Devotshmëria është njëra prej cilësive që shumë njerëz e kanë humbur. Të devotshmit gjithmonë janë të interesuar për t’i kryer në mënyrë sa më të plotë të gjitha obligimet.
Pikërisht për devotshmërinë ka folur edhe Hasan el-Basriu, kur dikush e pyeti: “Unë kam një vajzë, me kë ta martoj?” Hasan el-Basriu i tha: “Martoje me një të devotshëm, sepse i devotshmi e mban duke qenë i mirë ndaj saj dhe nëse e ndan, nuk i hyn në hak.”
Në fakt, prania e devotshmërisë, përkushtimit dhe frikës ndaj Allahut në zemrën e bashkëshortëve është shtysë për kryerjen e detyrimeve në mënyrën e duhur. E nëse Allahu hedh në zemër dritën e devotshmërisë dhe të përkushtimit, atëherë nga kjo dritë do të rregullohen veprat e këtij njeriu.
I Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Vërtet në trupin tuaj ndodhet një copë mishi, nëse ajo përmirësohet, atëherë do përmirësohet i gjithë trupi, e nëse ajo prishet, prishet i gjithë trupi: ajo është zemra.”