Këtu nuk kemi si qëllim të paraqisim legjislacionin e përgjithshëm, megjithëse vendimet gjyqësore të Pejgamberit (alejhi selam) në raste apo çështje të veçanta janë dispozita ligjore përgjithësuese, por të paraqisim vendimet e veçanta të marra nga Pejgamberi (alejhi selam) mes palëve ndërgjyqëse, si dhe mënyrën se si gjykonte ai midis njerëzve. Megjithatë, do të përmendim edhe shumë vendime të tij gjyqësore, të cilat janë dispozita të tërësishme ligjore.
Nga një dëshmi që Behz Ibn Hakimi përcjell nga i ati dhe ky nga gjyshi i tij, është vërtetuar se Pejgamberi (alejhi selam) ka burgosur një burrë, për shkak se mbi të rëndonte një akuzë e caktuar. Imam Ahmedi dhe Ali Ibn Medini kanë thënë se ky sened transmetimi është i saktë. [1]
Në librin Ligjet, Ibn Zijadi thotë se në një rast, Pejgamberi (alejhi selam) burgosi një burrë, sepse ky pati liruar pjesën e tij në një skllav që e kishte në bashkëpronësi me një tjetër. Kështu, meqenëse pati liruar një pjesë të skllavit, atij iu bë detyrë ta lironte të tërin, prandaj Pejgamberi (alejhi selam) e mbajti të burgosur, derisa ky shiti disa bagëti dhe shleu pjesën që i takonte bashkëpronarit tjetër. [2]
Euzai shënon nga Amër Ibn Shuajbi, ky nga i ati dhe ky nga gjyshi, se një herë një burrë vrau me dashje skllavin e vet, prandaj Pejgamberi (alejhi selam) urdhëroi të fshikullohej me njëqind shkopinj, të dëbohej nga vendi një vit dhe të lironte një skllav, por nuk e dënoi me vrasje si shpagim për skllavin që ky pati vrarë. [3]
Imam Ahmedi shënon hadithin e Hasanit, i cili përcjell prej Semurahit, dhe ky prej Pejgamberit (alejhi selam), se: “Atë që vret skllavin e vet, ne e ekzekutojmë”. [4] Nëse ky transmetim është i saktë, domethënë, nëse Hasani e ka dëgjuar nga Semurahi, atëherë themi që dënimi me vdekje është në dorë të prijësit: si ta gjykojë ai zgjidhjen më të mirë. [5]
Pejgamberi (alejhi selam) ka urdhëruar një burrë që ta ndiqte huamarrësin e tij kudo, siç përmend Ebu Daudi prej Nadër Ibn Shumejlit, ky prej Hirmas Ibn Hubejbit, ky prej babait të tij dhe ky prej gjyshit të tij, i cili rrëfen: “Shkova te Pejgamberi (alejhi selam) me një borxhli timin. Ai më tha: ‘Ndiqe kudo!’ Pastaj më pyeti: ‘O vëllai i fisit Benu Sehm, çfarë dëshiron të bësh me robin tënd?’.” [6]
Për rastin kur dikush mban peng një njeri, me qëllim që ta vrasë një i tretë, Ebu Ubejdi përcjell se Pejgamberi (alejhi selam) ka urdhëruar të vritet vrasësi dhe të mbahet i burgosur pengmarrësi. [7] Siç e ka shpjeguar Ebu Ubejdi, ai që e mban një njeri peng, me qëllim që ta vrasë një i tretë, mbahet i burgosur deri në vdekje.
Abdurrezaku shënon në Musanaf-in e tij se Aliu (radijAllahu anhu) ka thënë: “Ai që mban peng dikë, me qëllim që ta vrasë një tjetër, mbahet i burgosur deri në vdekje.” [8] Për disa banditë [9] , Pejgamberi (alejhi selam) vendosi që t’u priteshin duart e këmbët, t’u nxirreshin sytë dhe i la derisa të vdisnin nga uria dhe etja, njëlloj siç kishin bërë ata me disa barinj devesh. [10]
[1] Hadithi e shënon: Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe Nesaiu. Sened-i i hadithit është i mirë.
[2] Këtë hadithë e ka shënuar edhe Abdurrezaku dhe Bejhakiu nga Ebe Mixhlez se dy vëllezër nga fisi Xhuhejne ishin bashkëpronarë në një skllav. Njëri prej tyre e liroi pjesën e tij, por mbeti pjesa e tjetrit pa shlyer, prandaj Pejgamberi (alejhi selam) e burgosi, gjersa shiti disa bagëti të tijat për të shlyer pjesën e vëllait të tij, i cili ka qenë bashkëpronar me të.
