Parathënia e përkthyesit
Lavdia e plotë i takon vetëm Allahut, Atë e falenderojmë dhe e lavdërojmë, tek Ai kërkojmë mbrojtje dhe strehim dhe tek Ai kërkojmë falje. Tek Allahu kërkojmë strehim dhe mbrojtje që të na ruajë nga sherri i shpirtrave tanë dhe nga fatkeqësitë që sjellin punët tona të liga. Atë që Allahu e ka udhëzuar në rrugën e drejtë ai është i udhëzuari dhe i shpëtuari, ndërsa atë që Allahu i lartësuar me urtësinë dhe drejtësinë e Tij e ka lënë në humbje, askush nuk mund ta udhëzojë në rrugën e drejtë.
Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut , dëshmoj dhe deklaroj se Muhamedi (alejhi selam) është robi dhe i dërguari i Tij. Profeti Muhamed (alejhi selam) ka thënë: “Më i miri ndër ju është ai që e mëson Kur’anin dhe ua mëson atë të tjerëve.” Pa dyshim, aspekti më i rëndësishëm i mësimit të Kur’anit përveç mësimit të leximit, është edhe kuptimi i tij saktësisht dhe nxjerrja e mësimeve prej tij. Vetëm me një kuptim të saktë të Kur’anit dhe me zbatimin rrigorozisht të mësimeve të tij robi do të mund të gjejë rrugën e drejtë që e çon tek Zoti i tij.
Allahu i lartësuar e ka bërë këtë Kur’an udhëzim dhe mëshirë, shërim dhe qetësim për zemrat e besimtarëve. Por Kur’ani nuk mund të jetë i tillë nëse nuk kuptohet saktësisht, ashtu sikurse e kuptoi Profeti (alejhi selam) dhe shokët e tij, sahabët. Ai nuk mund të jetë i tillë nëse nuk zbatohet në jetën e përditshme të muslimanit dhe muslimanes. Prandaj është detyrë për çdo musliman që ta kuptojë këtë Kur’an dhe të japë maksimumin e tij për të punuar me të dhe për të ftuar të tjerët në atë mirësi që ofron Fjala e Zotit.
Dijetarët, që nga kohët e para e deri më sot i kanë dhënë një rëndësi shumë të madhe tefsirit të Kur’anit. Tefsirët e shkruajtur janë të shumtë dhe sejcili prej tyre i ka dhënë rëndësi aspekteve të caktuara. Dikush e ka shpjeguar këtë Kur’an nga ana gjuhësore duke e analizuar çdo fjalë dhe fjali të këtij Libri dhe duke qartësuar gjithçka në të. Disa të tjerë i kanë dhënë rëndësi shpjegimit të Kur’anit nëpërmjet haditheve të Profetit (alejhi selam) dhe fjalëve të sahabëve dhe tabi’inëve. Të tjerë i kanë dhënë rëndësi përnxjerrjes së ligjeve dhe dispozitave nga ajetet kur’anore, e kështu me rradhë.
Ndër ata që janë marë me tefsirin (komentimin) e Kur’anit famëlartë, është edhe shejh Abdurrahman ibn Nasir El Sa’di, Allahu e mëshiroftë. Ai është prej dijetarëve të njohur të kohëve të fundit. Ndër cilësitë e këtij tefsiri mund të përmendim se ai nuk është i tejzgjatur dhe as tepër i shkurtuar. Ai është i mbushur me dobi të shumta dhe përfshin në vetvete mësime shumë të vyera në shumë fusha; në fushën e akides, moralit, ligjeve dhe dispozitave të përfituara nga ajetet, etj.
Lexuesi çdo ajet që kalon, e kupton atë qartësisht dhe nxjerr prej tij mësime të shumta. Gjuha e tij është shumë e thjeshtë, e kuptueshme dhe çdo kush mund të kuptojë dhe të përfitojë prej tij. E lus Allahun e lartësuar që të na bëjë nga ata që e mësojnë Kur’anin, e zbatojnë atë në jetën e tyre dhe ua mësojnë atë edhe të tjerëve. Ai është Bujar, Bamirës dhe Mëshirëplotë. Paqja bekimet dhe mirësitë e Allahut qofshin mbi Muhamedin (alejhi selam), familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasuan atë me sinqeritet deri në ditën e gjykimit!
Parathënia e autorit
Të gjitha falënderimet, lavdërimet e admirimet janë për Allahun, i Cili i zbriti robit të Tij Furkanin (Kur’anin), që është dalluesi dhe qartësuesi i hallallit nga harami, i lumturisë nga trishtimi dhe i të vërtetës nga e kota. Ky Kur’an është libri, të cilin Allahu, me mëshirën e Tij, e bëri udhëzues për njerëzit në përgjithësi dhe për të devotshmit (mutekin) në veçanti, për të kaluar nga rruga e humbjes, e mohimit (kufr), e gjynaheve dhe e injorancës, drejt dritës së besimit, devocionit e dijes.
