetësohej kur i shikonte njerëzit në punë të këqija dhe në vuajtje dhe donte të largohej prej tyre e të qëndronte në vetmi, për të menduar për një rrugë, që mund t’i shpëtonte ata. Ky shqetësim sa vinte e bëhej më i madh dhe me përparimin e moshës iu forcua edhe më shumë dëshira për t’i shpëtuar njerëzit nga shkatërrimi. Dukej sikur dikush e thërriste për të qëndruar në vetmi dhe për t’u shkëputur nga njerëzit. Prandaj, filloi të shkonte në shpellën Hira. [1]
Atje adhuronte Allahun sipas asaj që kishte mbetur nga feja e Ibrahimit (alejhi selam). Ai shkonte atje çdo vit një muaj, muajin e Ramazanit. Pasi kalonte koha e caktuar dhe plotësohej plot një muaj, kthehej në Mekke në mëngjes dhe bënte tavaf rrotull Shtëpisë së Shenjtë. Pastaj kthehej në shtëpinë e vet.
I Dërguari i Allahut (alejhi selam) vazhdoi kështu tre vjet rresht. Kur Muhamedi (alejhi selam) arriti moshën 40-vjeçare, që është mosha e zhvillimit të plotë të njeriut, moshë, kur në përgjithësi u bënë profetë edhe Profetët para tij, nisën t’i shfaqen shenjat e profetësisë dhe sihariqet e lumturisë. Filloi të shikonte ëndrra të mira, të cilat dilnin siç i shikonte. Shikonte ndriçimin dhe dëgjonte zërin. [2] Një herë Profeti (alejhi selam) tha: “Unë di një gur në Mekke që më përshëndeste me “Selam!”, para se të bëhesha Profet.”
Zbritja e Shpalljes
Ishte muaji i Ramazanit, kur Muhamedi (alejhi selam) pati arritur moshën 41 vjeç dhe ndodhej në shpellën Hira, duke përmendur Allahun dhe duke e adhuruar Atë, kur papritmas i erdhi Xhibrili (alejhi selam) me Shpalljen. Për këtë le të dëgjojmë fjalën e Aishes (radijAllahu anha), e cila na e tregon hollësisht atë ngjarje: “Në fillim, i Dërguari i Allahut (alejhi selam) e ka marrë Shpalljen në formë ëndrrash të mira. Pra, sa herë që ai ka parë ndonjë ëndërr, ajo vinte e qartë si drita e agimit. Më pas, atij i ka pëlqyer të rrinte në vetmi. Prandaj, ka shkuar e ka ndenjur i vetëm në shpellën Hira. Aty ka adhuruar Allahun dhe ka marrë ushqim me vete për disa net. Pastaj është kthyer te Hatixhja dhe ka marrë ushqim edhe për disa net të tjera. Ka vazhduar kështu, derisa i ka ardhur e Vërteta aty, në shpellën Hira.”
Profeti ka thënë, – vijon Aishja: “Më erdhi meleku (engjëlli) Xhibril dhe më tha: “Lexo!” Iu përgjigja: “Unë nuk di të lexoj.” Xhibrili më mori e më shtrëngoi aq fort, sa mu zu fryma. Pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!” Unë i thashë: “Nuk di të lexoj.” Atëherë, Xhibrili më kapi e më shtrëngoi përsëri, sa desh më mbyti. Pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!” Unë i thashë: “Unë nuk di të lexoj.” Ai më shtrëngoi për të tretën herë, pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Se Zoti yt është më Bujari më i madh, i Cili i mësoi (njeriut) të shkruajë me penë. I mësoi njeriut ato që nuk i dinte.” (Alak : 1-5)
Me këto ajete, i Dërguari i Allahut (alejhi selam) është kthyer duke iu dridhur zemra, ka hyrë te Hatixhja, bija e Huvejlidit (radijAllahu anha) dhe i ka thënë: “Mbulomë! Mbulomë!”. E kanë mbuluar dhe ai ka qëndruar ashtu, derisa i ka kaluar frika. Pastaj i ka thënë Hatixhes: “U tremba”. “Mos ki frikë,” – i ka thënë Hatixhja. “Për Zotin, Allahu kurrë nuk do të të turpërojë ty. Ti mban lidhje të mira me farefisin; ndihmon të pamundurin dhe e mban atë; i jep atij që nuk ka; e mirëpret mikun; ndihmon që të vihet në vend e drejta.” Pastaj Hatixhja ka shkuar te Varaka Ibn Esed Ibn Abdul Uzza, biri i xhaxhait të Hatixhes, i cili ishte i krishterë. Ai ka shkruar Librin në hebraisht. [3] Ai shkruajti prej Ungjillit në hebraisht aq sa ka dëshiruar Allahu.
Në atë kohë Varaka ishte plakur dhe ishte verbuar. “O biri i xhaxhait tim!”, – i tha Hatixhja. Dëgjo nga biri i vëllait tënd!” Varaka i tha Muhamedit (alejhi selam): “O biri i vëllait tim, çfarë ke parë?” I Dërguari i Allahut (alejhi selam) i ka treguar atë që kishte parë në shpellën Hira. “Ai është Xhibrili, që Allahu ia zbriti Musait”, – i ka thënë Varaka. “Ah, sikur të isha i ri! Ah, sikur të isha gjallë, kur populli yt të të nxjerrë ty prej Mekkës.” “Vërtet, do të më nxjerrin mua ata?”, – e ka pyetur i Dërguari i Allahut (alejhi selam). “Po”, – i është kthyer Varaka. Çdo njeri që ka ardhur me atë që vjen ti, është luftuar. E në qoftë se do të isha gjallë, kur të vinte dita jote, do të të ndihmoja shumë.” Nuk ka kaluar shumë kohë dhe Varaka ka vdekur. Ndërkohë, Shpallja është ndërprerë.
[1] Hira – mali, që sot njihet me emrin “Nur” është tri kilometra larg nga Mekka e vjetër. Shpella ndodhet pak më poshtë majës më të lartë të malit. Shpella është shumë e thellë, rreth katër metra e gjatë dhe mbi një metër e gjysmë e gjerë.
[2] Ndriçimin dhe zërin e melekut të Shpalljes, para se t’i vinte Shpallja.
[3] Biblën.