[3] E shënon Ed Darel Kutni. Sened-i i hadithit është i mirë.
[4] Sipas Albanit, hadithi është i dobët.
[5] Dënimi që përcakton gjykatësi për një krim, për të cilin nuk është caktaur ndonjë masë ndëshkimore në Sheriat, quhet tazir. Atëherë, sipas asaj që thotë Ibn Kajjimi, dënimi me vrasje i skllavopronarit që vret skllavin e vet, është një masë ndëshkimore që është lënë në dorë të prijësit për ta marrë, nëse e vëren në interes të muslimanëve dhe të goditjes së krimit.
[6] Hadithin e transmetojnë Ebu Daudi dhe Ibn Maxhe, por ai është i dobët. Kuptimi i hadithit është që huadhënësi, pas përfundimit të afatit të huasë, ka te drejtë ta shoqërojë huamarrësin kudo që shkon a qëndron, për ta detyruar të shlyejë borxhin. Por meqë hadithi është i dobët, ai nuk vlen si dëshmi për këtë çështje.
Pejgamberi (alejhi selam) e ka quajtur borxhliun si të zënë rob, në rastin kur e ndjek huadhënësi, duke marrë parasysh poshtërimin që pëson nga ndjekja për kërkimin e huasë së përfunduar. Me sa kuptohet nga këto fjalë, Pejgamberi (alejhi selam) parashtronte mundësinë për ndërmjetësim, në mënyrë që borxhliu të lihej i lirë. [Shih: Aunul Mavbud]
[7] Këtë hadith e shënon edhe Abdurrezaku në musanaf dhe Dare Kutniu nga Ismail Ibn Umeje, se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Ai që e ka kapur, mbahet i burgosur deri në vdekje, ashtu siç ka mbajtur të kapur viktimin derisa u vra, ndërsa vrasësi vritet.”. Transmetuesit e hadithit janë të besueshëm por ai është mursel.
Gjithashtu, Dare Kutniu shënon hadithin e Ismail Ibn Umejes nga Nafi, ky nga Ibn Umeri dhe ky nga Pejgamberi (alejhi selam), i cili ka thënë: “Nëse një burrë kap dikënd dhe tjetri e vret, ai që vrau vritet, ndërsa ai që e kapi burgoset.”. Transmetuesit e hadithit janë të besueshëm, por Bejhakiu i ka dhënë përparësi varianit që hadithi është mursel.
[8] Shënon Abdurrezaku. Transmetuesit janë të besueshëm.
[9] Bëhet fjalë për daljen e një grupi të armatosur në territorin Islam, të cilët frikësojnë njerëzit me armë, bëjnë rrëmujë, derdhin gjak, grabisin me forcë pasuritë e njerëzve dhe cenojnë nderin e tyre. Në këtë mënyrë, ata sfidojnë dispozitat fetare, etikën, sistemin dhe ligjin.
[10] Këtë vendim, Pejgamberi (alejhi selam) – siç përmendet në Sahih-un e Buhariut dhe të Muslimit – e mori ndaj një grupi të fisit Urejnah, të cilët përqafuan fenë Islame dhe erdhën në Medinë tek Pejgamberi (alejhi selam). Por, meqë nuk po u pëlqente qëndrimi në Medinë për shkak se po vuanin nga një sëmundje, i Dërguari i Allahut (alejhi selam) i urdhëroi të shkonin e të rrinin te devetë që ishin dhënë si sadaka dhe të pinin nga qumështi dhe urina e tyre, me qëllim që të shëroheshin. Kështu vepruan dhe më vonë, pasi u shëruan, i vranë barinjtë, u morën devetë dhe u nisën.
Kur mësoi ç’kishte ndodhur, Pejgamberi (alejhi selam), dërgoi disa njerëz që t’i kapnin dhe t’i sillnin në Medinë. Pasi u kapën dhe u sollën në Medinë, Pejgamberi (alejhi selam) urdhëroi t’u priteshin këmbët dhe duart, t’u nxirreshin sytë dhe të liheshin në El Harreh (një vend me gurë e shkëmbinj të zinj pranë Medinës) nën rrezet e diellit, pa ujë e pa ushqim, derisa të vdisnin.
Pejgamberi (alejhi selam) vendosi që të ndëshkohen me të gjitha këto lloje dënimesh, si hakmarrje ndaj tyre, meqë kështu patën vepruar edhe ata me barinjtë, por kjo nuk do të thotë se ndaj çdo kusari duhet të jepen të gjitha këto masa dënimi. Për të mësuar se çfarë dënimi u jepet kusarëve, në varësi të krimit që kanë bërë, mund të lexosh dispozitën penale të kusarisë në librat e fikh-ut.