Allahu i Lartësuar e zbriti këtë libër për të qenë shërim i zemrave nga sëmundjet e dyshimeve dhe epshit, si dhe për t’i stolisur ato me bindje, siguri dhe dije rreth çështjeve e pikësynimeve të larta. Ai e zbriti këtë libër për ta bërë edhe shërim të trupit nga sëmundjet, dhimbjet dhe dobësitë e tij. Allahu na ka treguar se ky libër nuk pranon asnjë lloj dyshimi e pasigurie, për çdo aspekt të tijin, sepse ai përmban vetëm të vërtetën e madhe në çdo rrëfim, urdhër e ndalesë që sjell. Ai e zbriti këtë libër që të jetë i begatshëm, pasi në të gjen mirësi të mëdha, dije të pafundme, të fshehta, të jashtëzakonshme, qëllimet më të pastra e më të larta.
Çdo begati dhe kënaqësi që fitohet në këtë jetë dhe në jetën tjetër ka si shkak vetëm ndjekjen e udhëzimeve të Kur’anit. Allahu i Lartësuar na ka treguar se ky libër është vërtetues dhe garantues i librave hyjnorë të mëparshëm. Ajo që dëshmohet nga Kur’ani si e vërtetë, ajo është e vërteta e pranueshme, ndërsa ajo që Kur’ani nuk e quan të vërtetë, ajo është e pasaktë dhe e papranueshme, sepse ky libër përmban esencën e së vërtetës, madje edhe më shumë se kaq.
Allahu i Lartësuar thotë për Kur’anin: “Allahu me të udhëzon në rrugët e paqes, këdo që synon kënaqësinë e Tij.” Pra, ky libër është udhëzues e orientues për në Vendin e Paqes (Xhennetit), është ndriçues i rrugës që të çon atje dhe nxitës për të shkuar drejt tij. Kur’ani është, gjithashtu, tregues i rrugës që të çon në Vendin e Dhimbjeve (Xhehenemit), dhe tërheqës i vërejtjes për të mos arritur atje. Allahu i Lartësuar thotë: Kitabun uhkimet ajatuhu thumme fussilet min ledun hakimin habir “Libër, të cilit i janë përsosur (i janë bërë absolutisht të sakta dhe të drejta) ajetet, të cilat pastaj janë sqaruar plotësisht prej Atij, që është i Urtë, i Gjithëditur.” (Hud : 1)
Domethënë, ky libër është i përkryer në çdo aspekt. Ai është i saktë, i plotë, i drejtë, i mrekullueshëm në udhëzimet e tij dhe i vetmi burim i gjykimit të drejtë për çdo çështje. Allahu i qartësoi ajetet e Tij në formën më të shkëlqyer dhe i përsosi ata në mënyrën më absolute, duke dalluar mes së vërtetës dhe së kotës, mes udhëzimit dhe humbjes, me një sqarim që kthjellon çdo paqartësi. Kjo ndodh sepse ky libër buron nga Ai që është Hakimun (i Urtë) dhe Habir (i Gjithëditur), i Cili tregon vetëm të vërtetën, të sigurtën dhe të sinqertën.
Allahu është Ai që urdhëron veçse për drejtësi, bamirësi e mbarësi dhe ndalon veçse nga ajo që është e dëmshme për dynjanë (këtë botë) dhe për ahiretin (botën tjetër). Allahu i Lartësuar është betuar në emër të Kur’anit dhe e ka cilësuar atë si Mexhid, që është një ndër përshkrimet më të larta e më madhështore, dhe kjo për shkak të kuptimeve gjithëpërfshirëse të këtij libri. Allahu i Madhëruar e ka cilësuar Kur’anin edhe si Dhu Dhikër (Përkujtues), sepse me anë të tij përkujtohet dija hyjnore, moralet e larta dhe veprat e mira. Prej tij nxjerr mësime e përkujtohet ai që e ka frikë Zotin.
I Lartësuari thotë: “Ne e shpallëm këtë Kur’an në gjuhën arabe, që ju të logjikoni e të kuptoni.” Pra, e zbriti në këtë gjuhë, që ne të mendojmë dhe ta kuptojmë atë. Allahu na ka urdhëruar që të meditojmë e të thellohemi në Kur’an, për të nxjerë mësime prej tij. Përsiatja rreth tij është çelësi i çdo të mire dhe mundësia e vetme për të arritur dijet e dobishme, të fshehta dhe të shtrenjta. E pra, Allahut i qoftë falënderimi, lavdërimi dhe mirënjohja, që e bëri Librin e Tij udhëzim, mëshirë, shërim, dritë, qartësues të rrugës, përkujtues të çdo dijeje të domosdoshme, të begatshëm, udhëzim e përgëzim për muslimanët.
