Në këtë kuadër shihet edhe veçimi i dhjetë ditëve të muajit dhul hixhe nga gjithë ditët e tjera. Këto ditë janë më të mirat tek Allahu i Madhëruar. Në ‘Sahih’-un e Imam Buhariut, Ibn Abassi përcjell se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “S’ka ditë të tjera kur veprat e mira janë më të dashura për Allahun, sesa në këto dhjetë ditë.” E pyetën: “As xhihadi në rrugë të Allahut?” Ai tha: “As xhihadi në rrugë të Allahut, përveç rastit kur një person del në xhihad me veten dhe pasurinë e tij, e më pas s’kthehet me asgjë”. [1]
Këto dhjetë ditë janë ato për të cilat Allahu është betuar në Librin e Tij: “Pasha agimin! Pasha dhjetë netët!” (Fexhr : 1-2). Për këtë arsye, në këtë periudhë pëlqehet të thuash sa më shumë: “Allahu Ekber”, “La ilahe il’Allah” dhe “Elhamdulilah”, sikurse ka thënë Profeti (alejhi selam): “Në këto ditë thoni sa më shumë: ‘Allahu Ekber”, “La ilahe il’Allah”, “Elhamdulilah”. [2] Këto ditë dallojnë nga ditët e tjera po aq sa dallojnë vendet e ritualeve të haxhit nga vendet e tjera.
E tillë është edhe ngritja e muajit të Ramazanit ndaj muajve të tjerë, dhjetë netët e fundit të tij ndaj gjithë netëve të tjera apo e natës së Kadrit ndaj një mijë muajve. Cila dhjetëshe është më e mirë: dhjetëshja e muajit dhul hixhe apo dhetëshja e fundit e e Ramazanit? Më e sakta është që dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë më të mira se dhjetë netët e dhul hixhes, kurse dhjetë ditët e dhul hixhes janë më të mira se dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Me këtë shtjellim mënjanohet paqartësia. Argument për këtë është fakti se netët e Ramazanit janë parapëlqyer nga Allahu për shkak se në to ndodhet Nata e Kadrit, kurse dhjetë ditët e dhul hixhes janë parapëlqyer për shkak se në to ndodhet dita e Kurban Bajramit, dita e Arafatit dhe dita e tetë e dhul hixhes.
[1] Buhariu, Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh. Teksti këtu është i Ebu Daudit, me sened të saktë.
[2] Taberani në “Kebir”, prej Ibn Abassit, i cili tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Nuk ka ditë më madhështore tek Allahu e as ditë kur pëlqehen më tepër veprat e mira, sesa dhjetë ditët, prandoj thoni sa më shumë: ‘Subhanallah, elhamdulilah, la ilahe il-lallah, Allahu Ekber’.” Por hadithi është i dobët.