Ajetet 6 – 7
6. Nuk ka dyshim, se për ata që mohojnë besimin është njëlloj: ua tërhoqe vërejtjen apo jo, ata nuk besojnë.
7. Allahu ua ka vulosur zemrat dhe të dëgjuarit e tyre. Në shikimet e tyre ka perde dhe ata do të kenë dënim të madh.
Shpjegimi i ajeteve
– “Nuk ka dyshim, se për ata që mohojnë është njëlloj: ua tërhoqe vërejtjen apo jo, ata nuk besojnë.” – Këtu Allahu i Madhëruar na flet rreth një kategorie njerëzish, që e kanë mohuar Atë. Cilësia dalluese e tyre është mohimi (kufr), i cili është bërë tipar dhe veçori e pandashme e shpirtit të tyre. I Madhëruari na tregon se këta (lloj njerëzish) nuk i kthen asgjë pas nga mohimi i tyre. Ndaj tyre nuk bën dobi asnjë lloj qortimi dhe vërejtjeje. Çfarëdo që të bësh, ata do të vazhdojnë në kufr-in e tyre. Për ta është njëlloj: i qortove apo jo, ata nuk e gjejnë rrugën e besimit.
Kuptimi thelbësor i kufr-it është pikërisht refuzimi dhe mospranimi i kumtit që përcolli Pejgamberi (alejhi selam), qoftë edhe i një pjese sado të vogël të tij. Ftesa në rrugën e besimit për këta mohues nuk ka asnjë lloj ndikimi tek ata, përveç faktit që ata humbasin të drejtën e justifikimit para Zotit. Sqarimi i gjithçkaje rreth besimit nuk u lë atyre asnjë hapësirë argumentuese përpara Krijuesit për mohimin dhe refuzimin e tyre.
Me sa duket, me këtë ajet, Allahu i Madhëruar kërkonte ta bindte Pejgamberin (alejhi selam) që të hiqte dorë nga ideja se ata mund të besonin dhe të mos ndiente keqardhje dhe trishtim për refuzimin dhe mohimin e tyre. Pastaj Allahu i Madhëruar tregon shkaqet që i pengojnë ata të besojnë, duke thënë:
– “Allahu ua ka vulosur zemrat dhe të dëgjuarit e tyre” – Pra, ua ka vulosur ato në mënyrë të atillë, që në ato zemra të mos hyjë kurrë besimi. Ata, pas këtij bllokimi, nuk e kuptojnë më atë gjë që u bën dobi dhe nuk mund të dëgjojnë diçka që atyre do t’u vlente.
– “Në shikimet e tyre ka perde…” – Allahu u ka vendosur perde, që i ndalon ata të shohin atë çka u vlen dhe u bën dobi. Pa dyshim, këto të trija (zemra, të dëgjuarit dhe shikimi) janë rrugët e dijes dhe rrugët e marrjes së informacionit. Kjo do të thotë që rrugët e dijes dhe të mirësisë qëndrojnë të mbyllura para këtyre njerëzve. Nuk ka më shpresë që ata të besojnë, madje asnjë e mirë nuk mund të shpresohet prej tyre.
Sidoqoftë, duhet të jemi të sigurt se këto rrugë të përfitimit, domethënë rrugët e marrjes së njohurive dhe të mirësive, qëndrojnë të mbyllura para tyre veç për një shkak, i cili është i thjeshtë dhe i kuptueshëm: mohimi, refuzimi dhe kryeneçësia që ata tregojnë ndaj së vërtetës, pasi janë sqaruar plotësisht rreth saj.
Në suren En’am, ajeti 110, Allahu i Lartësuar thotë: “Ne do t’ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë, dhe do t’i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre.” Kjo nënkupton ndëshkimin e përshpejtuar, të cilin ata do ta ‘shijojnë’ dhe do ta përjetojnë që në këtë dynja. Ndërsa rreth ndëshkimit të rezervuar për ta Ditën e Gjykimit, Allahu i Madhëruar thotë:
– “…dhe ata do të kenë një dënim të madh” – Ndëshkimi i madh, i përmendur këtu, është pikërisht ndëshkimi që do të përjetojnë në zjarrin e Xhehenemit. Atje do të vuajnë edhe zemërimin e të Pamposhturit dhe Krenarit (Allahut). Ky ndëshkim do të jetë i përjetshëm dhe i pandërprerë.