Nëse kuptohet gjithçka që u tha deri tani, atëherë është e lehtë të kuptohet nevoja e madhe dhe e domosdoshme e çdo krijese të përgjegjshme (njeri apo xhind qoftë) për të njohur mësimet e Kur’anit dhe për t’u udhëzuar me të. Është plotësisht e drejtë që robi të bëjë të gjitha përpjekjet e të paguajë çdo çmim për të arritur të kuptojë e nxënë mësimet e Kur’anit, me rrugët më të shkurtra e më të shpejta. Ka shumë tefsire (komentime e shpjegime) të Kur’anit, të shkruar nga imamë të mëdhenj (Allahu i mëshiroftë!). Ndër ta, ka që janë tejet të zgjeruar e që shpesh e humbin qëllimin përse janë shkruar, ashtu siç ka edhe që janë tejet të shkurtuar, të mjaftuar thjesht me sqarimin nga ana gjuhësore e disa fjalëve të pakuptueshme, duke mos u futur thellë në kuptimin e vërtetë që është dashur prej tyre.
Për këtë arsye, është e domosdoshme që t’i japim rëndësi të madhe qartësimit të ajeteve kur’anore, duke vështruar me kujdes kontekstin e tyre, shkakun për të cilin janë shpallur dhe duke bërë krahasimin e tyre me njëri-tjetrin. Duhet të jemi të qartë se Kur’ani është shpallur që të shërbejë si udhërrëfyes për të gjitha krijesat, për të diturit dhe të paditurit, për të qytetëruarit dhe nomadët. Studimi i hollë dhe i thellë i ajeteve kur’anore, duke pasur, sigurisht, njohuri të sakta rreth historisë dhe jetës së Pejgamberit (alejhi selam), shokëve të tij dhe ngjarjeve që ndodhën mes tij dhe armiqve të Islamit gjatë shpalljes së Kur’anit, të çon drejt një të kuptuari dhe njohjeje të vërtetë të qëllimeve që fshihen në ato ajete.
Dobitë e përvjela nga këto ajete bëhen edhe më të mëdha, nëse shoqërohen me një njohuri të gjerë dhe të thellë të gjuhës arabe dhe të disiplinave të saj. Atij që i janë lehtësuar të tilla njohuri dhe i ka përvetësuar ato nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të meditojë gjatë për të kuptuar ajetet e Kur’anit. Ai duhet të mendohet thellë për tekstin dhe kuptimet e fjalëve, të drejtpërdrejta qofshin ato, ose të nënkuptuara. Nëse robi jep aksimumin e tij në këto drejtime, atëherë Allahu i Lartësuar, – që është shumë më tepër Bujar, – do t’i dhurojë atij dije të thellë mbi këtë libër, duke i zbuluar madje edhe plot njohuri të tjera, të cilat robi nuk do t’i arrinte kurrë me mundin dhe përpjekjet e veta.
Duke qenë se Allahu i Lartësuar, me mirësinë e Tij, na mundësoi bashkë me vëllezërit e mi që t’i përkushtoheshim këtij Libri famëmadh, sipas mundësive tona modeste, atëherë më lindi dëshira që të përpiloja, me sa mundësi të kisha, një tefsir të përmbledhur të Librit të Allahut të Madhëruar. Shpresa ime ishte dhe mbetet që, me bujarinë e Allahut ndaj nesh, ky tefsir të bëhet përkujtim i dobishëm për ata që punojnë për rregullimin dhe drejtimin e
njerëzve, që ai të bëhet ndriçues për ata që duan të shohin të vërtetën dhe ndihmë e orientues për ata që kanë nisur udhën drejt Allahut, Zotit të gjithësisë.
Kësisoj, në mënyrë që asgjë të mos humbiste dhe të harrohej, menjëherë nisa të shkruaja. Qëllimi im kryesor me këtë libër është që të jap shpjegime sa më të qarta, duke iu larguar zbërthimeve të koklavitura e të lodhshme të kuptimeve të termave e fjalëve të ndryshme. Këtë e kam bërë duke u nisur nga fakti se qëllimi i tefsirit është pikërisht qartësimi i kuptimeve të ajeteve, si dhe për shkak se komentuesit e hershëm (Allahu i shpërbleftë ata me të mira!) kanë shkruar tefsirë të mjaftueshëm për shpjegimin e hollësishëm të termave dhe fjalëve të Kur’anit, kështu që nuk është e nevojshme që ne ta përsërisim diçka të tillë.
Shpresoj tek Allahu i Lartësuar, dhe Atij i mbështetem e i kërkoj ndihmë, që ta lehtësojë realizimin e qëllimit tim. Nuk ka dyshim se, nëse Allahu nuk e lehtëson diçka, nuk mund të gjesh asnjë rrugë tjetër për ta arritur atë. Nëse Allahu nuk e ndihmon robin, ai kurrë nuk ka për ta arritur atë që synon. E lus Allahun e Lartësuar që ta bëjë këtë vepër të sinqertë, vetëm për të fituar kënaqësinë e Tij! E lus të Madhëruarin që ta bëjë këtë vepër gjerësisht dhe tërësisht të dobishme, se Ai është Bamirës dhe Bujar! O i Adhuruari im! Salavatet e plota dhe selami qofshin mbi Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!